TIRANE – Kandidati i vetëshpallur për president të republikës, Fatos Nano, u bëri thirrje sot liderëve kryesorë të politikës shqiptare që të mbashkohen në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, “për të ndërtuar proçese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen prokute demokratike, të lira, properëndimore, proeuroatlantike”.

Në një komunikaë për shtyp të publikuar ditën e sotme, Nano ka lënë mënjanë tonet kërcënuese e sfiduese të disa ditëve më parë dhe ka marrë pozitat e një presidenti mbi palët, duke ftuar politikën shqiptare në dialog pasi “ne shqiptarët, ne klasa politike shqiptare, kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje e të bëjmë zgjedhje të mira”, si dhe për t’i treguar Europës se “e meritojmë të bëhemi një vend i denjë anëtar i Bashkimit Europian”.

Për të përmbushur kriteret e nevojshme të integrimit europian dhe reformat që i nevojiten vendit “Shqipërisë nuk i duhet një president i dobët, i trysnueshëm, i joshshëm nga pushtetet dhe loja politike e palëve, apo josipërmarrës dhe mostrazues i ujërave. Shqipërisë – sipas Nanos – i duhet një president dalëzots” dhe për këtë ai vazhdon t’i ofrohet vendit.

Në vijim deklarata e plotë e Lëvizjes Nano President:

Fatos Nano po ndjek me vëmendje situatën dhe zhvillimet e ditës në vend. Ndërsa vazhdon takimet intensive me aktorë e faktorë kuvendorë, politikë nga i gjithë spektri, partnerë euroatlantikë, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë, etj, ai inkurajon drejtuesit e lartë politikë, Kryetarët e Partive Politike të përfaqësuara në Kuvend që të mos humbasin asnjë çast, asnjë rast, asnjë ditë më tepër duke u përkushtuar plot mirëbesim për t’u dhënë zgjidhje e zgjedhje shqiptarëve dhe për të përmbushur të gjitha kriteret dhe detyrimet që ka vendi ynë përpara BE, në mënyrë që të meritojmë marrjen e Statusit Kandidat në BE. Dialogu, komunikimi, mirëbesimi, bashkërendimi dhe bashkëpunimi janë domosdoshmëri demokratike dhe përgjegjësi e detyrim i lartë përpara qytetarëve.
Fatos Nano inkurajon Kryetarët e Partive që të bëjnë të gjitha përpjekjet që të mbërrijnë me pjekuri në marrëveshje parimore, transparente, Shqipëridashëse, shqiptarëdashëse dhe në favor të përparimit të axhendës së Integrimit Europian të vendit tonë, para ardhjes në Shqipëri të Stefano Saninos, i dërguari i Komisionerit Stefan Fule. Ne shqiptarët, ne klasa politike shqiptare kërkohet të dëshmohemi të aftë për të prodhuar zgjidhje e të bëjmë zgjedhje të mira dhe se e meritojmë të bëhemi një vend i denjë anëtar i Bashkimit Europian.
Fatos Nano inkurajon të gjithë liderët politikë në vend që të bëhen së bashku në një Aleancë të Madhe Mirëbesimi, për të ndërtuar proçese të mirëbesuara e mirëkuptuara në mënyrë që të sigurohen produkte demokratike, të lira, properëndimore, proeuroatlantike.
Shqipëria është vend Anëtar i NATO-s dhe kërkohet nga klasa politike që të sillet si një klasë politike e një vendi Anëtar i NATO-s. Shqipëria synon të bëhet Anëtare e BE dhe kërkohet nga klasa politike që të sillet si një klasë politike që e meriton statusin e një vendi Kandidat për Anëtar në BE. Politikanët shqiptarë votohen nga shqiptarët dhe kërkohet që të jenë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës përpara shqiptarëve për shqiptarët.
Fatos Nano inkurajon Kryetarët e Partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që të dalin nga ngërçi dinjitetrrënues dhe mundësizhbërës i kategorizimit të kandidaturave në politike, jopolitike, shoqëri civile, etj, etj, dhe të përqendrohen me përkushtim dhe mirëkuptim që të kërkojnë kandidatët më të mirë për të zgjedhur Presidentin më të mirë.
Kategorizimi i kandidaturave është shprehja më e qarte e kulturës së gabuar jodemokratike, joperëndimore që nuk prodhon dot kurrësesi fryte pozitive për shqiptarët dhe Shqipërinë. Proçeset e deformuara japin fryte të këqija. Kategorizimi i kandidaturave dhe hulumtimi nëpër secilën kategori nga Kryetarët, duke përjashtuar arbitrarisht kategori të caktuara, apo emra të ndryshëm, është vetëm shprehi e paaftësisë dhe mendësisë së gabuar të kësaj klase politike që po rrezikon ta shndërrojë çdo ditë e më tepër Shqipërinë në një vend Kryetarokratik. Kategorizimi i kandidaturave është vetëjustifikimi i Kryetarëve për të mbajtur nën kontroll situatën, për të vazhduar lojërat e pushtetit, për të fshehur dështimin e tyre në kapacitetin për të mirëbesuar dhe bashkërenduar me njëri-tjetrin, asgjësimin e garës dhe konkurimit të lirë, përjashtimin e publikut nga pjesëmarrja dhe konsultimi, si edhe për të fshehur deformimin e madh dhe zhvendosjen nga aksi dhe kultura demokratike e perëndimore. Kategorizimi i kandidaturave u mohon shqiptarëve mundësinë për të patur në Krye të Shtetit të tyre, Presidentin më të mirë për ta.
Fatos Nano inkurajon dhe mirëbeson se përtej ngërçeve të sotme, Kryetarët e Partive do të dinë ta gjejnë kurajon dhe përgjegjshmërinë demokratike për të zgjedhur Presidentin më të mirë që meritojnë shqiptarët dhe që përputhet edhe me kërkesat e partnerëve euroatlantikë.
Nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri ai përkushtohet që të bëhet garant i plotësimit dhe përmbushjes së reformës zgjedhore, reformës parlamentare si edhe i të gjitha reformave të nevojshme bazuar në kriteret per anetaresim ne BE. Nëse Fatos Nano do të jetë Presidenti i ri ai do të garantojë e përkushtohet që të gjithë së bashku në mirëbesim e bashkërendim me njëri-tjetrin me mendësi e kulturë demokratike dhe perëndimore, të organizojnë në vitin 2013 zgjedhjet e para të lira, të ndershme e të pakontestuara sipas vullnetit, kulturës dhe standarteve më të mira europiane.
Fatos Nano gjykon se nuk ka tirani e dhunë më të rëndë për jetën dhe shpresën e qytetarëve sesa dhuna dhe tirania e institucioneve, sidomos ajo e institucioneve të drejtësisë. Kjo dhunë demonstrohet si shpërfillje, mosveprim, dekadencë, korrupsion, vonesë, zvarritje apo arrogancë. Kjo lloj dhune prek drejtpërdrejt qytetarët, të varfërit, të dobëtit, të pamundurit për shkak të kufizimeve financiare, fizike apo sociale. Drejtësia i jep kuptim lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Drejtësia e perceptuar si tirani shpërfilljeje apo si drejtësi e vonuar me pak fjalë si drejtësi e munguar, është një tregues i trishtë dhe i drejtpërdrejtë i nivelit të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit që kemi në vend. Kësisoj të gjitha raportet ndërkombëtare, kur vendosin drejtësinë si kryefjalën e vërejtjeve dhe kritereve të tyre, kanë të gjitha arsyet për të vendosur pikëpyetje të mëdha në themelin e institucioneve dhe demokracisë shqiptare. Nëse Fatos Nano do të jetë President Republike ai synon të jetë ushtrues i një Presidence sipërmarrëse, negociatore, nxitëse dhe kërkuese e një reforme të thellë, qelizore dhe gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Liria dhe demokracia në Shqipëri do të kenë kuptim vetëm nëse do të jenë të kombinuara me drejtësinë. Presidenti i ardhshëm e ka për detyrë kushtetuese që të jetë negociator, paqebërës, institucional, sipërmarrës politik, unifikues, zgjidhës konfliktesh si edhe garant i një zgjedhjeje të drejtë dhe me maturi demokratike në respekt të instrumentave demokratike brenda vendit dhe kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë euroatlantikë, për Kryetarin e SHISH, Prokurorin e Pergjithshëm dhe Përfaqësuesit e Gjyqësorit. Për ti përputhur të gjitha këto kritere, për ti përmbushur të gjitha këto reforma, Shqipërisë nuk i duhet një President i dobët, i trysnueshëm, i joshshëm nga pushtetet dhe loja politike e paleve, apo josipërmarrës dhe mostrazues i ujërave. Shqipërisë i duhet një President dalëzots.

Fatos Nano është dalëzots dhe nëse do të jetë President, ai do të jetë një President dalëzots.