Napoli është finalist i Kupës së Italisë, pasi ka shkatërruar ekipin e Romës me rezultatin e thellë 3-0. Napoli e nisi mjaft mirë ndeshjen duke shënuar golin e parë shumë shpejt me spanjollin, Jose Callejon. Në pjesën e dytë Higuain shënon në të 48, teksa pak minuta më pas është Jorginho që vulos gjithçka.

Me këtë fitore Napoli arrin që me rezultat të përgjithshëm prej 5-3 të kalojë në finale të Kupës së Italisë ku do të përballet me Fiorentinën.

Në Spanjë në ndeshjen mes Sociedadid dhe Barcelonës nuk ka pasur shumë dilema, pasi katalanasit kanë kaluar lehtësisht në finale ku i pret ekipi i Realit të Madridit. Ndërsa në Premier League, Arsenali nuk ka arritur që të përfitojë nga forma e dobët e Manchester United dhe nga barazimi i Chelsea-t, pasi barazimi pa gola ndaj Djajve i lë Topçinjtë në vendin e dytë.

Bajerni ka shkatërruar Hamburgun me rezultatin e thellë 5-0. Serinë e golave e hapi sulmuesi kroat, Mario Mandzukic pas 22 minutash lojë, teksa në minutën e 26-të ishte Dante ai që e dyfishoi. Në pjesën e dytë Arjen Robben shënoi në minutën e 54, më pas vulosi Mandzukic me dy gola në minutat 74 dhe 76. Me këtë fitore të thellë Bayerni kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.

d.bshqiptarja.com