Flamurtari fiton ndeshjen e parë finale përballë Partizanit me shifrat 90-58, duke e nisur me këmbën e mbarë fazën “play-off” për titullin kampion ne basketboll per femra.
Ndeshja u dominua nga ekipi vlonjat, i cili krijoi menjëherë diferencë në pikë ndaj kundërshtarit, duke e mbyllur periodën e parë me 10 pikë avantazh. Ritmi i mirë për Flamurtarin vijoi edhe në periodën e dytë, me skuadrën që e mbylli pjesën e parë në avantazhin 39-26.
Menjëherë pas pushimit, në periodën e tretë ishte sërish Flamurtari që luajti më mirë në parket, duke zhvilluar edhe 10-minutëshin më të mirë dhe duke thelluar diferencën në shifrat 61-35. Partizani duket se nuk pati shumë mundësi t’i bëjë ballë ekipit vlonjat, i cili, edhe me përkrahjen e publikut në shkallët e pallatit të sportit, e mbylli takimin me rezultatin 90-58, duke nisur me fitore finalet për titullin kampion në basketboll për femra.
Pas ndeshjes, trajnerja e Partizanit, Eliverta Bujari, theksoi se ky nuk ishte Partizani që pritej, por shtoi se ka ende rrugë përpara.
Ndërkohë, Elona Hasanaj për Flamurtarin u shpreh se ishte shumë e rëndësishme ta nisnin me fitore këtë fazë, duke qenë se objektivi i ekipit është titulli kampion.
Takimi i dytë mes dy skuadrave do të luhet ditën e mërkurë në kryeqytet.
Komente








