Në javën e 10 të Seria A kreu nuk është një pozicion që i përket një skuadre të vetme. Kjo për shkak se Napoli nuk i ka diskutuar tre pikët kundër Bolonjës, duke fituar me rezultatin e thellë 3-0.
Në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ ndeshja u zhbllokua në minutën e 18 nga një e majtë vdekjeprurëse e Fabian Ruiz, i cili bëri të pavlefshme edhe hedhjen e portierit. Më tej kapiteni Insigne, që është në vitin e fundit të kontratës, realizoi ‘dopietë’ me penallti, duke vulosur edhe shifrat përfundimtare të takimit. Pas 10 ndeshjesh në kampionat Napoli ndan vendin e parë me Mlanin me 28 pikë.
Ndërkohë në La Liga Atletico Madrid ka hedhur një tjetër hap të gabuar për kreun. Skuadra e Simeone-s, trajnerit që u ndëshkua me karton të kuq, ka barazuar 2-2 kundër Levante-s në transfertë. Atletico kaloi në dy raste në avantazh, njëherë me Griezman dhe njëherë tjetër me Matheus Cunha, por pavarësisht kësaj nuk mundi të fitonte.
Në të dy rastet Levante arriti të barazonte me shqiptarin e Maqedonisë Enis Bardhi, i cili u tregua i saktë në të dy penalltitë e fituara nga Levante. Ky barazim e pozicionon Atletico Madrid në vendin e 6 me 19 pikë, 5 më pak se Real Sociedad i vendit të parë që ka një ndeshje më shumë.