NATO, mesazhe gjeostrategjike nga Baza e Kuçovës

NATO, mesazhe gjeostrategjike nga Baza e Kuçovës

Siç është bërë gjerësisht e njohur, sot, “datë 4 mars 2024”, nëpërmjet një ceremonie të shtetit shqiptar, Aleancës Euroatlantike, SHBAve, etj., do të inaugurohet përfundimi i projektit të NATO-s për “Ndërtimin e Bazës Mbështetëse Ajrore të Kuçovës”. Në pamundësi për t’iu përgjigjur fizikisht ftesës “gjithëpërfshirëse” të ministrit Peleshi, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, rajonit dhe NATO-s”, po adresoj disa këndvështrime rreth mesazheve gjeopolitike, strategjike, operacionale dhe ndoshta ekonomike të këtij projekti, ose mbi prezencën, për herë të parë me instalime ushtarake në kohë paqe (Peace Establishment) të NATO-s në territorin e RSH: Pikësëpari, për (a) peshën gjeopolitike të këtij projekti mjafton të sjellim në memorien kombëtare, që jo rastësisht, përfundimi i këtij projekti u konfirmua nga Sekretari i Shtetit të SHBA, z. Blinken, gjatë vizitës në Tiranë: “Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore NATO-s në Kuçovë”! Kjo pasi, si për çdo vend tjetër anëtar, prezenca (footprint) ushtarake në kohë paqe e NATO-s në territorin e Republikës së Shqipërisë mbart jo vetëm mesazh strategjik për sigurinë kolektive (artikulli 5), por edhe për mbrojtjen e interesave gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO) në Rajon dhe Mesdhe.

Për rrjedhojë, besoj se vendi i parë mes 31 vendeve anëtare të Aleancës që ka përfitime gjeopolitike është RSH! Për më tepër, përzgjedhja e kësaj e baze nga NATO, sigurisht lidhet edhe me (b) pozicionin gjeostrategjike të bazës së Kuçovës, e cila “prej 1955 deri 1992 ka shërbyer si bazë me peshë strategjike, kryesisht për shkak të ‘Mig’-ve, që edhe pse përtej mundësive të një vendi mjerisht të izoluar, për propagandën e regjimit konsideroheshin si “legjione kamikaze” të fuqisë ajrore të RPSSH, pra kundër kampeve të imperializmit (USA/NATO) si dhe revizionistëve sovjetikë (Varshavë), ose edhe të dyja së bashku”!

Por, në situatën aktuale, ndërtimi kësaj baze, ose prezenca në kohë paqe e NATO-s në territorin e RSH, sigurisht mbart edhe një “mesazh force” ndaj Rusisë-Putiniste dhe çdo vendi tjetër që vijon të shpërdorohet nga Kremlini: “Kush guxon të sulmojë ushtarakisht jo vetëm integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, por tashmë edhe prezencën e NATOs (siç është Baza Ajrore e Kuçovës), do të përballet dhe do të ndëshkohet në mënyrë shembullore nga fuqia e pakonkurrueshme Ajrore e Aleancës së Atlantikut të Veriut”, që u konfirmua si e tillë më 1999, kundër makinerisë kriminale të Millosheviçit, apo jo?

Nga ana tjetër, ndërtimi kësaj baze në territorin e RSH (edhe pse gjithsesi modeste), i jep (c) peshë shtesë aftësive operacionale të NATO-s, por edhe garanci besimit publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës për mbrojtjen e tërësisë territoriale, në kuadër të artikullit-5, por edhe në kuadër të mbështetjes së stërvitjeve dhe manovrave operacionale të NATO-s dhe Forcave Ajrore të RSH. Për sa (d) përfitimet ekonomike nga ndërtimi i kësaj baze (gjithsesi modeste në kapacitete), nuk janë as pjesë e ekspertizës, as qëllimi i këtij opinioni.

Megjithatë, mund të përmend: “projekti ka nisur në 2018 me reciprokisht 50 milionë euro nga fondi përbashkët i Aleancës (NATO Common Funds) si dhe 5 milionë euro nga pala shqiptare”, që ka edhe përgjegjësitë e vendit pritës (RSH) për: “shpronësimet, ndërtimin e perimetrisë së sigurisë dhe rrugëve lidhëse, standardet e mirëmbajtjes së hangarëve, depozitave të karburantit, ndriçimit, kamerave të sigurisë si dhe të sensorëve të zbulimit përreth bazës”.

Ndërsa përtej konfuzionit që e ushqehet jo vetëm nga ushtria e “sekserëve mendjendryshkur”, shtoj se mundet edhe të ketë efekte ekonomike modeste për komunitetin e biznesit në zonën e Kuçovës, përfitime që gjithsesi do të ndërvaren nga personeli aktiv ushtarak për sigurinë e bazës, operatorët, mirëmbajtjen si dhe kryesisht nga dinamika e aktiviteteve ushtarake, siç janë stërvitjet e NATO/USA (p.sh Steadfast 2024) apo të FARSh etj., që mund të organizohen në këtë bazë. Sigurisht do të doja dhe uroj të jem i gabuar, por nuk besoj kurrsesi se komunitetit të rrethinave të Kuçovës: “Bashkë me këtë bazë do t’i vijë ndonjë parajsë ekonomike, as do të shpërthejnë puse elektorale punësimesh etj.”.

Së treti, pikërisht për këto vlera dhe asnjë mëdyshje, 4 marsi 2024 meriton të skalitet si “një datë që i bën nder historisë së marrëdhënieve të RSH me NATO-n”. Por përtej vullnetit konstant politik në 1994, 2008, 2013, apo 2018, nuk janë kurrsesi vitet që e “veshin me dekorata të ekzagjëruara partinë në pushtet”, ndërsa 2018 është inventarizuar si viti që NAC/NATO ka miratuar projektin e propozuar nga SHAPE për ndërtimit e Bazës Ajrore Mbështetëse të Kuçovës.

Kështu, përtej kakofonisë së jo vetëm opinionistëve të gjithëditur dhe për shkak të së vërtetës duhet qartësuar se: “Parimi i panegociueshëm” për miratimin e projekteve që ndërtohen nga fondi i përbashkët i Aleancës, nuk janë kurrsesi kërkesat/ambiciet e qeverisë së radhës/rastit, por vetëm pesha gjeostrategjike dhe operacionale, që ofrojnë projekti konkret në dobi të misionit të NATO-s për mbrojtjen e sovranitetit të 31 vendeve anëtare. Si ndër dëshmitarët teknikë të reformës së mbrojtjes, më tej si përfaqësues kombëtar ushtarak në Komandën Supreme të NATO-s (SHAPE), më duhet ta konfirmoj me përgjegjësi se “lista me të gjitha infrastrukturat strategjike” (bazat tokësore, detare dhe ajrore të RSH, përfshi Bazën Ajrore Kuçovës etj.) janë vënë vullnetarisht në dispozicion të Aleancës që mbas aplikimit të RSH për në programin e Partneritetin për Paqe në 1994 (PfP/NATO).

Ndërsa për më tej, këtë listë e kam/kemi dorëzuar zyrtarisht (në emër të RSH) në SHAPE sipas një formulari standard (të detyruar) për secilën (çdo infrastrukturë të listës) mbas marrjes së ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukuresht, në prill 2008. Pra, miratimi i projekteve që investohen nga Fondi i Përbashkët i Aleancës (NCF) nuk bazohet kurrsesi në orekset dhe axhendat elektorale të 31 vendeve anëtare apo nga emri, atësia, gjatësia e KM, apo MM në detyrë, por vetëm nga nevojat dhe impaktet operacionale që prodhohen për mbështetjen e policimit ajror si dhe përmbushjen e misionit bazë (artikulli 5) apo/dhe rast pas rasti në angazhimet paqebërëse të Aleancës.

Konkretisht, miratimi për financimin e 50 milion euro për ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës është bërë nga NAC në 2018 (pa asnjë kërkesë specifike të Qeverisë RSH), por vetëm pasi u peshua (nga një listë me qindra baza ajrore të ofruara nga vendet e tjera) si dhe u rekomandua nga Komanda Supreme e NATO-s (SHAPE) si një “bazë ndihmuese eficiente për mbështetjen e operacioneve të Aleancës”. Në përmbledhje të sa më sipër, ndërtimin e kësaj baze të NATO/RSH e çmoj me interesa të larta gjeopolitike, strategjike, operacionale, ekonomike si dhe për besimin publik te fuqia dhe vlerat e Aleancës Euroatlantike. Ndërsa përtej përfitimeve, Tirana Zyrtare duhet të demonstrojë mirënjohje kombëtare dhe përgjegjësi shtetërore shtesë duke përmbushur të gjitha detyrimet dhe standardet e Aleancat të përcaktuara në marrëveshjen e SOFA-s për personelin aktiv të angazhuar në sigurinë fizike, elektronike si dhe përmirësimin e kulturës së bashkëpunimit me Forcat Ajrore të USA/NATO (Ramstein, Gjermani).

Nga ana tjetër, ky projekt jo vetëm zyrtarizon prezencën (footprint) e parë në kohë paqe të NATO-s në territorin e RSH, por edhe që demonstron peshën gjeostrategjike si dhe konsistencën 15-vjeçare të RSH (prej anëtarësimit, 4 prill 2009) si anëtare serioze ndaj kërcënimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta, pasi edhe në këtë rast: “Tirana zyrtare demonstron mbështetje të pakushtëzuar ndaj projekteve për modernizimin e fuqisë ushtarake të Aleancës në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5) të 31 vendeve të NATO-s, mbrojtjen e vlerave dhe interesave euroatlantike (USA/NATO); si dhe deri në fitoren “jo vetëm për Ukrainën”! Duke vlerësuar me interesa të larta/afatgjata kombëtare ndërtimin bazë Kuçovës, na duhet edhe ta nënvizojmë se kësaj arritjeje nuk i vlejnë kurrsesi as ekzagjerimet dhe as privatizimi partiak; as llogjet cinike me “opozitën me/pa brava dhe vulë”; as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si infermieri (pa)shërimi nga “sëmundja bolshevike e të gjitha pushteteve”, por: “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi si dhe “bekimi” nga/ndaj vlerave perëndimore dhe partneritetit strategjik me SHBA, NATO dhe BE”.

Së fundmi, duke iu uruar suksese personelit të Fuqisë Ajrore të NATO-s si dhe kolegëve shqiptarë, e meritojnë po ashtu t’iu shprehim mirënjohjen projektuesve, kontribuuesve për ndërtimin e kësaj baze si dhe domosdoshmërinë e: “Përditësimit të mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat demokratike të pushteteve si dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit me NATO-n”.

*Autori, gjeneral Piro Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n Zv.president i Këshillit të Atlantikut ishIsh-këshilltar i Presidentit, Zv.ShShPFA Përfaqësues ushtarak në SHAPE/NATO.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë