Për të parë nga afër ecurinë e fazës së parë të punimeve për ndërtimin ose rikonstruksionin e rrugëve të aksesit, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ishin këtë të dielë në segmentin rrugor Vithkuq Shtyllas. Duke e cilësuar një projekt jo të thjeshtë që mund të shoqërohet edhe me probleme, numri dy i qeverisë tha se është e nevojshme që konsorciumi në radhë të parë të mbajë përgjegjësi sociale në raport me komunitetin që preken nga ndërhyrjet për të krijuar terrenin e duhur të gazsjellësit TAP.
"Ka nevojë edhe për një përgjegjësi sociale të konsorciumit në radhë të parë, në raport me komunitetet sepse nuk është një projekt i thjeshtë dhe duhet ta themi. Të përgatisim edhe veten tonë, edhe komunitetin se është një projekt i vështirë derisa të realizohet, do të krijojë problemet e veta në funksionimin e jetës së përditshme në komunitet por natyrisht që edhe përfitimi është disafish më i madh. Ne kemi marrë sot edhe angazhimin serioz të kompanisë, të konsorciumit për të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e veta sociale në mënyrë që komuniteti në vazhdimësi ta shohë këtë projekt si përfitim dhe jo si një kosto", u shpreh Peleshi, duke vlerësuar gjithashtu nevojën për një bashkëpunim sa më të mirë me komunitetet lokale.
Edhe ministri Gjiknuri vuri theksin tek kujdesi që duhet treguar ndaj komunitetit, pasi veç avantazheve nga ky projekt, duhet të shmangen efektet negative të investimeve.
"Janë bërë goxha investime në pjesë të vështira, me terren të vështirë. Viti 2016-2017, do të jetë dhe viti kryesor ku do të disbursohet pjesa më e madhe e parave dhe do të ketë një ndikim imediat në ekonominë shqiptare. Patjetër, qeveria shqiptare po bashkëpunon me kompaninë TAP edhe për të adresuar problemet e komunitetit. Këto ndërhyrje në infrastrukturë sjellin padyshim avantazhe por shoqërohej dhe me probleme dhe ne sot me zv.kryeministrin erdhëm vet për ti parë, ashtu sikurse për të menduar se si mund të përmirësojmë efektet tek komuniteti në terma afatgjatë", u shpreh Gjiknuri.
Në mesin e vitit 2016 pritet të nisin punimet për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimit të tij për gazsjellësin TAP. Faza e punimeve civile është faza e parë që ka të bëjë me rrugët. Deri më tani janë 1050 persona të punësuar për realizimin e projektit në vendin tonë.
Menaxheri lokal i TAP-it në Shqipëri Shkëlqim Bozgo informoi përfaqësuesit e qeverisë për ecurinë e punimeve të fazës së parë.
"Jemi sot këtu në një vizitë në rrugën Vithkuq-Shtyllas. Kjo është një nga punimet përgatitore të TAP-it, për të filluar vitin që vjen me punimet e tubacionit. Pamë këtu cilësinë e punimeve dhe sfidat me të cilat përballet projekti. Progresi i punimeve është në përputhje me planifikimet që ne kemi bërë. Presim që nga fundi i Janarit të vijnë në Shqipëri tubacionet e para, ose në fillimin e Shkurtit. Nga Marsi do të fillojmë transportimin e tubacioneve për t'i shpërndarë përgjatë korridorit të tubacionit. Synimi është që nga mesi i vitit që vjen të fillojmë punimet reale për hapjen e trasesë së tubacionit dhe ndërtimin real të tij", - u shpreh Bozgo.
Rreth projektit TAP
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt për zhvillimin e një tubacioni që do të transportojë gaz natyror nga rajoni Kaspik në drejtim të Evropës.
TAP-i as lidhjes me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turko-Grek, do të përshkojë Greqinë e Veriut, Shqipërinë, Detin Adriatik e më pas do të dalë edhe një herë në tokë në Italinë Jugore për t’u lidhur me rrjetin italian të gazit natyror.
Gjurma e TAP-it përmes Shqipërisë është rreth 215 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare.
Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor, si dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliard metra kub (bcm). Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi.
Gjatë verës së vitit 2015, TAP nisi ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri. Në zonat malore, do të ndërtohen afërsisht 51 km rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 km ekzistuese do të përmirësohen. Do të rehabilitohen 42 ura dhe do të ndërtohen tre të reja. Punimet pritet të përfundojnë në vitin 2016, ndërkohë që ndërtimi i vetë gazsjellësit do të nisë në verën e vitit 2016.
Puna për ndërtimin e çdo ‘segmenti’ zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. Si edhe në pikat e tjera të gjurmës së TAP-it, tubacioni do të jetë i futur nëntokë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)