Leonard Koka, vëllai i deputetit  Lefter Koka kërcënon botuesin Carlo Bollino pas publikimit të fotove që tregojnë presidentin e republikës Ilir Meta, i cili në vitin 2017 tashmë president i emëruar, merr pjesë në një darkë në krah të dy trafikantëve të drogës Xhevdet Troplini dhe Altin Hajri. Koka, në vend që të shpjegojë arsyet e pranisë së tij dhe të vëllait të tij Lefterit dhe te Kreut te Shtetit në krah të trafikantëve, kërcënon dhe shantazhon të publikojë foto imagjinare që tregon Carlo Bollinon në restorant në Shijak të familjes Hajri. ''Une kam foto shume Karlo per ty dhe per ata qe paguan ty'', shkruan Leonard Koka në një mesazh që ja ka besuar për publikim një gazetari të Syri.net, që ka për pronar djalin e Berishës dhe me zyra qendron tek pallati i Ilir Metës.

Leonard Koka dhe gazetari që shkruan per Syri.net gjykojnë më të rëndësishme të saktësojnë se dy trafikantët nuk ishin aty për të festuar fitoren e LSI-së në zgjedhjet e qershorit 2017, sic hipotizon Shqiptarja.com dhe ReportTV, por për të festuar ditëlindjen e Lefterit. Pra ky është saktësimi thelbësor që Nard Koka i ka besuar gazetarit të familjes Meta përmes të cilit bën kërcënimin. Asnjë shpjegim as nga ana e Kokës, as nga ana e gazetarit për praninë e dy trafikantëve në atë tavolinë, të dy subjekte të OFL-së. Xhevdet Troplini, i arrestuar në 2006 për trafik ndërkombëtar droge është ulur mes Ilir Metës (në atë kohë president i republikës i emëruar) dhe Lefter Kokës (deputet i LSI i sapozgjedhur) pikërisht në qendër të tavolinës në një pozicion “zoti  i shtëpisë”. Altin Hajri, aktualisht i kërkuar për sekuestrimin dhe vrasjen e Jan Prengës, edhe ai i dënuar për trafik droge, është me ta në të njëjtën tavolinë.

Sipas gazetarit të familjes Meta skandali qëndron në publikimin e fotos, jo në atë që fotot tregojnë. Por nuk është i vetmi. Pjesa më e madhe e portaleve dhe të mediave kryesore shqiptare nuk i kanë publikuar këto foto. As PD nuk ka reaguar deri tani dhe as Doktor Berisha i cili është gjithmonë i gatshëm të publikojë çdo gjë nga plehrat. Këtë herë, në mënyrë të çuditshme nuk po dëgjohet zëri i asnjë gazetari “investigativ”, asnjë medie “të lirë”, asnjë forcë politike opozite që prej vitesh udhëheq një betejë propagande kundër kriminalizimit të politikës, nuk po e vënë re se Kreu i Shtetit darkonte e bënte dolli me dy trafikantë droge ne vitin 2017, jo 20 vjet perpara! Tani le të shohim nëse shoqatat e gazetarëve do të reagojnë ndaj këtij shantazhi publik që përmes një medie i bëhet një medie tjetër që guxon të denoncojë me fakte dhe foto lidhjet mes krimit dhe politikës.

Leonard Koka, vëllai i ish-deputetit të LSI, Lefter Koka