TIRANË- Policia spanjolle ka sjell skuadrën e saj të ekspertëve për lokalizimin e rreth 80 shqiptarëve që janë në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike, organizatë kriminale, falsifikim të dokumenteve dhe shkelje të ligjit për drogat. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano në një konferencë të përbashkët për shtyp me Policinë Spanjolle ka bërë me dije se nga marrëveshja e ekstradimit mes dy vendeve, e nënshkruar më 16 mars 2022, janë arrestuar shtatë persona për 48 orë.
Ai tha se janë organizuar edhe operacione të rëndësishme për goditjen e grupeve kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike. Nano theksoi se Policia e Shtetit është e venbdosur të bashkëpunojë me policitë e vendeve të Bashkimit Europian për të luftuar krimin dhe vënë drejtësinë në vend.
“Vlen të përmendim faktin se Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake për evidentimin dhe verifikimin e të gjithë personave të kërkuar nga autoritetet spanjolle dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në koordinim të ngushtë me autoritetet spanjolle të zbatimit të ligjit, veçanërisht me strukturat e INTERPOL-it dhe FAST-it të të dy vendeve, ka filluar operacioni dhe deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, për veprat penale: “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shkelja e ligjit për drogat”. Këta shtetas vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës. Po në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2021 janë realizuar operacionet e suksesshme: “DOBRA”, “NOMADA” dhe “SHPIRTI”. Po ashtu, të suksesshme ishin dhe operacionet e zhvilluara më parë si: operacioni “VAZHDIMI” dhe Mega Operacioni “ONE IF-BY LAND”, rezultatet e të cilëve i kemi bërë të ditura në komunikimet e mëparshme.
Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojnë dhe të rrisë frymën e partneritetit me policitë e vendeve të Bashkimit Evropian e më gjerë, si edhe me agjencitë ligjzbatuese, në fushat që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. Dhe kjo për të siguruar bashkëpunimin më të fortë të mundshëm ndërkombëtar për sigurinë dhe së bashku të shndërrohemi në një armatë shumëngjyrëshe kundër krimit dhe terrorizmit, kudo ku ato zhvillojnë veprimtarinë e tyre”, tha Nano.
Drejtues i FAST Spanja, Dario Varela Fernandez bëri me dije se një pjesë e të kërkuarve nga Spanja fshihen në vendin tonë me identitete të rreme.
“Sapo filloi bashkëpunimi, në vetëm 48 orë, ekipi i Personave të Arratisur shqiptarë ka arrestuar gjithsej 7 persona në Shqipëri të kërkuar nga Spanja për krime të rënda si përkatësi në një organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge në kuadër të organizatave kriminale ose sulme në shtëpi. Një pjesë e këtyre personave strehoheshin me identitete të rreme, në Shqipëri.”
Atasheu i Ministrisë së Brendshme spanjollë Juan Pablo Iglesias Bellido tha se kjo marrëveshje ekstradimi tregon vendosmërinë e Shqipërisë për të luftuar krimin dhe për të avancuar në rrugën e saj për integrimin Europian.
"Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit që lejon ekstradimin reciprok të shtetasve, plotësuese me Marrëveshjen Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957, Shqipëria dhe Spanja bëjnë një hap të madh përpara në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Shqipëria tregon vendosmërinë e saj absolute për të mos qenë strehë për kriminelët, gjë që konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar si një shenjë e padiskutueshme e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në shtetin e së drejtës. Me këtë operacion për gjurmimin e të arratisurve të kërkuar nga autoritetet gjyqësore spanjolle, Policia e Shtetit shqiptar dhe Policia Kombëtare përforcojnë kanalet e tyre, tashmë të rrjedhshme të bashkëpunimit policor dhe strategjisë së bashkëpunimit të ndërsjellë, e cila pa dyshim duhet të merret në konsideratë si një shenjë uniteti mes dy kombeve tona”, u shpreh ai.
Skuadra spanjolle pritet të ketë qëndrim të përhershëm në Shqipëri dhe në terren do të jenë bashkë me policinë shqiptare, sipas marrëveshjes së firmosur, njëlloj siç prej shumë vitesh qëndrojnë edhe autoritetet italiane. Grupet kriminale shqiptare kanë shtrirë ndikimin edhe në Spanjë, ndërsa në mungesë të një marrëveshjeje esktradimi kanë qëndruar të qetë brenda territorit të vendit. Mes të arrestuarve deri tani është pronari i Porcelanosas, biznesmeni Nikolin Janina. Ata vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës, ndërsa brenda 40 ditësh për ta vendos gjykata.