Por Nano e do më shumë se gjithë të tjerët. Aq shumë, sa ka bërë lëvizjet më të forta për ta patur atë. Më 2002 u puth me Metën, që e kish lënë rrugëve; me Berishën, që e kish rrasur në qeli; dhe në fund pranoi, jo pa mërzi në shkëmbim, postin e Kryeministrit. Post të cilin e ktheu në më pak se 6 muaj në një Presidencë faktike. Me eskortat, vizitat pompoze, e deri te ligji i ri i protokollit, që bënte bashkëshorten e tij First Lady të Republikës, me president Moisiun e ve. E shijoi aq shumë “presidencën”, sa vendosi të bënte protagonistin e rotacionit, duke e paguar me humbjen e PS-së. Në ankth e në distancë, këto ngjarje i ndiqte një njeri: Edi Rama.
Më 2007, Nano shkoi edhe më larg. Vuri firmën në një copë letër në dukje të pakuptimtë, më 11 janar 2007, por që detyroi Ramën dhe Berishën drejt një kompromisi për zgjedhjet lokale. Më pas, i lënë jashtë emrave të negociuar për President, ai ndërhyri me aksionin më spektakolar, më kontroversial dhe më unikal në historinë e parlamentarizmit modern shqiptar: aktivizoi ushtarët e paqes, siç i quajti ai, apo jeniçerët e shtrenjtë të luftës, siç i njohim ne, për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Nën sytë e shtangur të Metës. Duke detyruar Ramën të syrgjynoset rrugëve të fshatrave të vendit, në “Rrugëtimin nëpër Shqipëri”, për nëntë muaj rresht. Kësaj radhe në distancë, dhe me ankth ngjarjet i ndoqi Sali Berisha. Parandjenja e gladiatorit politik nga Tropoja i thoshte se kjo nuk ishte fitore e mirëfilltë. Koha i dha të drejtë. Presidenti nuk u bë kurrë i tij. Paradoksalisht këtu meritë ka edhe Nano. Votat e grupit të tij, i dhanë Topit edhe politikisht mundësinë e artë, të distancimit nga partia që e propozoi për President.
Më 2012, shumë gjëra kanë ndryshuar, nga 2007-ta, por faktorët politikë janë po ata. Kryesorët, Berisha, Meta, Rama, por edhe dytësorët: Topi (me votën e Oketës) dhe Prifti, me votën e tij, tashmë jo qartësisht me opozitën, e aq më pak me planin e saj (gjithsesi të munguar) presidencial. Fatos Nano shfaqet sërish i vetmuar. Ndryshe nga 1998-ta, vetmia e tij është thelluar edhe nga mungesa e Emin Barçit, tashmë i zënë me frigoriferët e tij. Fatos Nanos sot nuk ka kush ia lidh këpucët, e pikërisht këtu qëndron “rrezikshmëria” e tij. Pas një dekade, me lidhëse apo jo, këpucët e Nanos nuk janë varur ende në gozhdë. Përkundrazi, në gozhdë rrezikojnë t’i varin ata që do t’i dalin atij kundër.
Rrezikon Meta, sepse, nëse nuk i jep atij votën, mund të shtyjë Nanon në aksionin paralel me atë presidencial, të afrimit të Berishës me Ramën, ose së paku, siç “kërcënoi” të enjten në TopStory, “ndasinë e brendshme në grup(e)parlamentar”, të LSI, duke shtyrë Tavon drejt PD-së dhe Kokën drejt PS-së.
Rrezikon Rama, sepse, nëse nuk i jep edhe kësaj radhe votën, njeriut që nuk ka asnjë ambicie t’i marrë partinë, e tashmë asnjë vullnet për t’ia përçarë atë, rrezikon përfundimisht t’i marrë Nanos përfundimisht, të vetmin “skeptër”, që nuk ia ka marrë akoma: atë të përçarësit historik të së majtës. Rrezikon PS-ja, se një Nano president pa votat e saj, është garancia më e madhe e mosbërjes së rotacionit politik më 2013, ndërsa moszgjedhja e tij, por e Topallit, garancia më e fortë, se ky vend do shkojë për lesh, pavarësisht se kush e tjerr atë në vitet e ardhshme.
Nëse nuk i jep votat Nanos, ai që rrezikon më shumë padyshim është Sali Berisha. Ai i detyrohet shumë Fatos Nanos. I cili nuk hapi ndaj tij procesin gjyqësor të merituar për ngjarjet e vitit 1997, 1998 dhe nuk u hakmor për burgun e padrejtë. I detyrohet presidentin në 2002 e 2007, si dhe fitoren më 2005, e “njëçikë” edhe më 2009. Nëse nuk e bën President tani, me apo pa kandidimin e PS-së, Fatos Nano do të kthehet në varrmihësin e qeverisë Berisha. Edhe nëse zgjedh Topallin e humb ndërkombëtarët, edhe nëse nuk e zgjedh atë, duke humbur shumicën në Kuvend.
Paradoksalisht Fatos Nano ofron edhe mundësinë e vetme që të gjithë të dalin të lumtur nga kjo histori: zgjedhjen e tij konsensuale. Fiton Meta, që nuk është i sigurt se mund të bëjë Presidentin. Me Nanon ai del faktor e nuk humbet deputetë. I fituar del Rama, i cili në mungesë të një plani a emri për President, nuk humbet asgjë, por fiton. Fiton admirimin e papritur të Nanos dhe të së majtës tradicionale, ku ai nuk bind prej një dekade, si dhe një President, që i ka aq shumë qejf rolet protagoniste në rotacionet politike.
Fiton edhe Berisha, për të cilin variabli Nano është i vetmi version i historisë ku ai nuk quhet humbës. Vota e tij (konsensuale ose jo), shkon për një individ antiRama dhe siç ka treguar edhe në të shkuarën, aspak hakmarrës ndaj tij. E me gjasë sigurisht, as edhe ndaj familjes së tij. Por jeta e vështirë pas 15 marsit 2008, e shtyn Doktorin të jetë mosbesues. A foli Nano në mënyrë të sinqertë të enjten e shkuar? Vërtet beson ai se më 21 Janar të dyja palët e kishin fajin njësoj? Dakord, ka votuar kundër Ramës, por kaq “naiv” të jetë Nano sa të besojë se Bashkia e Tiranës nuk u vodh, vetëm se fjala “vjedhje” mungoi (vetëm literalisht) në raportin e Jonathan Stoneman?
Kush e di? Askush veç Nanos. Mirë e keq, ai u rikthye. E si gjithmonë nuk ikën, pa kosto. Për fat të mirë, kostot e ikjes së tij kanë qenë gjithmonë politike, ndryshe nga të ato ikjeve të Doktorit. E ndoshta një Nano President, do ishte pikërisht ilaçi që po kërkojnë të gjithë. Serumi që “zeron” kostot e rotacionit të një viti më pas. Kjo është mjeshtëria më e madhe që në turin e tij të radhës në Shqipëri, ofron Fatos Nano.
Shumëkush me të drejtë mund të thotë se ndoshta cirku i Fatosit nuk ofron asnjë moral, e për më tepër, duke rikthyer një ”veteran”, asgjë, as një emër të ri.
Po në kohën kur skena politike shqiptare është kthyer në një unazë të madhe ku vijnë vërdallë po të njëjtat makina, askush nuk mund të ankohet pse aty bën xhiro edhe autobusi i Fatos Nanos. E frikshme është se, edhe pse me vonesë, ky autobus arriti para të tjerëve, në stacionin e parë të linjës së Presidencës.
Kësaj radhe, ndryshe nga ç‘thuhet, kush e humbet autobusin e tij, s’ka më shans ta kapi xhiron tjetër.
Marre nga MAPO
(sg/shqiptarja.com)