TIRANË – Kandidati i vetëofruar për President, Fatos Nano ka reaguar pas ndryshimeve të papritua në garën presidenciale ditën e sotme.
Nëpërmjet një deklarate për shtyop të Lëvizjes, Nano thekson se po ndjek me vëmendje të gjithë këtë kaos total që po shkaktojnë Kryetarët e Partive të cilët tashmë për shkak të llogarive e axhendave të tyre të ngushta partiake, po e kthejnë proçesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në një proçes të turpshëm dhe në një rrezik të madh për fatet e vendit dhe të integrimit europian.


“Turp dhe vetëm turp mund të konsiderohet gjithçka po ndodh me proçesin e zgjedhjes së Presidentit.
Turp sepse ka arratisje nga serioziteti.
Turp sepse ka arratisje nga përgjegjshmëria.
Turp sepse ka arratisje nga integrimi.
Turp sepse ka arratisje nga Europa.
Turp sepse ka arratisje nga gara e lirë dhe e ndershme.
Turp sepse ka arratisje nga konsensusi.
Turp sepse ka arratisje fatale nga atdhedashuria.
Ky është momenti, kjo është dita që përtej dështimit të derisotëm, Kryetarët e Partive, gjithësesi të ngrihen përmbi honet e llogarive të ngushta politike partiake që fundosin Shqipërinë, dhe të lartësohen me përgjegjshmëri të lartë kombëtare në nivelin e parimeve të atdhedashurisë për ta ngritur Shqipërinë në meritën e vlerën që i takon si një vend Europian.
Fatos Nano ka deklaruar e ripërsërit se mbetet i vetëofruar për klasën politike shqiptare dhe publikun shqiptar për të patur mundësinë për të synuar konsensusin, ose për të garuar e për ta fituar këtë garë”, thuhet në deklaratë.

Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që kërkon momenti, e të mos i shmanget e as druhet garës.
“ Fatos Nano i bën thirrje Partisë Socialiste që së bashku me Fatos Nanon duke bashkuar traditën, historinë, vlerat më të mira të Partisë Socialiste në këto 22 vite, ta fitojmë këtë garë bashkë, bashkë, bashkë. Fitorja e përbashkët e sotme le të jetë parathënie e hyrjes në historinë fituese të mëtutejme për Partinë Socialiste, për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë. Së bashku të bëjmë fituese Shqipërinë”,shprehet Lëvizja Nano në deklaratën e fundit.

(aq/shqiptarja.com)