Humb betejën me sëmundjen, ndahet nga jeta dirigjenti dhe 'Mjeshtri i Madh' Kujtim Alija, simboli i festivaleve të këngës për fëmijë

SHKODËR- Festivali i Këngës për Fëmijë, nga sot nuk do të ketë pjesë të saj një nga figurat simbol, “Mjeshtrin e Madh”, dirigjentin, pedagogun dhe organizatorin e palodhur, Kujtim Alija. Ai u nda sot nga jeta pas 1 viti betejë me sëmundjen, duke lënë një boshllëk të madh në jetën artistike të qytetit të Shkodrës, por jo vetëm, edhe të shqiptarëve që janë rritur me imazhin e tij teksa drejtonte artistikisht fëmijët, talentet e reja. Alija u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare, pasi nuk ia doli që të mposhte sëmundjen që po e mundonte prej muajsh.

Dalja e tij e fundit për media, ishte pikërisht nga Festivali i Fëmijëve në Shkodër që u mbajt më 4 korrik, ku u pa se sëmundja kishte lënë gjurmë në pamjen e tij, por jo në shpirt. Përtej saj, ai vijoi deri në momentet e fundit të jetës misionin e tij, për të zbuluar talentet e reja e që nga Shkodra tha se përtej skepticizmit të krijuar sot për artin, ka ende talente që premtojnë për të ardhmen. Për lajmin e trishtë ka reaguar edhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

"Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta! Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të nêsuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija. Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushllime familjes Alija për këtë humbje shumë të madhe", shkruan Ademi. 

Ceremonia mortore, të shtunën 27 gusht 2021, nis në orën 08:45  në Qendrën Kulturore të Fëmijëve me përcjelljen e kortezhit, deri te monumenti i "Luigj Gurakuqit", nga Orkestra Frymore e Qytetit. Nga ora 09:00 deri në orën 11:00, në teatrin “Migjeni” zhvillohen homazhet për të gjithë ata që duan t’i japin lamtumirën e fundit.

Kush ishte Kujtim Alija?
Kujtim Alija është një prej emrave me një kontribut të madh në muzikën shqiptare. Vinte nga një familje shkodrane intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, nën drejtimin e dirigjentit, Artistit të Popullit, Rifat Teqja, mbas shkollës së muzikës “Prenkë Jakova” të Shkodrës. Pas diplomimit filloi punën në qytetin e Shkodrës ku ka organizuar dhe drejtuar koncerte e veprimtari të ndryshme artistike si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, me Filarmoninë e Shkodrës, Orkestrën frymore si dhe formacionin e harqeve.

Kujtim Alija në daljen e fundit, nga Festivali i Fëmijëve në Shkodër

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:19
Ndarja nga jeta e 'Mjeshtrit të Madh' Kujtim Alija, Ruçi: Iku emblema e festivalit për fëmijë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të dirigjentit të njohur, Kujtim Alija, “Mjeshtër i Madh”. Ruçi shkruan se iku emblema e festivalit dhe e këngëve të fëmijëve.

“Dirigjenti virtuoz, mjeshtri Kujtim Aliaj, për tre dekada ka drejtuar Festivalin Kombëtar të Këngës për Fëmijë. Gëzimi dhe emocionet e këngëve të fëmijëve dhe melodia e zërave të tyre na janë përcjellë dhe i kemi dëgjuar e përjetuar nëpërmjet talentit dhe virtuozitetit të mjeshtrit Kujtim Aliaj. Ky artist i madh u bë emblema e festivalit të fëmijëve dhe e këngëve fëminore. Prej festivaleve të drejtuara prej tij u zbuluan dhjetra talente të cilët kontribuan në këngën, muzikën dhe artin shqiptar. Shkodra dhe Shqipëria do t’i jenë përjetësisht mirënjohës këtij artisti e mjeshtri të madh.”, shkruan Ruçi.

Ora 13:19
Ndarja nga jeta e Mjeshtrit të Madh, Kujtim Alija, Meta: Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, humbja e tij lë pas shumë dhimbje

Presidenti Ilir Meta ka reaguar me një mesazh ngushëllimi, pas ndarjes nga jeta të Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, ndërsa thotë se humbja e tij, lë pas shumë dhimbje. Për Metën, Alija ishte personalitet i shquar i muzikës shqiptare, shembull i intelektualit dhe qytetar model i Shkodrës.

"I trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të artistit të mirënjohur shkodran, Mjeshtrit të Madh Kujtim Alija, simbolit të Festivaleve të Këngës për Fëmijë.

Personalitet i shquar i muzikës shqiptare, dirigjent virtuoz, edukator energjik dhe mësues i palodhur i shumë gjeneratave me vlerat e artit dhe kulturës kombëtare, zbulues i talenteve të rralla që do shkëlqenin në skenat vendase dhe botërore, shembull i intelektualit dhe qytetar model të Shkodrës, humbja e tij le pas shumë dhembje.

Ngushëllime familjes, komunitetit të dashur shkodran, artistëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë. Të prehet në paqen e merituar!", shkruan Meta.

 

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vjeshta: 27/08/2021 10:38

    Dheu i lehtë Kujtim! Fenomene si ti lindin rrallë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave