Një zyrtar i NATO-s i ka thënë të enjten Radios Evropa e Lirë (REL) se aktualisht nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme në misionin që e ka kjo aleancë në Kosovë, KFOR.

Ky zyrtar e ka përmendur se forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten periodikisht, me ndryshimin e rrethanave, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin.

REL-i i është drejtuar NATO-s për sqarime pas raportimeve të gazetës amerikane Politico, e cila duke cituar katër diplomatë të aleancës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga NATO-ja të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë në misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR.

Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s është përmendur se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Megjithatë, zyrtari i NATO-s ka thënë se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.

REL-i veçse ka kërkuar më shumë informacion nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes* në këtë drejtim, si dhe nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Mes tjerash, zyrtari i NATO-s ka treguar se aktualisht, SHBA-ja i ka rreth 600 trupa të angazhuar në misionin e KFOR-it dhe e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

Çfarë thuhet në artikullin e Politicos?

Sipas Politicos, në muajt e fundit Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak, dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.

Ky raportim vjen pasi vitin e kaluar ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund të tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitet për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje, u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.

SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Në mes të shqetësimeve për një tërheqje të trupave amerikane nga Evropa, në mars të vitit 2025, Departamenti amerikan i Mbrojtjes i tha Radios Evropa e Lirë se “tash për tash, nuk ka asnjë ndryshim në pozicionimin e forcave për të njoftuar”.

Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar më 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë 4.767 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 33 shtete të ndryshme. Nga ta, 590 trupa janë nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, kampi Bondsteel, që gjendet pranë Ferizajit shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Ky mision paqeruajtës i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e kishte shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, që kulmuan me sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të po atij viti./REL