Pas protestës së zhvilluar te parku i liqenit artificial, përfaqësues të Shoqërisë Civile u pritën në një takim pasditen e të dielës nga Kryeprokurori, Adriatik Llalla. Sazan Guri, Eljan Tanini, Ervin Goci dhe Artan Manushaqe kanë denoncuar te kreu i organit të akuzës projektin e Bashkisë së Tiranës, për shkelje ligjore.
 
Aktivistët thonë se Bashkia ka falsifikuar lejen e ndërtimit të këndit të lojërave dhe se për këtë të hënën ata do të depozitojnë edhe një kallëzim penal në prokurori.

“Prokuroria që sot hap procesin penal. Nesër do të bëjmë një lloj kallëzimi nga qytetarët që të ketë spunto për Prokurorinë dhe besojmë se siç na tha edhe Prokurori i Përgjithshëm, ne do të vazhdojmë rrugën tonë, për këto shkelje të rënda penale. Në muajin Janar ka shpallur tender pa patur projekt. Ka marrë vendimin ditë më pas se të bëhej protesta e ditës së mërkurë dhe ne dyshojmë se ai vendim duhet të ketë në numër të një date të mëparshme. pra, vend gabimeve të mëdha si mungesa e lejes së ndërtimit, mungesa e lejes mjesidore, informimi i publikut dhe KKT e Republikës arrin ta bëjë vendimin të pjesshëm përsa kohë projekti nuk është plotësuar me studimet e duhura. Jemi në një proces të paligjshëm të bashkisë e cila ka ndërhyrë në Park duke shkelë lejet e mjedisit, të ndërtimit e deri në falsifikim të datave para vendimmarrjes së ndërhyrjes,” tha Sazan Guri për mediat.

Ndonëse kundërshtojnë ndërhyrjen në Parkun e Liqenit, aktivistët nuk janë kundër projektit, por rekomandojnë ndërtimin e këndit të lojërave në një vend tjetër. 

“Ne nuk jemi kundër projektit, por jemi që projektet të bëhen në vendin e duhur, si p.sh nën digë dhe në pjesë të tjera bosh, në zona të mbyllura të Tiranës. Ndaj, mendoj se ka vend për vepra dhe shkelje të rënda penale,” deklaroi ambientalisti Guri.

Deklaratat e Bashkisë së Tiranës se në krye të protestave qëndron Partia Demokratike dhe një grup njerëzish të cilët për 4 vjet e lanë kryeqytetin të dergjet në plehra, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile i hedhin poshtë, ndërsa prova e tyre është protesta e opozitës të hënën te Liqeni, të cilës ata nuk do t’i bashkohen. 

Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile janë ankuar te Kryeprokurori Adriatik Llalla edhe për dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës, duke i kërkuar të nis hetimet.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)