Ndahet nga jeta ish-ministri i Shëndetësisë Cikuli, Meta, Basha dhe Ruçi shprehin ngushëllimet: Iku një personalitet i mjekësisë shqiptare

Ndahet nga jeta ish-ministri i shëndetësisë dhe mjedisit, zyrtari i lartë në PD dhe themeluesi i gjenetikës shqiptare profesor Maksim Cikuli.

Cikuli është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në moshën 68- vjeçare, ndërsa ka mbajtur dhe poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së PD si ish ministër i Shëndetësisë dhe ish ministër i Mjedisit. Ai ishte profesor doktor i specializuar në fushën e gjenetikës duke dhënë kontributin e tij në këtë fushë, ndërsa si politikan  shërbeu në poste të rëndësishme në qeveritë e Partisë Demokratike.

I lindur në Korçë në vitin 1952, Cikuli shërbeu si Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit. Ai ka qenë pjesë e forumeve drejtuese të PD që prej vitit 1994, si anëtar i kryesisë së PD, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe dy herë deputet në legjislaturën e viteve 1996 dhe atë të vitit 2001.

Në vitet 1974-’79 ka punuar si mjek i përgjithshëm ne Minierën e Bakrit të Gjegjanit. Në 1979-’81 ka qenë pedagog i sëmundjeve të brendshme në Fakultetin e Mjekësisë. Nga viti 1984 e në vazhdim është pedagog në lëndën e Gjenetikës në Fakultetin e Mjekësisë.

Për sa i takon karrierës pedagogjike dhe shkencore, në vitin 1986 ka qenë kandidat i Shkencave Mjekësore. Në vitin 1989 ka mbrojtur titullin docent në fushën mjekësore dhe në 1994-ën profesor në këtë fushë.

Gjatë periudhës 1992-’94 ka qenë shef shërbimi në Pediatrinë e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në vitin 1993-’94 ka qenë drejtor i QSUT “Nënë Tereza”. Nga viti 2001 e në vazhdim Shef i Departamentit të Pediatrisë. Është autor i disa teksteve për studentë dhe pasuniversitarë dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë mjekësorë në shtypin shqiptar dhe të huaj.

Në karrierën politike, nga viti 1994 e në vazhdim është Anëtar i Këshillit Kombëtar në Partinë Demokratike. Në vitet 1994-1997, 1997-2000 dhe nga viti 2005 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike. Në periudhën 1994-1997 ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Mjedisit. Në vitet 1996-2001 ka qenë deputet i Partisë Demokratike në dy legjislatura.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:16
Ndarja nga jeta e Cikulit, Ruçi: Personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, shërbeu me vizion dhe përkushtim

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Shëndetësisë Maksim Cikuli, i cili vdiq sot në moshën 68-vjeçare. Ruçi shkruan se Cikuli ishte një personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, legjislator që shërbeu me vizion dhe përkushtim, i cili gjithashtu kishte virtyte të larta si deputet, profesionist dhe qytetar.

“Me dëshpërim mora vesh lajmin për ndarjen nga jeta të profesorit Maksim Cikuli, këtij personaliteti të shquar të mjekësisë dhe shkencës shqiptare. Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë gjatë viteve 1996-2001, Maksim Cikuli ka treguar vizion, përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim të lartë prej legjislatori për mbështetjen e zhvillimit të mjekësisë dhe të shërbimit shëndetësor në Shqipëri si edhe për shërbimin ndaj qytetarëve. Gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Cikuli ka shërbyer me korrektesë e devotshmëri dhe me virtytet e larta profesionale e njerëzore ka fituar respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve të Shqipërisë. Deputeti Maksim Cikuli do të mbetet përgjithmonë në kujtesën time si një koleg, ligjvënës dhe qytetar shembullor dhe referencë për shkencëtarët, politikanët dhe deputetët e Shqipërisë. Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe gjithë të afërmve.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit me rastin e ndarjes nga jeta të ish deputetit Maksim Cikuli,"-shkruan Ruçi.

Ora 12:14
Basha për ndarjen nga jeta të Cikulit: Humba një mik të çmuar, e vendosi gjithë jetën e tij në shërbim të njerëzve

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në rrjetet sociale ka shkruar për ndarjen nga jeta të ish-doktorit dhe ish-ministrit të Shëndetësisë Maks Cikuli. Basha thotë se Cikulin e kishte një mik të çmuar, ndërsa gjithë jetën e tij e kishte vënë në shërbim të shëndetit të njerzëve, si mjek, si profesor, si deputet dhe si ministër i shëndetësisë.

"Jam i tronditur nga lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të mjekut, profesorit, politikanit, dhe mikut tim të çmuar, Maks Cikuli. Ngushëllimet e mia më të ndjera Zanës, Julianit dhe Sarës për humbjen e bashkëshortit dhe babait të tyre të dashur. Me mendje e zemër gjendem sot pranë tyre dhe gjithë miqve të Maksit në këtë ditë zie.

Profesor Cikuli e vuri gjithë jetën e tij në shërbim të shëndetit të njerëzve, si mjek, si profesor, si deputet dhe si ministër i shëndetësisë.

Ai ishte një nga reformatorët e spikatur që e udhëhoqën Shqipërinë në rrugën e çlirimit nga diktatura komuniste drejt ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Dy herë ministër Shëndetësie, në vitet 1994-1998 e 2005-2008, profesor Cikuli kontribuoi në tranzicionin e sistemit të shëndetësisë dhe mbështeti investimet e mëdha në ndërtimin e sallave bashkëkohore kirurgjikale dhe sistemit të spitaleve rajonale.

Maks Cikuli spikat si model i urtësisë politike dhe angazhimit inetelektul duke u dalluar në jetën parlamentare të vendit për kultivimin e dialogut dhe debatit civil si dhe mbrojtjen e pakompromis të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve. Partia Demokratike është e nderuar që ka patur në radhët e veta njërin nga themeluesit e pluralizmit në Shqipëri, simbol të angazhimit shoqëror, të profesionalizmit, të dijes dhe të humanzimit.

Në këtë ditë zije kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, qytetaria kujton me repektin më të madh modelin e intelektualit, shoqëria jonë nderon humanistin e pashoq, demokratët njërin nga përfaqësuesit e tyre të shquar dhe unë një mik të çmuar e të paharrueshëm. U prehtë në paqe!"-shkruan Basha në 'facebook'.

Ora 09:50
Ndarja nga jeta e ish-ministrit Cikuli, Meta: Lajm trishtues, ishte mjek dhe personalitet i shquar

Presidenti i Republikës Ilir Meta shkruan se është një lajm trishtues ai i ndarjes nga jeta të Maksim Cikulit, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare. Sipas Metës pavarësisht ikjes nga kjo botë ai do të mbahet mend si zë i moderuar, i angazhuar për mbrojtjen e parimeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut.

"Trishtues lajmi i ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Maksim Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, por edhe politikan e përfaqësues i nderuar i elitës qytetare dhe intelektuale të vendit.
Në dekada pune e përkushtimi dhe humanizmi të madh, Prof. Dr. Maksim Cikuli dha një kontribut të shquar si mjek, por veçanërisht si themelues i shërbimit të vetëm kombëtar të gjenetikës në Shqipëri.
Në politikë, si ish-ministër i Shëndetësisë dhe deputet në dy legjislatura, ai do të mbahet mend si një zë i moderuar, i angazhuar për mbrojtjen e parimeve të lirisë dhe të drejtave të njeriut qysh në vitet e para të pluralizmit politik, si dhe për reformimin e sistemit shëndetësor në vend.
Duke u përulur me nderim e mirënjohje të thellë para kujtimit dhe veprës së tij, u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve,"
-shkruan Meta në 'facebook'.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erik: 18/05/2020 09:29

    Ngushellime familjes.

    Përgjigju
  • redi: 18/05/2020 09:29

    U prefsh ne paqe o njeri i mire .Cikuli nje nga mjeket me te afte dhe nje nga politikanet me te ndershem te tranzicionit shqiptar.E meriton fjalen e mire kurdo

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Erion Veliaj do hetohet i lirë, sepse gjykata hapi praktikë penale të njëjtë për Berishën

Spahiu: Erion Veliaj do hetohet i lirë, sepse gjykata hapi praktikë penale të njëjtë për Berishën