SHBA - 'United Center' në Chicago ka 'folur shqip' mëngjesin e sotëm me orën shqiptare, pasi para ndeshjes së elitës së basketbollit amerikan, NBA, mes vendasve të Bulls dhe Indiana Pacers, një grup shqiptarësh që jetojnë në SHBA kanë performuar me këngë dhe valle tradicionale nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

Atmosfera në sallën e sportit ka qenë shumë e ngrohtë, me tifozët e NBA që kanë nisur të kërcejnë dhe filmojnë grupin e shqiptarëve me veshje tradicionale dhe flamurin kuqezi.

'United Center' ka një kapacitet prej 21 mijë tifozësh, me këta të fundit që kanë parë një pjesë të vogël të traditave shqiptare. Në fund vendasit e Bulls u mposhtën 126 - 145 nga Pacers.