Ish-drejtori i Burgut të Durrësit, Indrit Cërloj është arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit. Me vendim të Gjykatës së Durrësit është caktuar edhe masa arrest në shtëpi për shefen e Shërbimit Shëndetësor në burg, Ylfete Sema. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre. Të dhëna të reja të zbuluara nga Report TV, për arratisjen e ushtarit të Çopjave 3 ditë më parë nga spitali i Durrësit, shtojnë pikëpyetjet rreth ngjarjes, dhe rolit të autoriteteve të burgut, ku mbahej Altin Ndoci. Deklarata e Drejtorisë së Burgjeve, sipas së cilës Ndoci kishte marrë mjekim dhe ishte në pritje të një rikontrolli nga kirurgu, bie ndesh me realitetin e fakteve. Informacionet e siguruara nga Report TV, dëshmojnë se mjeku që duhet ta vizitonte nuk ka shkuar për asnjë moment në dhomën e repartit Infektiv, ku ishte dërguar Ndoci, dhe se nuk ka zhvilluar konsultë me të.
***
Kur policët e burgjeve e sollën Altin Ndocin me ambulancë në spitalin e Durrësit pa pranga dhe në rrethana të dyshimta, të cilat po hetohen nga prokuroria, mjeku kirurg që do e priste për konsultë gjatë të njëjtës ditë, ishte në sallë të operacionit me tjetër pacient, qytetar i thjeshtë, jo i burgosur. Dhe jo vetëm kaq. Ka dyshime të forta se kirurgu as nuk kishte dijeni se 38-vjeçari kishte mbërritur ndërkohë në spital, i shoqëruar nga policia e burgjeve prej orës 10:10 të mëngjesit të 13 janarit. Deri në orën 13:05 kur Altin Ndoci mendohet se u arratis me vrap nga spitali pasi dhunoi 2 policët që e shoqëronin, burime konfidenciale thonë se kirurgu i spitalit të Durrësit i cili do të bënte konsultën me pacientin e burgosur, nuk arriti as ta shohë Ndocin, dhe aq më pak ta vizitojë.
Këto informacione të cilat Report Tv i mëson përmes burimeve të brendshme nga spitali i Durrësit, hedhin hije dyshimi mbi versionin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, se i 38-vjeçari i arratisur ka bërë vizitë mjekësore e madje ka marrë edhe trajtim mjekësor.
“I paraburgosuri është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset”, thuhej në reagimin e parë dhe të vetëm deri më tani të Drejtorisë së Burgjeve më 14 janar, 24 orë pas arratisjes.
Në rregullat profesionalë të bluzave të bardha, askush nuk mund të japë një ilaç apo qoftë edhe një serum, pa urdhrin e mjekut. Urdhër i cili – siç burimet konfidenciale pohojnë - nuk është dhënë, në kushtet kur mjeku ka qenë në operacion me tjetër pacient.
Por si u shoqërua nga burgu në spital, Altin Ndoci, dhe përse mjeku nuk e priti?
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve citon se pas vizitës të pretenduar sipas tyre, kirurgu rekomandoi që Ndoci të qëndronte edhe 2 orë në spital, për një rikontroll. Por këto 2 orë siç Report Tv mëson, kanë qenë kërkesë e mjekut të spitalit, si kohë që 38-vjeçari duhej të priste në burg, derisa gjithçka të behej gati, si nga ana e burgut të Durrësit për të hartuar planin e sigurisë për lëvizjen e tij me policët e shoqërimit, ashtu edhe për vetë spitalin. Pra mjekut pritës I duhej kohë për të përfunduar operacionin dhe për të koordinuar oraret e konsultave.
Burime të brendshme konfidenciale nga spitali, thonë për Report Tv, se doktoresha e burgut Ylfete Sema, e para që ka rënë në kontakt me Altin Ndocin më 13 janar në IEVP-në e Durrësit, rekomandoi se i paraburgosuri kishte nevojë për një konsultë në spital. Mjeku kirurg, i cili do të kryente vizitën në spital – thonë burimet – i është përgjigjur këtij rekomandimi – duke i kërkuar që ta bëjnë gati për 2-3 orë dhe në momentin që nisen të njoftojnë në mënyrë që edhe spitali të marrë masat përgatitore.
Nuk dihet nëse kjo letër rekomanduese e doktorit të spitalit, ka mbërritur në duart e mjekes në burg, por urgjenca, më shumë ajo për të realizuar planin e arratisë, sesa urgjenca mbi gjendjen shëndetësore të Altin Ndocit, bëri që kryeinfermieri i burgut, në rrethana të dyshimta, të firmosë brenda pak orësh nga rekomandimi, daljen nga burgu për në spital të 38-vjeçarit. Pikërisht ky nxitim e ka çuar në pranga kryeinfermierin Aulon Cuko.
Të njëjtat burime të brendshme sqarojnë për Report Tv, se dhoma me derë dhe dritare me kafaze hekuri në katin e tretë të godinës së Infektivit brenda spitalit të Durrësit, nuk është një ambient për konsulta, por në të vërtetë është një dhomë për shtrime. Edhe këtu ngrihen pikëpyetje të mëdha. Jo vetëm përse i paraburgosuri u transferua me shpejtësi me ambulancën e burgut për në spital pa pasur gati mjekun për vizitë, por ndër të tjera, edhe përse u shoqërua në dhomën e shtrimeve dhe jo të konsultave.
Ndryshe, nëse rasti do të ishte urgjencë, burimet thonë se i paraburgosuri duhej të ishte shoqëruar në sallën e Urgjencës, dhe jo te Godina e Infektivit.
Pikërisht nga kjo dhomë ku nuk duhej të ishte dhe ku dyshohet të ketë qëndruar 3 orë pa pasur asnjë kontakt me bluzat e bardha, dhe vetëm me 2 policë të burgjeve te dera, Altin Ndoci realizoi arratinë. Drejtoria e Burgjeve tha në njoftimin zyrtar të 14 janarit, se i paraburgosuri shfrytëzoi një moment kur i kërkoi policëve të burgjeve të shkojë në tualet, për t’i dhunuar ata dhe për tu larguar me vrap drejt makinës Audi A7 që e priste jashtë spitalit. Deri sot, pa asnjë gjurmë të tij.
Për shoqërimin e tij më 13 janar, burgu i Durrësit nuk njoftoi as Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, as komisariatin e policisë, përgjegjësi që gjendet tek Violeta Uka, punonjëse e policisë së burgjeve, tashmë e arrestuar, e cila duhej të kishte telefonuar sallat operative.
10 të arrestuar ka prodhuar deri më tani skandali i arratisë, 5 policët e grupit të shoqërimit që e nxorën nga ambulanca e burgut pa pranga, si një qytetar të lirë, edhe pse akuzohet nga SPAK për vrasje e grup kriminal, ish-drejtori i Burgut të Durrësit Indrit Cerloj, mjekja e burgut Ylfete Sema, kryeinfermieri dhe policja që duhej të njoftonte për lëvizjen nga burgu në spital. Arrestimi i ish-drejtorit të Burgut dhe mjekes është bërë sot me vendim të Gjykatës së Durrësit, ndërsa ndaj mjekes është caktuar masa arrest shtëpie, të dy të akuzuar për shpërdorim detyre. 10 të arrestuait pritet të dalin para Gjykatës së Durrësit për vlerësimin e masave të sigurisë.
Me firmë të ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari, u shkarkua zinxhiri komandues i burgut të Durrësit, përfshirë drejtorin e policisë së burgjeve, Afrim Zeqiraj edhe pse ishte me leje. I vetmi që mungonte në njoftimin për pezullime Drejtorisë së Burgjeve, është nëndrejtori i burgut të Durrësit, Julian Agasi. Aktualisht në drejtimin e burgut të Durrësit është komanduar Edmond Llabani.
Më herët Report Tv ka raportuar sërish përmes burimeve konfidenciale, se në ambulancën që shoqëroi Altin Ndocin drejt spitalit, ishte edhe një tjetër i paraburgosur, për vepra të lehta penale, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur. 3 nga 5 policët e grupit të shoqërimit, e rikthyen me ambulancë në qeli. 2 efektivë të tjerë qëndruan me Ndocin. Pra në momentin e arratisë, 38-vjeçari ka luftuar dhe i ka ikur nga duart, vetëm 2 policëve. Sipas procedurave për shoqërimin duhet të jenë minimalisht 3 policë, njëri i lidhur me pranga dorë më dorë me të burgosurin. Por në këtë rast, ka pasur 5 policë për 2.
Komente












Është një krim i organizuar kriminel,burg,spital....krimi ka miljona.... Drejtoria e burgjeve është e dështuar tërësisht nga qendra në bazë.... Nuk e di drejtori i përgjithshëm i burgjeve çfar bën akoma nuk ka dhënë dorëheqjen.
Përgjigju