SHBA - Skuadra kampione e Oklahoma Thunder u mund 112-107 në fushën e Minnesota Timberwolves, duke pësuar humbjen e tretë sezonale. Pavarësisht këtij rezultati, Thunder vijon të mbajë kryesimin e renditjes në NBA. 35 pikët e Shai Gilgeous-Alexander nuk mjaftuan për të shmangur disfatën, ndërsa për vendasit u dallua Anthony Edwards me 26 pikë dhe 12 kërcime në tabelë.
Rikthehet te fitorja Boston Celtics, që mposhti 129-116 Miami Heat. Derrick White dhe Jaylen Brown ishin vendimtarë për skuadrën e Bostonit, duke realizuar së bashku 63 pikë dhe duke udhëhequr ekipin drejt një suksesi të rëndësishëm.
Fitore regjistroi edhe Philadelphia 76ers, që kaloi 107-116 New York Knicks. Tyrese Maxey ishte protagonisti i ndeshjes për miqtë, me 30 pikë të realizuara.
Nuk zhgënjeu as San Antonio Spurs, që triumfoi bindshëm 126-98 në fushën e Atlanta Hawks. Sfida u dominua nga miqtë, me Victor Wembanyama që spikati si shënuesi më i mirë me 26 pikë dhe 12 rebound.
Fitore jashtë fushe arriti edhe Chicago Bulls, që mposhti 125-136 Cleveland Cavaliers. Nikola Vucevic dhe Matas Buzelis udhëhoqën Chicagon, duke realizuar nga 24 pikë secili.
Rezultatet në NBA:
Boston - Miami, 129-116
Cleveland - Chicago, 125-136
Minnesota - Oklahoma, 112-107
New York - Philadelphia, 107-116
Atlanta - San Antonio, 98-126
Komente










