ITALI - Në një intervistë për Radio Radicale, radio kombëtare dhe politike në Itali, ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani flet për marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë, zhvillimet euro-atlantike të Shqipërisë në rrugën e Integrimit Evropian.

Ambasadori i Italisë në Tiranë komenton atmosferën patriotike, por edhe nacionaliste në Shqipëri, propozimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për pasaportën e shtetit amë për të gjithë shqiptarët dhe si po i përcjell Italia këto zhvillime.

INTERVISTA E PLOTE

Duke përshëndetur nga Tirana dëgjuesit e Radio Radikale, u propozoj atyre një bashkëbisedim me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij Massimo Gaiani të cilin sigurisht e falënderoj që pranoi ftesën. Shkëlqesi, në opinion personal gjykoj se Ambasada e Italisë me ardhjen tuaj në Tiranë ka qenë më dinamike dhe kështu marr me mend që edhe rezultatet e kësaj pune janë më rezultative, ndaj dëshiroj t’u pyes në emër të dëgjuesve Italianë të radios, por edhe atyre shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe që zyrtarisht janë mbi 500.000, cilat janë prioritet e politikës së qeverisë italiane në Shqipëri?
Ju falënderoj. Mua më pëlqen që nëpërmjet jush ti drejtohem dëgjuesve të Radio Radicale dhe natyrisht komunitetit shqiptar që punon dhe jeton në Itali. Prioritetet tona përsa i përket Shqipërisë përqendrohen tek Integrimi Evropian, por sigurisht edhe zhvillimit në mënyrë të veçantë atij dypalësh të shkëmbimeve si atyre politike, po ashtu ekonomike, tregtare dhe shoqërore. Sigurisht dhe atyre kulturore. Është e vështirë që me një vend si Shqipëria me të cilin raportet janë kaq intensive dhe tradicionale, të individualizosh qartësisht disa prioritete. Marrëdhëniet tona janë absolutisht të mbushura me një bashkëpunim absolut dhe të shkëlqyer gjë kjo që sigurisht tregon që duhet të ndërtojmë duke u nisur nga kjo bazë e shkëlqyer. Sidoqoftë, pak edhe për shkak të eksperiencës time personale, gjykoj të rëndësishme të nënvijëzoj veçantinë e rrugës evropiane të Shqipërisë...

Po, i nderuar zoti ambasador, në fakt kam mbajtur shënim përvojën tuaj shumë të rëndësishme dhe të gjatë në politikat Komunitare dhe Integrimin Evropian. Ju keni qenë nga mars 2006 - nëntor 2011, Drejtor i Përgjithshëm për politikat evropiane në Këshillin e Ministrave të Republikës Italiane, shefi i Sekretariatit të Komitetit Ndërministror për politikat Evropiane dhe për Barazi. Prill 2005-nëntor 2011 Këshilltar Diplomatik i Ministrit për Politikat Evropiane, shkurt 2004 - prill 2005 Ministria e Punëve të Jashtme, Këshilltar Ligjor i Drejtorit të Përgjithshëm për Burimet Njerëzore, pra një eksperiencë e gjatë në pozicione të tjera të rëndësishme....ndaj duke shtuar se Italia është konsideruar gjithmonë si Avokati i Shqipërisë në rrugën e Integrimit Evropian e cila po rezulton e vështirë për Tiranën politike..., Si mund ta përkthejmë në gjuhë konkrete këtë Avokati që sipas meje duhet të jetë e vështirë?
Po, unë, nuk do ta ekzagjeroja në vlerësime negative. Aderimi, integrimi në Bashkimin Evropian është një rrugë e gjatë. Midis eksperiencave të mia në politikat Evropiane, kam menaxhuar pikërisht negocimin e 10 vendeve të cilat kanë hyrë në vitin 2005 në BE. Eventualisht është proçeduar me shpejtësi më të madhe seç mendohej në fillim. Sot Evropa ndoshta është më e ashpër në lidhje me përcaktimet e kritereve. Por nuk nevojitet kurrsesi të shkurajohemi dhe duhet parë çdo veprim si një etapë më vete. Besoj se është shumë e rëndësishme që Komisioni Evropian që zhvillon një veprim, le ta themi të karakterit teknik, ka njohur progres të rëndësishëm realizuar nga Shqipëria. Dhe, në fund kishte kërkuar aprovimin e tre ligjeve specifike të cilët nuk janë në fakt kaq të vështirë. Pra, është arritur shumë afër një përgjigje pozitive të Komisionit që sigurisht më tej duhet të ishte vlerësuar edhe nga Këshilli. Pra, unë nuk do shikoja atë pak që ka ngelur pa u bërë. Mua më pëlqen të shoh atë që është bërë dhe që është shumë dhe që cila ka bërë të mundur një vlerësim pozitiv të Komisionit Evropian. Nevojitet gjithsesi të vazhdohet të punohet me një vendosmëri të madhe dhe kjo vendosmëri duhet të jetë si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.

I nderuar Ambasador, ndërsa qëndrojmë tek politika shqiptare, por duke kërkuar ta shohim në një fokus më të gjerë rajonal dhe global pse jo, duke pranuar njëkohësisht se politika tradicionale kudo, edhe për shkak të krizës globale ekonomike dhe financiare, tashmë po përballet me vështirësi të mëdha duke e bërë të mundur ti japë hapësirë konceptit të ri të së ashtuquajturës “anti-politikë”, edhe në Itali..., duhet thënë se në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor ky zhvillim i ri është përqendruar kryesisht në organizata të frymëzuara nga nacionalizmi politik, sipas vendit! Për shembull në Greqi Agimi i Artë, në Shqipëri Aleanca Kuq e Zi... Duke kujtuar që ju personalisht keni qenë pjesëmarrës në festimet për njëqindvjeçarin e pavarësisë shqiptare, unë do të dëshiroja tu kërkojë një vlerësim në raport me to, sigurisht duke kërkuar të kuptoj si e ka përjetuar, si e sheh ambasadori i vendit që njihet si Avokat i Shqipërisë në rrugën Evropiane, atmosferën festive entuziaste arritur deri në deklarata nacionaliste?
Padyshim rruga evropiane e të gjitha vendeve rajonale është antidoda e çdo lloj problematike të ngjashme dhe është njëkohësisht kura për stabilitetin e përhershëm të këtij rajoni. Shqipëria festoi disa ditë më parë 100 vitet e saja dhe besoj që kishte një atmosferë të kuptueshme dhe të përmbajtur të ndjenjës së krenarisë kombëtare. Besoj që është krejtësisht normale që kjo të ndodhi. Por, kërkohet njëkohësisht që të kujdesimi që kjo krenari kombëtare që do ta përkufizoja patriotike, unë e shquaj patriotizmin nga nacionalizmi, të kalisë pozitivisht raportet me të gjitha vendet rajonale. Këtë gjë Shqipëria e ka bërë deri tani, kontribut ky që i është njohur edhe në raportin e Komisionit Evropian për të cilin folëm pak më parë. Pra, nevojitet që ndjeshmëria për të qenë me të drejtë krenar të shkojë në hapa të barabartë me nevojën për të përmirësuar dhe forcuar raportet e përzemërta dhe miqësore me të gjitha vendet e rajonit.

Por, duke parë që tashmë nga Brukseli nuk njoftohen rezultatet që priteshin nga shumica e qytetarëve tanë dhe vjen gjithashtu edhe thirrja për kujdes ndaj deklaratave me frymë të diskutueshme nacionaliste..., tashmë që kemi edhe një iniciativë konkrete të kryeministrit të Shqipërisë z. Sali Berisha për ti dhënë shtetësi të Shqipërisë çdo shqiptari kudo jetoftë ai/ajo, sipas Ambasadorit të Vendit Avokat të Shqipërisë për rrugën e Integrimit Evropian, kjo iniciativë politike kryeministrit sjell shqetësim të arsyeshëm në rajon, apo thjesht albanofobi, siç e ka përkufizuar vetë kryeministri i Shqipërisë?
Beh, sigurisht që varet shumë nga si do të aktualizohet kjo iniciativë e kryeministrit. Italia vetë ka një praktikë ligjore shumë liberale mbi shtetësinë. Kjo në sensin që Italia e jep shtetësinë me mënyrë shumë të lehtë të gjithë atyre që demonstrojnë që kanë pozitivitet ndaj vendit. Propozimi i kryeministrit shqiptar më duket se nuk është akoma në përmbajtje të përcaktuara mirë. Kështu që besoj se vlerësimi nëse ajo mund të sjellë ndonjë komplikim ose jo, mund të bëhet vetëm pasi ajo të kuptohet më mirë se si do përshtatet praktikisht. Më duket gjithsesi që ajo do të aktualizohet vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme vitin tjetër. Kështu që pas zgjedhjeve kemi të bëjmë me një periudhë shumë të largët...

Sidoqoftë kryeministri sot bëri me dije që Kabineti i tij është duke përgatitur projekt ligjin....
Unë deri më tani nuk kam dëgjuar asnjë përcaktim të qartë si do të aplikohet kjo iniciativë. Kështu që mund të them që pasi të aplikohet, apo kuptohet më mirë si do konceptohet kjo iniciativë, mund të shihet mundësia e ndonjë reagimi delikat të veçantë nga ana e vendeve fqinje. Megjithatë është momenti të them se ashtu siç ka thënë, apo do ri-thotë Bashkimi Evropian, nevojitet të mbahet aktiv roli stabilizues i Shqipërisë në rajon, ekzekutuar deri më tani dhe që të vazhdojë të ndjekë një politikë të relacioneve të mira me fqinjët. Besoj që kjo është në interes të Evropës, por edhe në interes të Shqipërisë. Unë jam një nga realizuesit e studimit të rëndësisë së integrimit të kësaj shoqërie dhe midis të tjerash Shqipëria ka bërë shumë në këtë drejtim duke përmirësuar shumë rrjetin rrugor dhe rrjeteve të tjera te brendshme të vetë shoqërisë shqiptare. Sigurisht që ka bërë edhe për shkëmbimet me vendet fqinje. Unë jam i mendimit që Shqipëria prezanton për Italinë pikën e hyrjes, urën që na çon në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe natyrisht që ne duam që kjo urë të demonstrojë performancë të shkëlqyer të fqinjësisë së mirë siç edhe është duke bërë në këto kohë. Unë jam i bindur që autoritet Shqiptare do kenë gjithmonë këtë preokupim edhe tonin edhe të tyre në zemër.

Zoti Ambasador mund ta përkthejmë në shifra konkrete të përafërta kontributin e Italisë ndaj Shqipërisë? Di që edhe sot keni demonstruar një akt konkret të rëndësishëm ndaj këtij vendi...por nëse mund ta përkthejmë në zëra konkret si nga ana financiare ashtu edhe kulturore, ndërsa kemi të bëjmë me një shoqëri në zhvillim dhe jo të zhvilluar...
Sot vetë ministri i Financave z. Ridvan Bode foli për një shifër përmbledhëse të 900 milion eurove si kontribut të Italisë për të favorizuar tranzicionin në Shqipëri. Natyrisht është një shifër shumë e rëndësishme e asistencës dhe ndihmës së Italisë dhe që e vendos vendin tonë ndër të parët që kanë ndihmuar më shumë këtë vend tuajin. Kjo padyshim që ka të bëjë me marrëdhëniet shumë të afërta që gjenden midis Italisë dhe Shqipërisë. Besoj se Shqipëria ka rritur rezultate shumë të rëndësishme. Nëse hedhim sytë nga Shqipëria që ishte para 15 viteve dhe e shohim atë si është sot, besoj se askush nuk mund të mohojë që ka një zhvillim të jashtëzakonshëm. Dhe unë besoj gjithashtu se Italia ka kontribuar në këtë zhvillim pikërisht edhe nëpërmjet atyre 900 milion eurosh të cilat janë përqendruar në të gjitha sektorët e nevojshëm. Unë besoj që ka dhe një aspekt tjetër që shkon përtej numrave të parave dhe besoj se është zhvilluar gjithashtu një afërsi veçanërisht kulturore midis popullit Shqiptar dhe atij Italian. Pse jo edhe në terminologji të shijeve, terminologji modelesh kulturore. Mund të veçojmë sidoqoftë faktin që mbi 50% e shqiptarëve flasim ose kuptojnë shumë mirë gjuhën Italiane...

Pikërisht... duke qenë një nga shqiptarët e shumtë që ka mësuar gjuhën italiane nëpërmjet televizionit Italian, RAI dhe Mediaset, mund edhe të kujtojmë që me të ardhur demokracia në Shqipëri, Shqiptarët menduan fillimisht Italinë dhe nëpërmjet saj Evropën... Tashmë përsa jam i mirë informuar Ambasada juaj dhe nëpërmjet saj qeveria juaj jeni duke investuar dhe asistuar autoritet shqiptare të arsimit për tu mësuar gjuhën italiane shqiptarëve në auditorë shkollash dhe Universitetesh... Sidoqoftë nëse kujtojmë kompleksitetin e shoqërisë shqiptare, faktin e gjithmonë gjendur midis kulturash të ndryshme, duke mbështetur idenë tuaj se jemi shumë afër në shije dhe modele kulturore, unë do shtoja në mënyrë historike dhe tradicionale, por duke sjelle ne vëmendjen tuaj gjithashtu se gjeopolitika aktuale ka një dinamizëm që disa herë na tejkalon në atë që bëjmë... mjafton të shikojmë sot ekranin televiziv në Shqipëri. Nëse dikur shikonim vetëm ato Italiane, dhe në fakt edhe prodhimet e Hollivudit i ndiqnim nëpërmjet ekraneve Italiane dhe gjuhës tuaj, sot kemi ekrane shqiptare të cilat transmetojnë me të drejtë produkte në gjuhë të tjera. Për shembull sipas memories time ndërsa në vitet ’90 njëra nga fjalët më të përdorura në zhargonin popullor ishte përshëndetja në italisht “Ciao”, sot fjala më e përdoruar në zhargonin e tyre rezulton të jetë fjala turke “tamam” përdorur edhe më parë në gjuhën e përditshme, por sot në mënyrë të veçantë edhe për shkak të investimit që bën ky vend në këto territore. Ju si e gjykoni këtë fotografi që sapo bëra?
Është në mënyrë perfekte korrekte. Sigurisht që globalizimi, evoluimi bën që nga ajo situatë e një monopoli absolut në të cilën oferta e prodhimeve televizive dhe radiofonike ishte në nivel monopoli, sot kjo situatë ofron një gamë shumë të gjerë prodhimesh të njëjta dhe në të cilat Italia ndoshta nuk është aq sa nevojitet e pranishme. Kjo padyshim mua personalisht më preokupon dhe kështu do të bëjmë të mundurën për të patur sa më shumë prodhime italiane televizive në Shqipëri. Sigurisht që nuk mund të kemi më atë situatë kur Shqipëria sapo doli nga diktatura. Sigurisht besoj se është e rëndësishme të kujtojnë që Italishtja mbetet të jetë gjuha më e njohur ndër shqiptarë. Kjo edhe pse kemi marrëdhënie të forta të cilat mund të shihen edhe nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare dhe kjo bën që një i ri shqiptar për të gjetur një punë e ndihmon edhe fakti i njohjes së gjuhës Italiane. Pikërisht para 2 ditësh, bashkë me ministrin e Arsimit z. Tafaj, kam nënshkruar një marrëveshje për një tjetër program ILIRIA i cili do bëjë të mundur mësimin e gjuhës Italiane në mbi 60.000 studentë shqiptarë. Kjo është një përpjekje si e palës Italiane ashtu edhe Shqiptare për të realizuar një projekt të tillë. Po kërkojmë që ta kalojmë edhe në formacionet profesionale këtë prani Italiane, gjë të cilën e bëjmë edhe nëpërmjet bursave të studimit që u ofrojmë studenteve shqiptarë, apo lektorëve Italianë në universitet e këtij vendi. Kjo që bëjmë padyshim shkon paralel me atë që bëjnë edhe faktorët e tjerë ndërkombëtare të cilët padyshim që nuk rijnë dhe vështrojnë. Kjo pra është një sfidë për ne që kundrejt asaj që bëjnë të tjerët të bëjmë më të mirën tonë ndaj këtij vendi. Sidoqoftë nuk harrojmë që është dhe Komuniteti Shqiptar në Itali që përbëhet prej 500.000 qytetarësh që kanë miq, familjarë dhe janë faktorë bashkëpunues...

Në fakt Komuniteti Shqiptar në Itali zë shifra rekord në raport me Komunitetet e tjera Jo italiane, për faktin e ndjekjes së studimeve në fakultetet Italiane.....
Po, janë 12.000 studentë shqiptarë në Itali të cilët padyshim midis të tjerash arrijnë rezultate të shkëlqyeshme në pozicionet që marrin dhe të cilët konsiderohen si studentët më të mirë të huaj në Itali dhe kjo në terma absolutë, jo relativ. Ata konkurrojnë edhe studentët Italianë, të cilët natyrisht e bëjnë këtë në gjuhën dhe vendin e tyre dhe kjo jo në kondita të barabarta me Shqiptarët. Dhe duke thënë gjithë këtë, besoj se Italia ka karta të mira për të luajtur këtë “lojë” konkurruese në Shqipëri.

Sidoqoftë, duke folur ne terma gjeopolitik e duke kujtuar që territoret shqiptare janë gjendur gjithmonë midis kulturave dhe interesave të ndryshme, pse jo shumë herë të kundërta gjë që e ka bërë komplekse stereotipin e tyre politik... Duke sjellë në vëmendje që ju personalisht keni Lindur në Etiopi, një ish Koloni Italiane me përbërje shumë etnish, Shqipëria gjithashtu është një ish Koloni Italiane, nëse mund ta themi edhe këtë..., etnikisht e pastër por sidoqoftë kulturat e ndryshme kanë bërë të vetën, po ashtu edhe ajo Turke, vend i cili sot si të gjitha vendet e tjera nuk sjell me ushtri, por ekonomi, kulturë në të njëjtat territore dhe kjo është pranuar zyrtarisht nga autoritet e këtij vendi për të rikthyer interesin natyral të tyre në ish hartën e Perandorisë Otomane. Pra, ju që njihni kompleksitetin e vendit ku keni lindur, atë të shqiptarëve, vështirësitë e politikës për të dialoguar në interes kombëtar dhe në këtë rast edhe Integrimin Evropian... Dëshiroj të di, kjo eksperiencë në këtë vend do jetë e veçantë apo e zakonshme? Ndërsa këtu gjeni një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj prezencës diplomatike si nga shtypi, ashtu opinioni dhe politika, duke përmendur edhe faktin se keni qenë i ngarkuar me punë edhe në Ambasadën Italiane në SHBA...
Sigurisht që eksperienca e të bërit Ambasadorin Italian në Shqipëri është një eksperiencë unike që jep shikueshmëri ndaj të gjitha autoriteteve, ‘çelësave’ të këtij vendi. Po kam qenë shumë me fat dhe sigurisht për ketë falënderoj qeverinë time që ma dha këtë mundësi në këtë vend kaq delikat dhe kaq të rëndësishëm. Përsa i përket fillimit të fjalës tuaj për praninë e fuqishme Turke, unë ndërkohë kam bindjen që Shqipëria, ashtu siç ka qenë gjithmonë drejt Perëndimit, sheh Evropën si qëllim final...

Siç, të paktën formalisht, e bën edhe Turqia...dëshiron prej kohësh të jetë anëtare e Bashkimit Evropian...
Po, por Turqia dëshiron të ushtrojë një rol të një fuqie rajonale e cila midis të tjerash ka qenë e aftë të ofrojë liberalizimin e lëvizjes së lirë në plan dypalësh. Duke tejkaluar kështu disi ato që ishin lëvizjet e Bashkimit Evropian e cila ishte akoma e mbyllur ndërsa Turqia e hapur. ..

Ka individë apo vende evropiane të cilët duan ti ri-mbyllin kufijtë e Evropës...
Kjo do ishte sigurisht një gabim. Ndërkohë Italia ka mbështetur gjithmonë afrimin e Turqisë me Evropën dhe ka qenë gjithmonë e opinionit që është në mënyrë absolute në interesin Evropian që një vend i rëndësishëm në rajon si Turqia të shikonte më shumë në Perëndim dhe të ishte plotësisht e integruar në Evropë, se të ushtronte një rol autonom. Sigurisht që Turqia në sajë të forcës së saj ekonomike dhe të shoqërisë së saj dinamike mund sigurisht të ushtrojë një rol të rëndësishëm që mbështetet sigurisht tek forca e saj kulturore dhe kapacitet e asaj shoqërie të aftë që të influencojë në zhvillime. Italia nuk ka patur kurrë dyshime mbi këto gjëra dhe natyrisht nëse instinkti i Italisë ndaj saj do të ishte konsideruar nga e gjithë Evropa natyrisht që sot do ishte ndryshe...

Ju zoti Ambasador personalisht jeni në favor të integrimit të Turqisë në Evropë?
E konsideroj në terma absolutë një faktor stabiliteti në rajon. Të kesh Turqinë brenda, do të bënte që vetë Evropa të ushtronte një rol stabilizues më të madh në kufijtë e atij rajoni i cili shquhet për destabilitet më të madh. Unë personalisht kam ndjekur nga afër të gjitha zgjerimet e Evropës me vendet e tjera të cilat kanë sigurisht një çmim. Kjo sepse sa më shumë të zgjerohesh dhe familja bëhet më e madhe sigurisht që rregullat duhet të adoptohen. Nuk është e njëjta gjë sikur ishim në 6 vende, kur u bëmë 9 vende, pastaj 12 më vonë 15 dhe tani 28 vende... Po, Turqia është sigurisht një vend i madh, ka një popullsi të madhe, por mendoj që kjo nuk duhet të na bëj të kemi frikë nga këto sfida. Në fund, hapja është gjithmonë e pagueshme për Evropën. Mund të kujtomë që kishte individë që trembeshin që futja në Evropë e 10 vendeve në 2004 do kishte sjellë kush e di sa shqetësime. Asgjë nuk ndodhi nga këto gjëra, frikëra. Përkundrazi, këto vende duke e bërë anëtarë të BE-së, jo vetëm që u bënë vende të stabilizuara, gjë që nuk mund të eskludohet nëse nuk do të ishin brenda BE-së, kanë qenë edhe faktorë zhvillimi dhe janë vende që njohin ritme të rritjes ekonomike dhe stabilitetit politik. Këto vende tashmë janë faktorë pozitivë të rritjes evropiane.

Z. Ambasador duke ju kthyer Tiranës dhe duke sjellë në vëmendjen tuaj që në një intervistë të fundit me Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Sh.T. Ettore Sequi, tha për dëgjuesit e Radio Radicale, por edhe për lexuesit e shumte të shtypit shqiptarë që e botuan të plotë atë intervistë, që integrimi Evropian i Shqipërisë është një aktor unifikues për politikën Shqiptare, gjë që ja kishte konfirmuar edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu duke i thënë se qeveria e tij e mbështeste integrimin e Shqipërisë në mënyrë të vendosur edhe për këtë arsye. Por përsëri realiteti nuk rezulton aq pozitiv...Ç’mund të na thoni për këtë si përfaqësues i Vendit Avokat të Shqipërisë në këtë rrugë politike? Raporti i fundit nga Brukseli thotë që Shqipëria nuk do të ftohet të jetë Vend Kandidat...
Po, duke mos u realizuar ai komponent që është kërkuar nga Brukseli për 10 tetorin, nuk mund të mendohet për zhvillime plotësisht pozitive. Zhvillimi sipas meje do të jetë sidoqoftë pozitiv. Unë u drejtoj edhe njëherë një apel të gjitha forcave politike të vendosin mënjanë interesat partiake dhe të proçedojnë të gjithë drejt rrugës së integrimit. Kjo edhe sepse reformat, ndryshimet që Evropa kërkon në mënyrë objektive në favor të Shqipërisë, në favor të popullit të saj. Unë besoj që popullata e ka thënë qartë që është në favor të këtij zhvillimi evropian dhe besoj se kjo popullsi do të shtyjë më shumë klasën politike për arritjen e këtij objektivi. Përsëris akoma që flitet për një rrugë të gjatë dhe nuk duhet të trishtohemi dhe të mendohet që nuk po proçedohet më shpejtësinë që do na pëlqente. Është e qartë që nëse Shqipëria nuk ka rritur rezultat e pritura nga shumica e popullatës kjo është përgjegjësi e saj duke mos bërë gjërat që ju kërkuan. Por vazhdoj të ngulmoj që është rrugë në interes të të gjithëve, si forcave politike ashtu edhe shoqërisë shqiptare...

Po zoti ambasador kjo do të çertifikohet mesa duket vetëm pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Ju keni tashmë një eksperiencë të caktuar edhe në Shqipëri. Sipas jush, klasa politike shqiptare do e vlerësojë si duhet rendësin e Bashkimit Evropian kundrejt rastit të zgjedhjeve? Domethënë, a besoni ju që ne në Shqipëri do të kemi standarde zgjedhjesh: ku Humbësi do pranojë rezultatet dhe do ti urojë fituesit punë të mbarë duke u përgatitur për opozitë të fortë?
Uroj që absolutisht që po! Çfarë dëshironi që tu them!? Uroj që po dhe jam i bindur që po punohet në këtë drejtim dhe që rregullat e lojës demokratike të respektohen plotësisht nga ana e Shqipërisë...

Ju falënderoj i nderuar Ambasador.
Faleminderit ju.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)