Kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferri ka ndërruar jetë sot pasdite si pasojë e hemorragjisë cerebrale, njofton Zhurnal.
Mjeku Sllobodan Damjanoski ka konfirmuar lajmin. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

I ndjeri Xhaferi javën e kaluar është gjetur në shtëpinë e tij në gjendje kome, pasi kishte patur sulm në tru.

Kryetari i mëparshëm i PDSH-së, disa vite me radhë ka vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit dhe për shkak të gjendjes shëndetësore pas 12 vitesh që kishte udhëhequr me PDSH-së, në vitin 2007 u largua nga posti lider partie.

Xhaferi është lindur në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Ka mbaruar Fakultetin Filozofik. Deri në vitin 1990 ka punuar radiostacionet televizive në Prishtinë, Kosovë si kryeredaktor i programit kulturor.
Ka qenë kryetar i PPD-së në Maqedoni nga 18 prilli i vitit 1995, e më pas lider i Partisë Demokratike Shqiptare deri në vitin 2007.
Në zgjedhjet e dyta parlamentare në Maqedoni është zgjedhur si deputet i pavarur (1994), e më pas si deputet i PDSH-së dhe gjatë luftës në Maqedoni, ishte nëshkrues i Marrëveshjes së Ohrit.

/rg/shqiptarja.com/