Nata e parë e festivalit të RTSH-së 
Këndohet poezia e Fatos Arapit

Nata e parë e festivalit të RTSH-së <br />Këndohet poezia e Fatos Arapit
TIRANE- Mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, ka çelur siparin Festivali i 53-të i Këngës në Radiotelevizionin shqiptar. Turjan Hyska, Floriana Garo dhe Liberta Spahiu kanë prezantuar festivalin duke i dhënë një formë spektakolare të komunikimit të këngëtarëve me publikun dhe prezantimit të tyre në skenë.

Aktori i njohur kosovar Enver Petrovci, i cili debuton për herë të parë në skenën e këtij festivali si këngëtar, është nderuar duke iu lënë atij hapja e festivalit. Petrovci këndoi këngën “Të vranë bukuri”, të cilën e ka shkruar dhe kompozuar vetë. Këngën e ka orkestruar Riza Dolaku.

Mbrëmë në natën e parë të festivalit janë prezantuar 13 këngë dhe 13 të tjera do të ngjiten sot në skenë ku mes tyre do të ngjiten ne skenë edhe një nga pretendueset më të forta të garës Elhajda Dani. Pas Enver Petrovckit Grupi “Revolt Klan” është ngjitur në skenën e festivalit me këngën “Më mungon”.

Një nga këngët interesante që u pëlqye nga publiku ka qenë kënga “Himn Jetës”, e kënduar nga Julian Gjodeshi dhe e kompozuar nga Vaso Tole mbi një poezi të Fatos Arapit me të njëjtin titull. Kënga është orkestruar nga Klodian Qafoku.

Të tjerë këngëtarë që janë ngjitur në skenë në natës e parë të festivalit ishin Sigi Bastri & Florent Abrashi me këngën “Eklips mbi oqean”; Marsela Çibukaj me kengën “S'muj”. Gjithashtu  skenës së festivali të RTSH-së i është rikthyer edhe Saimir Braho me këngën “Kristal”, me kompozimin edhe tekstin të tijin, orkestruar nga Endri Sina.

Ndërkohë Klajdi Musabelliu ka kënduar “Vetëm te ti besoj”, me tekst të Jorgo Papingjit. Pas tij në skenë është ngjitur këngëtarja Erga Halilaj, një pretenduese tjetër, e cila vjen me këngën “Ti s’më njeh” të kompozuar nga Kristi Popa, me tekst të Ronela Hajatit. Besjana Mehmeti e Shkodran Tolaj kanë kënduar këngën “Kështjella” të kompozuar nga Adrian Hila me tekst të Pandi Laços, nën orkestrimin e Gjergj Kaçinarit. Këngëtarja e re Estela Brahimllari ka kënduar këngën “Kjo natë” të Edmond Veizaj.  

Nata e parë ka pasur uljet dhe ngritjet e veta për sa i përket cilësisë së interpretimit dhe impaktit që kanë krijuar këngët e reja në publik. Por kënga që ka lënë mbresë ka qenë kënga e mbështetur mbi poezinë e poetit të njohur Fatos Arapi, “Hymn jetës”. Kompozitori i saj Vaso Tole thotë për “Shqiptarja.com” se “Shqipëria ka poetë shumë të mirë dhe duhet t’i mëshojmë më tepër traditës së kthimit të këngëve të bazuara mbi poezinë e zgjedhur shqipe në festivalin tradicional të muzikës së lehtë shqiptare”.

Ndërkohë që poeti Fatos Arapi është në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore, poezia e tij “Hymn jetës” është një motiv i forcës dhe kurajës, jo vetëm për poetin, por për të gjithë njerëzit që e dëgjojnë këtë poezi të kënduar. Ja disa nga vargjet e poezisë “Hymn jetës”:

“I dëgjon zërat e dritës?
Shkreptin agimi vetë.
Jeta qenka si fëmija, -
jepi dorën që ta ngresh.

Që të vijë jeta me ty,
nëpër diell e furtunë,
mbille në një pikë djerse,
mbille në një kokërr grurë.
……………….
Dashurinë rrëmbe dhe ëndrrat.
Rekëtim' e kohës s'ndalet…
Edhe vetë në fjalën "vdekje"
mbille e jeta do të ngjallet.... “, etj
 
Festivali i Këngës në RTSH ndër vite, ka pasur përvoja të suksesshme të kthimit të vargjeve të poetëve në këngë, megjithëse këto nuk kanë qenë aq të shpeshta. Le të kujtojmë rastet kur janë kënduar Vargjet e Lasgush Poradecit “E mora shoqezën përkrah” apo vargjet e famshme të Dritëro Agollit “Kur të jesh mërzitur shumë”, si dhe poezia e dashurisë kthyer në një hit për brezin e ri para viteve ’90 e Ismail Kadaresë “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës