Koncerte, festa dhe ritëm do të ofrojë Tiranë nesër me rastin e Natës së Bardhë. Aktivitete për të gjitha grupmoshat janë parashikuar jo vetëm në sheshet kryesore të kryeqytetit, por në çdo institucion artistik e kulturor, të cilët mund të vizitohen falas nga ora 08:00 e mëngjesit deri në mesnatë.
“Ftoj të gjithë qytetarët që duan të vizitojnë Galerinë e Artit, teatrin Metropol, Kopshtin Zoologjik, shtëpinë-muze “Kadare” dhe “Agolli”, nesër nga ora 8 e mëngjesit deri në 12 të darkës. Gjithashtu edhe Kulla e Sahatit që ndodhet këtu pranë, do të jetë hyrja falas për të gjitha grupmoshat. Kështu që le të jetë një ditë shumë e mirë ku të kalojmë kohën së bashku me familjet tona, të eksplorojmë qytetin edhe kulturën tonë.”, thotë për “Report TV”, drejtuesja e rinisë dhe aktiviteteve në bashkinë Tiranë, Iva Beharaj.
Për t’u shënuar janë edhe koncertet në sheshin “Skënderbej”, te Liqeni dhe në Parkun Rinia.
“Edhe në këtë këto institucione do ketë program artistik. Tek Piramida gjithashtu, Microfolie për fëmijët, Parku Rinia, Liqeni dhe në darkë do të jetë koncerti festiv i madh në sheshin ‘Skënderbej’ me artistë Era Istrefin, Soni Malaj, Lumi B, Mike dhe Kida. Do të nisim nga ora 6 e pasdites deri në 12 të darkës për ta përfunduar me një shoë me fishek zjarre.”, vijon Beharaj.
Publiku mund të ndjekë në sheshin “Skënderbej” koncert nga Era Istrefi, Kida, Soni Malaj, Majk, Lumi B, duke nisur nga ora 18:00 deri në mesnatë. Në Digën e Parkut të Liqenit nga ora 12:00 – 13:30 do ketë performancë live nga Jozefina Simoni & band. Në Parkun “Rinia” prej orës 18:00 do të vijë “Prolog muzikor” me Lambert Jorganxhi dhe një kolazh nga filmat shqiptarë.
Ndërkohë, me rastin e “Tirana Art Weekend”, Galeria Kombëtare e Arteve dhe Rrjeti i Arteve Pamore Shqiptar (AVAN) kanë bashkuar forcat për të komisionuar një vepër të re nga një artist shqiptar. “Videombikëqyrje GKA”, vepra më e fundit e artistit Gentian Shkurti, që po projektohet në fasadën e sapo rinovuar të Galerisë Kombëtare të Arteve do të ketë nesër në orën 18:30 promovimin e saj.
Komente








