Namir Lapardhaja: Parlamenti i turpit!

Nga seanca e sotme plenare në Kuvend

Prej kohësh, Parlamenti i Shqipërisë është shndërruar në një sallë teatrale ku nuk performojnë idetë, por marrëzitë, ku nuk diskutohen propozime, por thashethemnaja dhe aludime, ku nuk mbrohet interesi i qytetarit, por i kryetarit, ku të gjithë zihen dhe çirren me sytë në po i ndjek shefi dhe jo në po i dëgjojnë njerëzit.

Parlamenti, atje ku do duhej ‘me folë’, është kthyer nga një sallë ligjvënësish në një s(t)allë ulëritësish dhe fyesish të pamoralshëm, duke i ngjarë një spitali psikiatrik ku shëndeti mendor i pacientëve ndryshon nga momenti në moment, nga ekstremi në ekstrem, nga e qeshura tek e qara, nga normalja tek anormalja, nga e natyrshmja tek e panatyrshmja, nga e puthura dhe e përqafuara te konfrontimi dhe përplasja e pakuptimtë.

Palët, ato që do duhet të ishin aty për interesin publik dhe të qytetarëve, në fakt, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se tallen dhe i poshtërojnë votuesit në mënyra të ndryshme.

Për shembull, kjo që quhet sot mazhorancë, që ka pushtetin dhe shumicën e votave, pasi kanë shkaktuar trauma të jashtëzakonshme, që u kanë kushtuar edhe jetën njerëzve të pamundur për t’i paguar, burgime dhe vuajtje të tjerëve, me një të rënë të lapsit, kujtohet sot, 6 muaj përpara zgjedhjeve për t’i falur të gjitha gjobat e ndërtimeve pa leje, duke mos bërë një bilanc të asaj që ka ndodhur në 11 vite si pasojë e kësaj gjëje.  

Nga ana tjetër, kjo që në këtë Parlament quhet opozitë dhe është njohur nga pushteti si e tillë, pasi ka humbur besueshmërinë në gjithçka që thotë dhe artikulon si pasojë e pështymës së shumtë që kanë lëshuar në drejtim të njëri-tjetrit dhe pastaj ‘detyrimit’ për ta lëpirë me llapë gjithçka që goja ka llapur, apo për të thënë të nesërmen se ato që u thanë dje s’kanë kurrfarë vlere, sepse janë deklarata politike dhe jo të vërteta, jo vetëm është e pabesueshme në gjithçka që artikulon, por është edhe e pamoralshme dhe e pandershme ku merr kauza që nuk i përkasin dhe luan me ndjenjat dhe fatkeqësitë e familjeve të varfëra shqiptare.

Kjo është situata ku ka ardhur Parlamenti i Shqipërisë, pjesëtarët e të cilit nuk kanë lënë vend pa treguar se sa pa dinjitet dhe se sa të painteresuar për hallet dhe problematikat reale të qytetarëve janë, ndërkohë që e gjithë përpjkeja e tyre është vetëm në funksion të zënies së një vendi në listën e ardhshme. 

Është kaq pak dhe kaq pa interes në sytë e njerëzve, por kaq shumë dhe kaq e rëndësishme për ata vetë.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: 2025 do jetë viti i koalicionit PD-PS kundër SPAK, ata nuk do e zgjasin mandatin e prokurorëve

Spahiu: 2025 do jetë viti i koalicionit PD-PS kundër SPAK, ata nuk do e zgjasin mandatin e prokurorëve