Nacionalizmi i vonuar dhe retorika e asgjësë

Nacionalizmi i vonuar dhe retorika e asgjësë

Vucic gjate vizites ne Kosove

Po të vëresh se çfarë ndodh në Shqipëri e në Kosovë, e kupton shumë shpejt se hapësira e shqiptarëve është vendi që prodhon më së shumti retorikë për asgjë dhe paradokse pa fund.

Të duket sikur jeton në një vend ku nuk qeverisin institucionet, por këngët e majekrahit, rapsodët dhe lahutarët.

Ngjarja më spektakolare dhe, natyrisht, më e rëndësishmja është vizita e presidentit serb Vuçiç në Kosovë.

Paradoksi më i madh është se kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, qëndroi në burg në Francë sipas një mandati arresti të lëshuar nga qeveria që drejtonte presidenti i sotëm Vuçiç.

Sipas këtij mandat arresti, kryeministri i sotëm i Kosovës ishte shpallur prej serbëve si i dyshuar për krime kundër serbëve.

Ndërkaq, paradoksi tragjik është fakti tjetër që Vuçiç, në atë kohë, për të cilën akuzohet Haradinaj, ishte zëdhënësi i Milosheviçit, funksionar i lartë i Partisë radikale serbe dhe, në mos ligjërisht, të paktën moralisht, është i dënuar dhe i akuzuar për krimet monstruoze të serbëve  jo vetëm mbi shqiptarët e Kosovës, por edhe mbi boshnjakët dhe etnitë e tjera që u bënë shënjestër e luftës shfarosëse të serbëve në republikat e ish-Jugosllavisë.

Haradinaj dhe luftëtarë të tjerë të ushtrisë së dikurshme të Kosovës, jo vetëm që nuk mund të shkelin në Serbi, apo në krahinat shqiptare të Preshevës e më gjerë, por, ata, për administratën e Vuçiçit, janë kriminelë lufte dhe me mandat arresti.

Personalisht mendoj që bisedimi dhe ulja në tryezë mes serbëve e shqiptarëve është zgjidhja më e mirë dhe dënimi i merituar. Shqiptarët e serbët janë të dënuar me dialog. Por, për këtë fazë, për fat të keq, ne, shqiptarët, jemi të pa përgatitur, jemi amatorë, folklorikë, idiotë dhe arrogantë.

Hashim Thaçi është përgjegjësi kryesor për këtë gjendje të krijuar. Jo pse ai ka pranuar dialogun si mjet për të zgjidhur ngërçin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë, por sepse ai i ka injoruar të gjitha institucionet brenda vendit të tij dhe e ka marrë i vetëm flamurin e babait të kombit, duke ndërmarrë veprime që na nxjerrin të gjithëve ne, shqiptarëve, mediokër, folklorikë dhe të paaftë për të fituar betejat në tavolinë.

Thaçi duhet ta kishte vënë si kusht të pakthyeshëm që platformën për çështjet e mbetura pezull dhe negociatat për bisedime me Serbinë, t’ia kishte deleguar qysh në fillim një komision të posaçëm të gjithëpranuar nga Kuvendi i Kosovës dhe nga aktorët e hapësirës mbarëshqiptare.

Sot është e papranueshme që çështjet nevralgjike, ato që kanë ushqyer historinë tragjike të shqiptarëve, të zgjidhen me metoda konspirative, duke përhapur opinione se kështu apo ashtu mendon Amerika, se kështu ka vendosur Trump apo idotësira të tjera.

Miqtë të duan edhe kur ti je i zoti të thuash « JO ». Në asnjë rast nuk të përfillin kur ti sillesh si bashkëbisedues i dorës së dytë dhe jo i barabartë me partnerin. Kushtet në këtë marrëveshje historike duhet t’i vendosin shqiptarët dhe jo serbët.

Por, ato kushte vendosen kur në bisedë ulen shqiptarë të mençur, vizionarë që janë përgatitur qysh më parë se çfarë do të lëshojnë dhe çfarë do të arrijnë. Këto marrëveshje historike i përgatisin më parë eskpertët, profesionistët dhe diplomatët, pastaj vendosin politikanët. Nuk e kuptoj ngutin e Hashimit për të marrë rolin e aktorit protagonist apo të yllit mediatik, pa ngritur më parë institucionet e tryezës. Serbët kanë shekuj që kanë përdorur ndaj shqiptarëve jo vetëm gjuhën e urrejtjes, por edhe plumbat, shfarosjen në masë.

Gjithë kjo tragjedi nuk mund të kthehet brenda një natë në një dashuri banale dhe, dashnorët e pajtimit dhe të dialogut, apo të lëshimeve territoriale, duhet ta dinë se në mes janë edhe ndjeshmëritë e ngritura si mure për shkak vetëm dhe vetëm për shkak të racizmit, shovinizmit dhe krimit serb. Kështu që nata e dashurisë nuk kishte pse të vinte kaq shpejt dhe në mënyrë qesharake.

Është e vërtetë se gjermanët dhe francezët e kanë ndarë kufirin e tyre me miliona jetë të humbura dhe me shumë gjak dhe sot ai kufi nuk ekziston, por këto vende kanë prodhuar shumë sukses, shumë mirëqënie dhe, pa mohuar në asnjë rast të shkuarën e tyre, i kanë pranuar përgjegjësitë, fajet dhe krimet dhe, në emër të së ardhmes, janë angazhuar që ato krime të mos përsëriten kurrë.

Si mund të besojnë shqiptarët se HashimThaçi me takime konspirative dhe me ide të paqarta, ka marrë përsipër të përmbyë marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët dhe, në vend të lumenjve të gjakut, të ndërtojë liqenet e dashurisë ?!

Vizita e sotme e Vuçiçit ishte e nxituar, provikative dhe nuk i shërben aspak zgjidhjes së ngërçit mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbët nuk e gëllitëtn dot deklaratën e Ramës në Beograd për Kosovën dhe po ky Vuçiç që sot bën dashuri me Thaçin, e quajti provokim atë deklaratë.

E harruat se çfarë ndodhi në stadiumin e Beogradit me futbollistët e kombëtares shqiptare ? Sot në Beograd arrestohen shqiptarë të Kosovës, mjekë apo civilë të tjerë edhe me pushtet, vetëm se Serbia ka ende statusin e shtetit që Kosovën e quan pjesë të saj dhe ata që u ngritën në luftë për t’u shkëputur nga kjo zgjedhë, të mëbshtetur edhe nga aleanca më e madhe perëndimore, i quan kriminelë.

Me këtë status hyn Hashim Thaçi në bisedime me serbët ? Ndaj kosovarët kanë të drejtë që e presin me urrejtje dhe me protesta Vuçiçin në Kosovë. Vizita e tij është provokuese, cinike, e shpëlarë dhe pa asnjë mesazh.

Në vend të epilogut

Kjo shfaqje karnevaleske e shtetarëve të Kosovës u përmbyll me nja paraqitje tjetër të shëmtuar. E kam çmuar Albin Kurtin si politikan, madje, në një bisedë edhe me poetin e studiusein e dalluar, mikun tim, prof. Agim Vinca, e kam sqaruar se e vlerësoj atë si politikan me të ardhme.

Mirëpo, gjesti i djeshëm për të faktorizuar njeriun dhe politikanin me të pavlerë dhe armikun e çështjes shqiptare, Sali Berishën, është një veprim i dëshpëruar që bën Albin Kurtin njësoj si kolegët e tij mediokër të Kosovës.

Ndërkaq, u  lehtësova kur Albini nuk takoi edhe Bujar Nishanin si ish-president për ta solidarizuar me nismën e tij, dhe thashë se, të paktën, na e kurseu shfaqjen komike të vizitës së tij. E paska marrë vesh, thashë me vete, që Bujari tani komenton sjelljet e Panuçit si trajner dhe nuk ka kohë për politikë të madhe. Marre nga TEMA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Gjykata më e lartë e Francës konfirmon dënimin për korrupsion ndaj ish-presidentit Sarkozy

Gjykata më e lartë e Francës konfirmon dënimin për korrupsion ndaj ish-presidentit Sarkozy