Nafta po fillon përsëri të rrjedhë nga Gjiri Persik përmes Ngushtica e Hormuzit. Por bëhet fjalë vetëm për naftën e Iranit, sipas kushteve të Iranit dhe për një klient të vetëm përfundimtar: Kinën. Kompania Kpler, që monitoron tregtinë ndërkombëtare të energjisë, ka regjistruar ditët e fundit një rritje të dukshme të eksporteve të naftës bruto nga kjo zonë e përfshirë aktualisht nga konflikti. Të dhënat u raportuan për herë të parë nga The Wall Street Journal.
Regjimi i Teheranit po rihap kështu këtë krah detar strategjik, nga ku para luftës së tretë të Gjirit kalonte rreth një e pesta e naftës dhe e gazit natyror të lëngshëm të botës, një e treta e plehrave kimike dhe pjesë të rëndësishme të aluminit (15%) dhe heliumit (30%), i cili përdoret shumë në prodhimin e gjysmëpërçuesve. Por ai po e hap vetëm për veten. Dhe vetëm në favor të Kinës, e cila prapa skenave po ofron mbështetje teknologjike dhe logjistike për rezistencën dhe kundërofensivën ushtarake të Iranit kundër vendeve të tjera të Gjirit.
Eksportet iraniane, sipas vlerësimeve të Kpler, kanë arritur rreth 2.1 milionë fuçi në ditë, pak më shumë se para fillimit të luftimeve. Me fjalë të tjera, edhe pse është goditur rëndë, regjimi iranian po fillon të shohë se strategjia e tij po funksionon. Ai synon të shkaktojë dëmin maksimal ekonomik ndaj vendeve të Gjirit, Shteteve të Bashkuara dhe sistemit ndërkombëtar përmes bllokimit të Ngushticës së Hormuzit. Në të njëjtën kohë, të paktën për momentin, arrin të ruajë edhe një qëndrueshmëri relative financiare për veten.
Sulmi i vendosur nga Donald Trump rrezikon kështu të rezultojë një gabim historik në llogaritje. Presidenti amerikan mund t’i ketë ndihmuar pa dashje regjimit iranian të kuptojë se ka në dorë dhe mund të përdorë me sukses një armë shumë të fuqishme presioni ekonomik dhe strategjik ndaj sistemit ndërkombëtar. Dhe mund ta bëjë këtë duke mbrojtur njëkohësisht edhe mbështetësin e tij historik, Pekinin.
Në këtë pikë, Trump mund të përpiqet të gjejë argumente për të shpallur një fitore dhe për të pezulluar bombardimet. Por precedenti mbetet: Irani e di se mund të përpiqet të diktojë kushtet për të gjithë Lindjen e Mesme duke kërcënuar me pengesa të reja në trafikun përmes Ngushticës së Hormuzit.
Nëse kjo do të konfirmohej edhe pas një ndalimi të mundshëm të luftimeve, atëherë do të ishte një sukses relativ për regjimin e Teheranit dhe për sponsorët e tij kinezë në prapaskenë: të vetmit që mund të ndërmjetësojnë konfliktin duke zbutur veprimet armiqësore të Iranit dhe duke ofruar garanci për vendet e tjera të Gjirit. Përveç rastit, sigurisht, nëse Trump vendos të përpiqet ta përmbysë këtë ekuilibër të brishtë me një mision të rrezikshëm ushtarak në det ose në tokë për të garantuar hapjen e qëndrueshme të Ngushticës së Hormuzit./ Corriere della Sera
Komente






