Një natë e mbushur me sulme për Ukrainën. Vizita e presidentit Volodymyr Zelensky në Shtetet e Bashkuara dhe takimi i tij me Donald Trump duket se nuk i ka pëlqyer Vladimir Putinit.
Në orët e para të mëngjesit, Rusia lëshoi dhjetëra raketa balistike dhe raketa lundrimi, si edhe qindra dronë, në një tjetër sulm të gjerë ndaj Ukrainës. Dëme u raportuan në disa qytete, përfshirë Kievin dhe Lvivin, vetëm pak orë pasi Zelensky kishte paralajmëruar se Moska po përgatitej për një ofensivë të re masive.
Sipas autoriteteve ukrainase, sulmi shkaktoi të paktën tetë viktima, mes tyre dy fëmijë, si dhe të paktën 30 të plagosur në Kiev, Lviv, Kryvyi Rih dhe rajonin e Poltavës.
Shpërthime u regjistruan në disa rajone të Ukrainës, përfshirë zonat në skajin perëndimor të vendit, qindra kilometra larg vijës së frontit. Në Kiev, shpërthimet e para u dëgjuan në orën 01:18 sipas kohës lokale, ndërsa një valë e dytë goditi rreth orës 03:50. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se në kryeqytet humbi jetën një person dhe dy të tjerë u plagosën.
Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko, rënia e mbetjeve të raketave shkaktoi zjarre në një garazh në lagjen Sviatoshynskyi dhe në një treg në lagjen Obolon. U godit edhe tregu i famshëm i sendeve të përdorura.
Në periferi të Kievit, në Brovary, tre banesa u dëmtuan dhe pesë persona, mes tyre një fëmijë, mbetën të plagosur.
Flakët përfshinë edhe Tregun Legjendar të Librave të Pochainës, një nga tregjet më të vjetra dhe më ikonike të librit në Kiev. Ngjitur me të ndodhet tregu i njohur i antikuareve, i frekuentuar prej dekadash nga koleksionistë dhe banorë të kryeqytetit, ku tregtohen libra të rrallë, disqe vinili, aparate fotografike, objekte ushtarake dhe sende historike.
Zona e Pochainës është një nga qendrat kryesore tregtare të Kievit, me zyra, qendra tregtare, supermarkete, magazina, sallone automjetesh dhe fabrikën historike "Mayak", e njohur gjatë periudhës sovjetike për prodhimin e radiove dhe magnetofonëve.
Më 29 korrik, presidenti Zelensky kishte paralajmëruar në rrjetet sociale se Rusia po përgatiste një sulm masiv.
"Rusët e kanë përgatitur këtë sulm prej disa ditësh dhe ka shumë gjasa që ai të kryhet sonte. Ju lutem, në të gjitha rajonet e Ukrainës, kushtojuni vëmendje sirenave të alarmit dhe kujdesuni për veten", shkroi ai në platformën X.
Pas alarmit ajror, mijëra banorë të Kievit u strehuan në stacionet e metrosë, ndërsa në rrjetet sociale u raportua për mbipopullim në disa prej tyre.
Mediat lokale raportuan gjithashtu se një zonë banimi në qytetin Kryvyi Rih u godit nga një raketë, duke lënë shumë persona, përfshirë fëmijë, të bllokuar nën rrënoja.
Kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Kryvyi Rihut, Oleksandr Vilkul, tha se një raketë balistike Iskander-M goditi shtëpinë e një familjeje të madhe. Si pasojë humbën jetën dy vajza, 5 dhe 12 vjeç, si edhe katër të rritur. Tetë persona të tjerë u plagosën, përfshirë dy djem 6 dhe 15 vjeç.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi gjithashtu për një viktimë në rajonin e Poltavës, pas një sulmi ndaj një magazine. Rusia goditi edhe një terminal të kompanisë Nova Poshta në qytetin e Poltavës, pa shkaktuar viktima.
Rreth orës 04:40 të mëngjesit, shpërthime u dëgjuan edhe në Lviv.
Kreu i administratës ushtarake të rajonit të Lvivit, Maksym Kozytsky, deklaroi se dy ndërtesa banimi u goditën në qytet. Kryebashkiaku Andrii Sadovyi tha se të paktën 15 persona mbetën të plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe vullnetarët po punojnë për të larguar rrënojat, mes frikës se mund të ketë ende persona të bllokuar.
Pak çaste pas sulmit në Lviv, shpërthime u regjistruan edhe në Ivano-Frankivsk dhe zonat përreth, pranë kufirit me Rumaninë, një korridor i rëndësishëm për kalimin e ndihmave ushtarake.
Në përgjigje të sulmit rus, Forcat Ajrore të Polonisë njoftuan se ngritën në ajër avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit. Sipas raportimeve në rrjetet sociale, në qytetin polak të Lublinit u aktivizua alarmi ajror, i cili më pas u anulua shpejt.
Komente











