Kryeministri Aleksandër Vuçiç dhe gjithë drejtuesit më të lartë të shtetit serb kanë bërë gjithçka për të anuluar udhëtimin e kryeministrit shqiptar në Beograd. Me një qëllim të vetëm, e kanë rrasur në një kënd virtual intolerance ku i vetmi shteg që i ka ngelur për të shpëtuar dinjitetin njerëzor dhe shtetëror është të anulojë një orë e më parë vizitën. Serbët kanë zgjedhur taktikën që aplikohet në tribunat e stadiumeve, por në politikë nuk fitohet me gjeste emocionale, por me veprime cerebrale. Këtë duhet të ketë parasysh Edi Rama deri në provokimin e rradhës së Beogradit.

Që në sekondën e parë të anulimit të ndeshjes, dilema më e madhe nuk është se çfarë vendimi do të marrë UEFA por a do zhvillohet vizita e parë pas 68 vitesh e një kryeministri shqiptar në Beograd. Vetëm miopët mund të mos e shikojnë se kjo vizitë zhvillohet në kuadrin e një prej përplasjeve më të mëdha gjeopolitike të kohës. Sigurisht kjo përmasë nuk është për shkak të Edi Ramës. Atij thjesht i rastisi që në 22 dhe në 23 tetor të jetë kryeministri i Shqipërisë.


Gati askush në Tiranë nuk po flet për thelbin e vizitës së Putinit as për dy telefonatat brenda 24 orëve të zëvendëspresidentit amerikan Bajden me Vuçiç. Pak orë para se të shkonte në paradën, ku për nder të presidentit rus Serbia kishte nxjerrë në rrugë gjithë arseanlin e saj ushtarak, Vuçiç me ton gati ultimativ i deklaroi Bajdenit se “Amerika duhet të zgjedhë mes një Serbie normale dhe një Shqipërie të madhe”. Por a po vepron Serbia si një vend normal evropian?
 
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të Komisionit Evropian, Serbia është i vetmi vend në kontinent që refuzon të zbatojë sanksionet kolektive kundër Rusisë. Në kohën kur tanket ruse në Ukrainë përbëjnë një nga dy shqetësimet më të mëdha të Perëndimit, Beogradi rishpalli dy ditë më parë aleancën ushtarake me Kremlinin.
 
“Ushtritë e dy vendeve tona kanë qenë gjithmonë bashkë dhe bashkë do jenë në çdo kohë”, i deklaroi presidenti serb Putinit në hapje të paradës. Agjencia serbe e lajmeve B92 raporton se në tribunën e paradës krahas autoriteteve më të larta ruse dhe serbe ishin dhe tre të dënuar për genocid dhe krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, ish-kryeministri jugosllav Milutinoviç dhe dy gjeneralë serbë.
 
Në fakt kjo paradë është gjëja më pak e shtirrur që është shfaqur në 15 vitet e fundit në Beograd. Ishte tërësisht genuine për një arsye të thjeshtë historike. Ekspansioni rus në Evropë ka shkaktuar ekspansionin serb në Ballkan dhe shembja e “Perandorisë së keqes” ka shkaktuar dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Rusë dhe serbë ishin bashkë në atë paradë për të dëshmuar se do jenë simbiotikisht bashkë dhe në këtë realitet të ri gjeopolitik. Katër nga pesë marrëveshjet që u nënshkruan në Beograd ishin tërësisht në fushën e bashkëpunimit ushtarak . Madje dhe e pesta, ajo për gazin, është në të njëjtën linjë nëse kemi parasysh që Putin i përdor tubat e Gazpromit në Evropë si dikur Breznjevi tanket e ushtrisë së kuqe.

Gjatë javës së fundit Beogradi ka bërë gjithçka për të provokuar Perëndimin. Replikat me Ramën janë thjesht një nga detajet e kësaj panorame. Vuçiç e shikon takimin me Ramën si me kryeministrin e një vendi anëtar të NATO-s , takim që duhet ta zhvillojë një javë pasi ka rikonfirmuar urbi e orbi aleancën shekullore ushtarake me Kremlinin. Për këtë arsye kërkon që ta anulojë, por fajin për anulimin e saj, në sy të Perëndimit, kërkon t’ia faturojë Shqipërisë. Reagimet e tij janë skizofrenike sepse ka dy realitete në subkoshiencën e tij. E konsideron jetike aleancën ushtarake me Rusinë, por kërkon të përfitojë ekonomikisht nga avantazhet e integrimit ne Bashkimin Evropian. Dhe tensionet që shkakton rikthimi rus në Ballkan kërkon tua faturojë shqiptarëve. Kërkohet një fajtor për ndërprerjen e dialogut Serbi-Shqipëri, dialog i kërkuar me insistim nga Perëndimi. Rama nuk ka përse të bjerë në këtë grackë. Ca më tepër që këtë vizitë ia kërkon Uashigtoni dhe Brukseli.

Shumë vetë nuk mendojnë kështu. I pari që i kërkoi Ramës anulimin e vizitës ishte Shpend Ahmeti. Madje kryetari i Komunës së Prishtinës e bëri këtë deklaratë disa ditë para incidenteve në stadiumin e Beogradit. Nuk e di me çfarë merrej Shpend Ahmeti në dimrin e vitit ‘98-‘99, por dhe sikur komandant brigade të kishte qenë duhet të çlirohet nga iluzioni se Kosovën e çliroi UÇK. Fati i madh, fati historik i shqiptarëve u vendos nga avionët e NATO-s. Për këto interesa gjeostrategjike, diplomacia shqiptare në rajon duhet të jetë në funksion të çdo lëvizjeje qoftë dhe taktike të Perëndimit.
 
Dhe Lulzim Basha i kërkoi Ramës të anulojë vizitën. Për këdo që njeh minimalisht politikën aktuale shqiptare është e qartë se ky është qëndrimi i Berishës. Kjo është të paktën hera e dytë kur partia e ish-kryeministrit kërkon të krijojë një çarje mes një qëndrimi të unifikuar të qeverisë shqiptare dhe Perëndimit. Herën e parë ndodhi në pranverën e vitit 1999. Qeveria e atëhershme shqiptare me kërkesën këmbëngulëse të Uashigtonit i bëri thirrje publike delegacionit shqiptar në Rambuje që të firmoste marrëveshjen, ndërkohë që Berisha e konsideroi tradhëti kombëtare. 

Përmasat e Rambujesë janë mijëra herë më dramatike se një vizitë e Ramës në Beograd. Megjithatë kanë dy elementë të përbashkët. Elementi i parë është se Perëndimi kërkon të bëjë diferencën se kush është për stabilitetin në rajon: shqiptarët, serbët, apo ndoshta të dyja palët bashkë. Elementi i dytë është se për ngjarje të tilla nuk duhet të bëhen kalkulime elektorale në Tiranë.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)