Kandidati i vetëshpallur për president, Fatos Nano ka qëndruar në zyrën e kryeministrit Berisha vetëm 34 minuta. Pasi ka dalë nga selia e qeverisë, Nano i shoqëruar nga bashkëpunëtori i tij i kahershëm, Ilir Kulla, ndryshe nga takimet e mëparshme, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat. Kryeministria zbardh takimin: Nano kërkoi mbështetjen si kandidat. Berisha: Mbështes kandidatin e PD për Presidentin e Republikës.
QËNDRIMI I KRYEMINISTRIT BERISHA
Pak minuta pas përfundimit të takimit me kandidatin e vetëshpallur për president, kryeministria ka zbardhur takimin Berisha – Nano.
Sipas deklaratës në faqen zyrtare të Këshillit të ministrave, më këtë takim, që u zhvillua në Selinë e Këshillit të Ministrave, ish kryeministri Fatos Nano, i parashtroi kryeministrit Berisha kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin Kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit.
Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave.
“Nga ana tjetër Kryeministri theksoi se, qëndrimi i bërë tashme publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës”, thuhet në qëndrimin zyrtar të kryeministrisë.
Kryeministri Berisha theksoi se pas kthimit nga Samiti i Chikagos ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për ti dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës.
Kreu i qeverisë Berisha iu përgjigj dje në mënyrë pozitive ditë më parë ftesë së kreut të Partisë Socialiste Edi Rama në lidhje me mundësinë e një takimi për të diskutuar në lidhje me procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit në mënyrë konsensuale. Por Berisha nuk ka munguar të shprehet se do të ndjekë të gjitha afatet kushtetuese të hapjes së këtij procesi, që përkon me 10-ditëshin e fundit të majit. Pikërisht atëherë kryeministri parashikon që të realizojë takimin me kreun e opozitës, ndërsa Rama e ka kundërshtuar një qëndrim të tillë.
NANO MBYLL TAKIMET
Takimi me kryeministrin Berisha ka përmbyllur axhendën e kontakteve të Fatos Nanos me drejtuesit e partive parlamentare në vend, në ambicien e tij për të kandiduar për herë të dytë për postin e Presidentit të Republikës. Në më shumë se një javë, Nano është takuar me kreun e LSI, Meta, të PS Rama,t të PDIU, Dule etj si edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Pas kësaj, vetë Nano do të presë datën 24 maj kur, sipas të gjitha gjasave do të nisin negocitata për emrin e Presidentit të ri të vendit.
(aq/shqiptarja.com)