Ndahet nga jeta akademiku Gudar Beqiraj, Akademia e Shkencave: La gjurmë në jetën e këtij institucioni

Ndahet nga jeta akademiku Gudar Beqiraj, Akademia e Shkencave: La gjurmë në jetën e këtij institucioni

Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të akademikut Guda Beqiraj. Akademia e Shkencave shprehet se Beqiraj la gjurmë në jetën e këtij institucioni dhe ishte ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës. Akademiku Beqiraj prej tri dekadash ishte i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit.

Deklarata e plotë e Akademisë së Shkencave

Kryesia e Akademisë së Shkencave njofton me hidhërim të thellë se akademiku Gudar Beqiraj ndërroi jetë nga një sëmundje e papritur.

Gudar Beqiraj ishte një nga anëtarët e Asamblesë me më shumë gjurmë në jetën institucionale të Akademisë së Shkencave.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për Akademinë tonë të Shkencave, për bashkësinë e studiuesve të fushave ku ai veproi, për miqtë e shumë në universitete brenda dhe jashtë vendit, për qytetarët e shumtë me të cilët e patën lidhur interesat e tij të fuqishme dhe ndjenjat e fisme njerëzore.

Gudar Beqiri ishte njeriu i kërkimit dhe i pasioneve, i punës dhe drejtimit shkencor, i përgjegjësive administrative dhe vullnetarizmit olimpik, i ekspertizës në fushën e informatikës aplikative brenda dhe jashtë vendit.

Akademik Gudar Beqiraj i takon atij brezi që mori formimin bazik në Universitetin e Tiranës dhe u formua e specializua jashtë vendit. I diplomuar në fushën e matematikës, ai plotësoi kualifikimin në fushën e gjeostatikës në Qendrën e njohur të kësaj fushe në Fontainbleau (Francë), duke thelluar njohjen në fushën e krijuar me tezën e doktoratës ”Transformimi Fourier dhe aplikimet e tij”. Ai është ndër të parët specialistë shqiptarë të formuar në metodat e informatikës së aplikuar në fushën e gjeofizikës (Universiteti Paris VI, Francë), duke vijuar më tej me formimin përmes punës në Universitetin “La Sapienza” (Romë) dhe me drejtimin e projektit informatik katërvjeçar për regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave të kadastrës italiane.

Gudar Beqiri ka përfaqësuar dijen vendëse në fushën e informatikës aplikative qysh në vitet 1980, si pjesëmarrës në veprimtari të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, si Kongresi III Botëror i Gjeostatistikës (Avignon, 1987); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (1989, Çeki); në simpoziumin “Codota” (Leeds, 1990)); në simpoziumin ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në gjeologji-miniera (me një vlerësim me medalje argjendi të paraqitjes shkencore, Çeki, 1991).

Që prej tri dekadash akademik Gudar Beqiraj është i përfshirë në ekspertizë dhe oponencë shkencore ndërkombëtare nga institucione jashtë vendit. Vlerësues i jashtëm në programe doktorate në Francë, specialist i ftuar për vlerësimin e projekt-propozimeve në kuadrin e programit “Copernicus” të Komisionit Europian, drejtues në projektet e Komisionit Europian “Seeren”, “Seeren2”, “Isotea”, “Seefire”, “See-grid”, “See-grid2”, “See-grid-sci”, “Ict-ëeb-proms”.

Gudar Beqiraj ka veprimtari universitare të pandërprerë që prej më shumë se katër dekadash, si pedagog i matematikës dhe i informatikës. Ai është autor i shumë artikujve dhe botimeve në shqip e në gjuhë të huaj në fushat ku ushtron veprimtarinë kërkimore-shkencore. Në karrierën e akademikut Gudar Beqiraj numërohen detyra të rëndësishme, që prej atyre të drejtimit shkencor (si dekan) deri tek drejtimi institucional (si drejtor i Institutit të Matematikës Llogaritëse INIMA). Gudar Beqiraj ka drejtuar Akademinë e Shkencave i zgjedhur nga Asambleja në detyrën e kryetarit dhe të zëvendësit. 

Përveç veprimtarisë shkencore, universitare dhe administrative, Gudar Beqiraj është një personalitet në fushën e sportit të peshëngritjes, si sportist dhe arbitër (duke përfshirë arbitrimin në kategorinë e parë ndërkombëtare), si president i federatës kombëtare të këtij sporti dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, si kryesues i delegacioneve shqiptare në lojërat olimpike, kampionatet botërore, lojërat mesdhetare dhe kampionatet europiane e ballkanike. Për këtë veprimtari ai është nderuar me diploma nderi nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, si dhe me “Urdhrin Olimpik” kombëtar.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Nuk hani mëngjes? Ja dëmet që i shkaktoni shëndetit tuaj duke shmangur këtë vakt të rëndësishëm

Nuk hani mëngjes? Ja dëmet që i shkaktoni shëndetit tuaj duke shmangur këtë vakt të rëndësishëm