Njëri nga naftëtarët në takimin virtual i ka pyetur dhe i ka kërkuar Ramës, "nëse do ta mbajë apo jo premtimet kësaj radhe?". Në videokonferencë me kryeministrin Rama ishin edhe Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri si dhe ai i Financave Arben Ahmetaj. Kreu i qeverisë duke cekur thelbin e problemit të ARMO-s, vështirësitë financiare të kompanisë, tha se privatizimi ka qenë akt kriminal.
“Ne kemi marrë një të vdekur që duhej ringjallur. Pronari i ARMOS nuk është shtetit. Në duam të bëjmë çmos që të nxisim investitorët e mundshme për ta ringritur”, u shpreh Rama. Ndër të tjera Rama tha se ajo rafineri është dizajnuar për naftën, qysh në gjenezë është projektuar për të shfrytëzuar atë burim.
Debati
Nga ky komunikim në distancë, naftëtarët paralajmëruan se nëse kushtet e tyre nuk plotësohen për pagat e prapambetura, statusin e naftëtarit dhe rifllimin e punimeve në rafineri, do udhëtojnë sërish në këmbë drejt Tiranës. Por Rama kërkoi nga naftëtarët që të mos udhëtojnë më në drejtim të kryeqytetit, pasi sipas tij nuk kanë arsye. “Se vini ju në këmbë, nuk është problemi im. Se për ça vini kot njëherë në këmbë? Ne këtu në Tiranë jemi, mund të takohemi”.
Një nga naftëtarët iu përgjigj: “Kemi muaj pa bukë ore. Jemi pa punë dhe pa bukë, prandaj e marrim rrugën në këmbë.” Çka ka shkaktuar reagimin e kryeministrit me një batute. “Të lutem, ka rregulla, mos më bëj Flamur Nokën këtu tani, se krijohet problem pastaj…shaka, shaka… Ju falënderoj, shumë shpejt do të kontaktojmë prapë, ndërkohë që keni kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Energjisë,” u tha kryeministri Rama naftëtarëve.
Gjiknuri: Çështja e statusit do marrë zgjidhje
Naftëtarët i kanë paraqitur kërkesat e tyre, ndërkohë që ministri Gjiknuri i ka premtuar se “Do të jenë grupi i parë që do të trajtohet me shpejtësi”. "Përsa i përket statusit të naftëtarit, ju duhet të bëni gati sa më shpejt dokumentet përkatëse dhe ne do tju trajtojmë me përparësi", u shpreh Gjiknuri.
Ahmetaj: Asnjë investim te ARMO pas privatizimit
Gjatë takimit me naftëtarët, Ahmetaj, kanë thënë se asnjë investim nuk është bërë në kompaninë në fjalë, gjatë kohës që u privatizua. Ahmetaj ka shpjeguar se kjo situatë falimentimi ka ardhur si pasojë borxheve ndaj bankave dhe punonjësve. “Nuk po ua them për të justifikuar atë çfarë ka ndodhur por për të treguar fillimin e kësaj çështjeje. Ne kemi marrë masat ligjore se nuk kemi qenë dakort më atë shpërbërje të asetit për shkak të trashëgimisë.
Kur ne u interesuam pjesën më të madhe të asetit e kishte sekuestruar banka , ata e kishin marrë që në fillim kur Rezart Taçi kishte marrë borxh 100 milion lekë. Aty nuk është investuar asnjë lekë gjatë kohës që u privatizua. Ne do të ndjekim ligjërisht këtë rast duke filluar që nga asetet, borxhet dhe detyrimet e tjera”, ka thënë Ahmetaj ndërsa ka proozuar ngritje e një grupi punë për të proceduar në lidhje me statusin e naftëtarit.
Naftëtarët të pakënaqur: Pretimet s'janë të besueshme
Pas videokonferencës me kryeministrin Edi Rama zhvilluar në prefekturën e Fierit, naftëtarët kanë dalë të pakënaqur. Nga ana e tyre naftëtarët kanë thënë se nuk janë të besueshme premtimet e kryeministrit. Nga ana tjetër, krerët sindikatës kanë thënë se së shpejti kryeministri vjen në Ballsh dhe pritet që Uzina të rifillojë punë.
Naftëtarët protesta në Tiranë
Naftëtarët e rafinerisë së naftës ARMO janë ndarë në dy grupe. Disa prej naftëtarëve kanë qëndruar në Fier ku edhe zhvilluan nga ambientet e Prefekturës një videokonferencë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat Ahmetaj e Gjiknuri, grupi tjetër ka mbërritur në Tiranë për të kërkuar takim me ministrin e Energjetikës, ku ata kanë protestuar përpara Kryeministrisë.
Përgjigjet e marra nga kryeministri dhe ministrat gjatë videokonferencës për shqetësimet e tyre lidhur me pagat e prapambetura prej 16 muajsh, statusin e naftëtarit dhe rinisjen e punës në rafineri, kanë qenë të pamjaftueshme për naftëtarët. Ata kanë paralajmëruar se do përshkallëzojnë protestat.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com