Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, diplomati e publicisti Bashkim Zeleni, është ndarë ditën e sotme nga jeta.

Bashkim Zeneli ka patur një angazhim të gjatë në gazetari, politikë dhe diplomaci.

Ai e nisi karrierën si përkthyes i gjuhës gjermane dhe më pas si gazetar e analist i çështjeve të politikës së jashtme.

Në vitin 1991 u përfshi në politikë si sekretar për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste dhe për dy legjislatura u zgjodh deputet.

Në vitet 1998–2002 ai shërbeu si ambasador I Shqipërisë në Gjermani dhe më pas, deri në vitin 2005, si ambassador në Greqi.

Në vitin 2018, Presidenti i kohës Ilir Meta i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Ai ka marrë po ashtu dhe vlerësime të tjera, si titulli “Qytetar Nderi” i Athinës dhe medalja e artë “Zgalemi i Lirisë”.

Bashkim Zeneli ishte gjithashtu autor i disa botimeve, të cilat reflektonin eksperiencën e tij si diplomat. Mes tyre spikasin librat “Miqësi e trazuar” mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe “Për Gjermaninë”

Përmes një reagimi në rrjetete sociale, kryeparlamentari Niko Peleshi ka shkruar se Zeneli i kushtoi jetën shërbimit publik.

Reagimi i Peleshit:

I trishtueshëm lajmi për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, diplomat dhe publicist, intelektual i radhëve të hershme në Partinë Socialiste, i cili i kushtoi një jetë të gjatë shërbimit publik.

Me kontributin politik, veprimtarinë parlamentare dhe në detyrën e ambasadorit në Gjermani e Greqi, Bashkim Zeneli dha një kontribut të çmuar për vendin dhe për forcimin e miqësisë me fqinjët dhe partnerët e Shqipërisë. Me shkrimet dhe kujtimet e tij, ai la gjithashtu një dëshmi të vyer për historinë e diplomacisë shqiptare.

Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij.

U prehtë në paqe!

Edhe ish-presidenti Ilir Meta ndau një postim ku shprehu trishtimin e tij. Ai vlerësoi njohjen me Zenelin dhe punën krah tij në periudha të rëndësishme politike dhe në sfidën për çështjen e Kosovës.

"Bashkim Zeneli përfaqësoi modelin e denjë të politikanit të urtë dhe largpamës, të reformave dhe orientimit të qartë euro-atlantik të Shqipërisë, por edhe diplomatin që dinte t’i jepte prioritet forcimit të gjithanshëm të bashkëpunimit me fqinjët. Politikan i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe sidomos mbështetës i palodhur i lëvizjes çlirimtare të Kosovës. Angazhimi i tij i vyer si ambasador në Gjermani gjatë krizës së Kosovës do të mbetet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në shërbim të kësaj çështje madhore kombëtare", shkroi Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:47
Ilir Meta reagon për ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit: Diti të notonte në ujëra të qeta e të trazuara, politikan largpamës e diplomat i vyer

Ilir Meta ka ndarë një postim ku shpreh trishtimin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Bashkim Zeneli. Ai vlerëson njohjen me të dhe punën krah tij në periudha të rëndësishme politike dhe në sfidën për çështjen e Kosovës.

Kreu i Partisë së Lirisë rendit kontributin e Zenelit si ambassador në Gjermani, konsolidimin e politikës së jashtme të Shqipërisë të orientuar drejt NATO e BE dhe vlerën që puna e tij ka lënë pas për diplomatët e rinj.

Ish-presidenti i shpreh ngushëllimet familjes ndërsa përshkruan Zenelin si ‘notar’ të aftë të ujërave të qeta e të trazuara.

Deklarata e plotë:

Me trishtim të thellë mësova lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të personalitetit të shquar të diplomacisë, politikës, gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, Bashkim Zeneli.

Ishte kënaqësi e veçantë ta njihja nga afër dhe të bashkëpunoja me të në periudha shumë të rëndësishme të transformimeve demokratike, të reformimit të Partisë Socialiste ku luajti një rol kryesor, por edhe të sfidave të mëdha për çështjen kombëtare, në veçanti të Kosovës.

Bashkim Zeneli përfaqësoi modelin e denjë të politikanit të urtë dhe largpamës, të reformave dhe orientimit të qartë euro-atlantik të Shqipërisë, por edhe diplomatin që dinte t’i jepte prioritet forcimit të gjithanshëm të bashkëpunimit me fqinjët.

Politikan i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe sidomos mbështetës i palodhur i lëvizjes çlirimtare të Kosovës.

Angazhimi i tij i vyer si ambasador në Gjermani gjatë krizës së Kosovës do të mbetet i veçantë dhe i jashtëzakonshëm në shërbim të kësaj çështje madhore kombëtare.

Kjo është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen e dashur dhe të mrekullueshme Zeneli, pranë së cilës ndodhem në këto momente shumë të rënda, por për të gjithë miqtë, ata që e njohën nga afër dhe bashkëpunuan me të.

Ngushëllimet më të ndjera për Zonjën Ëngjëllushe (Lushin), vajzat e tij Valbona dhe Rudina, si edhe për të gjithë të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij të shumë jo vetëm në tokën shqiptare po kudo Europë dhe botë.

Kontributi i tij për ndërtimin dhe konsolidimin e një politike të jashtme afatgjatë të Shqipërisë, të orientuar qartë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Europian, si dhe për forcimin e pandërprerë të fqinjësisë së mirë, do të mbetet gjithmonë një vlerë dhe trashëgimi e vyer për të gjithë diplomatët e rinj shqiptarë.

Bashkim Zeneli diti të notojë gjithmonë në mënyrë të shkëlqyer, jo vetëm në ujra të qeta e të kthjellta por edhe të trazuara dhe me dallgë, falë aftësive të tij tepër të veçanta, mendje-mprehtësisë dhe largpamësisë!

Të prehet në paqen e merituar! I paharruar kujtimi i Tij!