Një javë pas ngritjes së tij, Bordi i Transparencës do të mblidhet sot për herë të parë dhe do të dalë me një vendim lidhur me çmimin e naftës, e cila luhatet prej një jave në 214-217 lekë/litri. Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, i cili dha lajmin pas mbledhjes së qeverisë, tha se Bordi po vlerëson lëvizjet e çmimeve dhe luhatjet në bursë.

“Bordi sot do të mblidhet, është duke marrë gjithë informacionin sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe mbi të gjitha ndryshimeve që ka çmimi i bursës. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot”, tha ministri.

Sa për ndikimin në rritjen e çmimeve të produkteve të shportës, ai nuk mundi të shprehej, por nënvizoi se prioritet është garantimi i transparencës dhe marrja e masave për të lehtësuar barrën e qytetarëve.

“Nuk mund të flas në detaje, rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që ajo sjell në produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar. Të garantojmë transparencën duke filluar me produktet bazë dhe ato si nafta që të mos ketë spekulim në treg. Qeveria është e gatshme të marrë masat e duhura kur ne gjykojmë që barra për qytetarët është jo e vogël dhe do të marrim masat e duhura nëpërmjet Bordit ose institucioneve të tjera”, tha Demo.

Qeveria pritet të caktojë sot anëtarët e Bordit të Transparencës, strukturë e ngritur prej 19 marsit, kur çmimi i naftës kërceu në 217 lekë për litër. Prej një javë tashmë, duket se në vend është fiksuar çmimi 214 lekë për litër, duke bërë që shqiptarët t’u drejtohen vendeve fqinje për furnizim.

Një tjetër shqetësim madhor vjen nga fermerët të cilët thonë se me kostot e rritura, nga nafta dhe plehrat kimikë, janë të detyruar t’i lënë tokat djerrë. 

Lajm në përditësim...