Në fshatin Valare, familja Basha përjetoi një situatë të rëndë, pasi dherat i ranë brenda banesës njëkatëshe, duke dëmtuar të gjitha pajisjet elektroshtëpiake. Banesa është bërë tërësisht e pabanueshme.

Me lot në sy, e moshuara Hanushe Basha rrëfen momentet e vështira kur masivi i dherave rrëshqiti nga kodra dhe e bëri shtëpinë të pabanueshme.

“Ç’të them more bir, të vijë mali përpara, e shikon ku po qëndrojmë bashkë me fëmijët? Gati sa nuk u mbytëm. Erdhi gjithë dheu brenda. Erdhi rrebeshi shumë i madh, erdhën kërnija. S’kishim ç’të bënim. S’kishim ku të venim, vetëm rrinim e shikonim. Çdo gjë u vu përpara, komplet shtëpia, divanet, mobiliet janë në ujë. Një mundim i jetës, të punosh 33 vjet”, thotë Hanueshe Basha.

Po kështu, nusja e shtëpisë, Vera Basha, rrëfen se rrëshqitja për pak sa nuk u mori jetën asaj dhe tre fëmijëve të vegjël.

“Ishim duke parë televizor me vajzat. Unë isha poshtë dhe erdhi kërnia, i futi përpara shtëpisë plaçkat. Fëmijët filluan të qanin e të ulërinin, se i kam të vegjël. Djali më i vogël është vetëm tre muajsh. Erdhi mali përpara. Të vijë kushdo ta shikojë ç’bëhet këtu, s’vjen askush. Nuk dimë nëse jemi gjallë apo vdekur. Mobiliet janë bërë për t’u hedhur në kosh.”, shprehet Vera Basha.

Gjashtë anëtarët e familjes Basha po strehohen tek të afërmit, ndërsa kërkojnë sa më shpejt dëmshpërblim për të rindërtuar shtëpinë.

“Unë nuk kërkoj lëmoshë, kërkoj atë që më takon. Puna është e dukshme. Mali e ka sjellë gjithë këtë. Shihet me sy, ka ardhur nga lart e ka përfunduar në derë të shtëpisë. I kemi lajmëruar, erdhën, panë dhe thanë se për pjesët e jashtme nuk janë ata përgjegjës. Po kush është? Unë nuk e di. Dua zgjidhje, dua orientim, ku të bazohem e ku të drejtohem. S’kam ku të shkoj, nuk kam ç’të bëj. Vetëm rri me duart në kokë.”, tregon Vera.

Report TV u interesua pranë Bashkisë së Gjirokastrës, e cila konfirmoi se kompensimi për dëmet do të kryhet pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, Qeveria po harton paketën e dëmshpërblimit për banesat dhe tokat bujqësore të dëmtuara nga moti i keq preku vendin në fillim të janarit.