Shkrimtari Dritëro Agolli u vlerësua me çmimin, “Pena e Artë”, ku në mungesë të tij, për shkak të gjendjes shëndetësore, çmimin e tërhoqi e mbesa.
Gazetari Filip Çakulli mori çmimin e Karrierës, gazetarja Tefta Radi çmimin, “Spikere e Shkëlqyer e Ekranit Shqiptar”, gazetarja Teuta Shamku e AS TV, Alban Beqja dhe Kreshin Martini morën çmimin “Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike, si dhe gazetari nga Kosova Zekerija Shabani, Gazeta “Tribuna dhe gazetari Maqedonia Zejnulla Veseli, gazeta “Koha”, morën çmimin Vangjush Gambeta.
Gazetarit nga Maqedonia i është dorëzuar çmimi nga kryeparlamentari Ilir Meta, i pranishëm në ceremoni. “Ishte një kënaqësi e veçantë që sot të merrja pjesë në këtë aktivitet mjaft domethënës duke inkurajuar të gjithë gazetarët për të qenë sa më aktivë sidomos lidhur me çështjet ekonomike apo edhe me ato të integrimit sepse edhe vetë integrimi në radhë të parë është një sfidë ekonomike për vendin tonë dhe për shoqërinë tone”, u shpreh Meta
Këtë vit, çmimet “Vangjush Gambeta” janë përzgjedhur nga një juri e përbërë prej gazetarësh ekonomikë, të drejtuar nga Bardh Sejdarasi me anëtarë Eglantina Nasi, Ersuin Shehu dhe Ibrahim Rexhepi e Arben Rakoçeri.
Kreu i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, ka folur veç të tjerash në fjalën e tij edhe për investimet e huaja në Shqipëri, duke i cilësuar ato si “me shumë rëndësi”.
AHMETAJ: VENDI NE SITUATE TE VESHTIRE EKONOMIKE
Në aktivitet ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ahmetaj ka folur për gjendjen e ekonomisë në vend dhe rolin e gazetarisë ekonomike në vend. Ai ka vërejtur se vendi është në momente të vështira ekonomike dhe se mbështetja e reformave ekonomike është diçka me rëndësi për situatën dhe momentin ku po kalon vendi.
Ministri Ahmetaj ndërsa ka folur për buxhetin e shtetit ka folur veçanërisht për gazetarinë ekonomike dhe gazetarët që mbulojnë atë. “E keni detyrim qytetar për të këmbëngulur te informaliteti. Ju e dini se qeveria ka sulme, çdo qeveri ka sulme nga shumë lloje interesash, lobe të dukshëm e të padukshëm. Gazetaria ekonomike ka detyrim t’i shërbejë qytetarit, për të bërë skanim të interesave. Ju nuk duhet të lini qeverinë të bjerë pre e interesave. Mendoj se kjo është detyrë e gazetarisë”, ka vërejtur Ahmetaj.
Sipas tij, duhet që gazetarët të pyesin dhe të kuptojnë pse i ndërmarrim këto masa fiskale të rëndësoishme. “Po të isha gazetar do të pyesja çfarë janë reformat strukturore, a ka ekuilibër të detyruar? Do të bëja analizë dhe do t’i tregoja gishtin qeverisë. Do të thoja: cilat janë masat që po merr për informalitetin? Gazetaria është instrumenti kryesor për të detyruar qeverinë të bëjë gjëra e duhura”.
Më tej ai ka folur për gazetarinë investigative, si pjesë tepër e rëndësishme e gazetarisë, veçanërisht në fushën ekonomike. “Mos u influenconi nga ata qëkanë pronë median. Ju keni mison të ndryshëm nga pronarët e mediave: Të bëni transparencë për çdo gjë që ndodh në fushën ekonomike, në rastin konkret”. Ahmetaj nënvizoi se gazetaria investigative bën diferencë të madhe në vendimmarrje dhe si e tillë është shumë e rëndësishme, ndaj ai premtoi se herën tjetër do të ndihmojë që aktiviteti ku ishte i pranishëm, të jetë më i madh.
I pranishëm në tryezën e çmimeve ishte edhe Ardian Civici. Ai foli veç të tjerash për gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se ekonomisë shqiptare sot, i mungojnë një seri të ardhurash që i kanë ardhur rregullisht këto vite. “Janë qindra mijëra euro që i mungojnë”, aka nënvizuar ai, ndërsa ka shtuar se duhet pyetur: “Çfarë strukture do të ketë rritja ekonomike, ekonomia shqiptare që të zëvendësojë këto para dhe të prodhojë më shumë? Çfarë detyre do t’i vemë bujqësisë? Ç’të bëjmë për turizmin”. Çelësi i përgjigjeve sipas tij është në zbërhtimin e modelit ekonomik, zbërthimin e strukturës që japin sektorë të veçantë në ekonominë kombëtare. “Buxheti, me të drejtë ka jo vetëm taksa të sheshta dhe progresive. Por më mirë se kushdo, gazetaria ekonomike është ajo që duhet t’iu hyjë në thelb këtyre problemeve”, përfundoi Civici.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)