PRISHTINË, 11 Dhjetor/ATSH/.- Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në dy seanca plenare javën e ardhshme, 15 dhe 18 dhjetor, ku dhe do të mbajë fjalimin vjetor presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Sipas KosovaPress, kështu është vendosur në kryesinë e Kuvendit të mbledhur sot në të cilën u bë edhe ndarja e 14 Komisioneve Parlamentare.
PDK do të drejtojë katër komisione, LDK po ashtu katër, Vetëvendosje dy, AAK një, Nisma një dhe minoritetet dy, një serbët dhe një jo serbët.
Pas mbledhjes së Kryesisë, opozitarët u shprehen të pakënaqur me ndarjen e Komisioneve, duke thënë se opozitës nuk iu jepen Komisionet që janë me të rëndësishme, në mënyrë që të jetë në gjendje të kontrollojë sa më shumë punën e Qeverisë.
Lidhur me seancat plenare, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se duke parë vonesën në punën e Kuvendit, kanë caktuar dy seanca për javën e ardhshme.
Ndërsa Kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, duke shprehur pakënaqësinë për ndarjen e Komisioneve, tha se kjo metodologji e përzgjedhjes së komisioneve nuk e lejon opozitën që të bëjë përzgjedhjen e komisioneve të rëndësishme, përmes të cilave do të monitoronte më shumë punën e ekzekutivit.
Edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ata propozuan që opozitës t'i jepet më shumë hapësirë në udhëheqjen e komisioneve me të rëndësishme, në mënyrë që ajo të shërbej si kontrolluese e Qeverisë. Sipas tij "opozitës nuk iu dha hapësirë për mbikëqyrjen e ekzekutivit".
"Ne kemi propozuar që komisioni për Buxhet dhe Financa të drejtohet nga opozita", ka theksuar Ymeri. Sipas tij, për këtë s'ka pasur mirëkuptim nga subjektet e pozitës, sepse ata e donin këtë komision që ta vazhdojnë avazin e vjetër, ku ndarja e parasë publike të bëhet çështje ekskluzive e koalicionit qeverisës.
VV-ja do të kryesojë dy komisione, atë për Legjislacion dhe atë për mbikëqyrjen e Financave publike.
Ndërsa, Shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se partisë së tij i takojnë katër komisione. PDK do të udhëheqë komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Arsim, Komisionin për Shëndetësi dhe Komisionin për Administratën Publike.
Ai tha se grupet parlamentare janë të detyruar që deri të shtunën në orën 12:00 të japin emrat e kryetarëve dhe nënkryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për t'i aprovuar pastaj në seancë.
Ndërsa, LDK do të udhëheqë Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Integrime Evropiane, Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe atë për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione./m.m/









