SHBA - E djeshmja ishte një mbrëmje e mbushur me emocione dhe përballje të forta në NBA, ku skuadrat kryesuese kanë dhuruar spektakël dhe rezultate të rëndësishme në garën për kreun e dy Konferencave.
Në supersfidën mes dy ekipeve që udhëheqin Konferencat respektive, Detroit Pistons triumfoi 124-116 ndaj Oklahoma City Thunder. Kjo ishte një përballje e nivelit të lartë, ku për Pistons u dalluan Jalen Duren dhe Cade Cunningham, që realizuan nga 29 pikë secili, duke udhëhequr ekipin drejt një fitoreje prestigjoze.
Fitore dramatike për Milwaukee Bucks, që mposhti 118-116 Cleveland Cavaliers në sekondat e fundit të takimit. Plot shtatë lojtarë të Bucks, përfshirë titullarët, realizuan mbi 10 pikë, duke treguar forcën e skuadrës.
Jashtë fushe shkëlqeu edhe Golden State Warriors, që fitoi bindshëm 133-112 ndaj Memphis Grizzlies. Vendimtare ishte kontributi i lojtarëve të stolit, të cilët realizuan plot 52 pikë, duke bërë diferencën në këtë sfidë.
Formë të shkëlqyer po kalon edhe San Antonio Spurs, që regjistroi fitoren e 10-të radhazi pasi mposhti 110-107 Toronto Raptors në një ndeshje të ekuilibruar. Devin Vassell me 21 pikë dhe De’Aaron Fox me 20 ishin më të dalluarit për Spurs.
Ndërkohë, fitore të rëndësishme arriti edhe Denver Nuggets, që mundi 103-84 Boston Celtics. Protagonist absolut ishte Nikola Jokic, i cili realizoi 30 pikë dhe udhëhoqi skuadrën drejt një suksesi të pastër.
Rezultatet e ndeshjeve të sotme:
Detroit - Oklahoma, 124-116
Memphis - Golden State, 112-133
Toronto - San Antonio, 107-110
Houston - Sacramento, 128-97
Milwaukee - Cleveland, 118-116
Denver - Boston, 103-84
Komente







