HIMARE - Virusi i shkatërrimit urban që shkatërroi dy pasuritë tona më të mëdha turistike, Sarandën dhe Golemin, këtë vit është shfaqur hapur në bregdetin e Dhërmiut dhe Himarës.

Drejtori ekzekutiv i “Ekolëvizja”, Xhemal Mato, me anë të disa fotove të sjella në Shqiptarja.com, denoncon problematikën e shkatërrimit të natyrës në zonat bregdetare që tregojnë ndërtime në buzë të detit e ngritje parcelash në kodrat pranë tij.

Mato thotë për gazetën tonë, se sinjalizimi mbi shkatërrimin urban që po ndodh në Dhërmi e Himarë, i erdhi me thirrjen “CRIME” (Krim!) nga Anton Avigon që punon në Delegacionin e Komisionit Europian.

Fotot tregojnë një ndërtim që shkatërron shkëmbinjtë dekorativ në Dhrimade deri në buzë të detit, nga ndërtues dhe investitorë nga Tirana “ashtu si ishin dhe për Sarandën”.

Sipas drejtorit Mato “ndërtuesi dhe politikani që e mbron atë nga shkelja e ligjit e quajnë këtë "zhvillim" dhe "investim në turizëm", ndërsa shton se “shembullin e këtij zhvillimi tani e kemi mësuar në Sarandë”.

Ndërkaq, Xhemal Mato paraqet edhe një tjetër rast, por që sipas tij “po bëhen shumë të tilla”, në bregdetin e Qeparoit ku me anë të fotove duket qartë “shkatërrimi që po i bëhet natyrës dhe bregdetit me ndërtimet e hoteleve pranë bregut”.

Nëpërmjet denoncimit të tij në Shqiptarja.com, drejtori i “Ekolëvizja”, Xhemal Mato, ngre pyetje dhe alarm për të gjithë shoqërinë duke thënë: “A duhet lënë që dhe bregdeti i Himarës të kthehet si Saranda? Mendoj se duhet të gjithë të ngremë alarmin”.

Ligji i ri për ndërtimet në bregdetin Vlorë-Sarandë nuk lejon të ndërtohen më afër se 100 metra nga bregu i detit.

(gm/shqiptarja.com)