Volejbolli shqiptar humbi dje një emër të madh. Ish-kampioni i Dinamos, Jean Bonati mbylli sytë njëherë e përgjithmonë në moshën 81-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi suksesi dhe sacrifice që do të mbahet mend gjatë.
I lindur në Tiranë më 19 shkurt 1945, Bonati u shqua që herët si një nga talentet më premtues të viteve ’60. Emri i tij lidhet ngushtë me Dinamo Tirana, ku ishte pjesë e brezit të artë që dominoi kampionatin shqiptar.
Bonati luajti përkrah emrave të mëdhenj si Asllan Rusi, Alfred Radi, Vangjel Koja, Anastas Panteqi dhe Ylli Shehu, duke qenë shtylla kryesore e ekipit që fitoi titujt kampion në vitet 1964, 1965 dhe 1966.

Në parket njihej për fizikun e fortë, kërcimin e lartë dhe goditjet e fuqishme. Kolegët e përshkruajnë si një lojtar që bënte diferencën në çdo ndeshje.
Por karriera e tij nuk ishte pa pengesa. Si shumë sportistë të asaj kohe, edhe Bonati u përball me persekutim politik, çka i ndërpreu padrejtësisht rrugëtimin në kulmin e formës fizike. Megjithatë, ai arriti të rikthehej në vitin 1970 me ekipin e Dajtit të Tiranës, në një rikthim që shumëkush e quajti të rrallë e të lavdërueshëm
Pas viteve ’90, Bonati nuk u largua nga sporti. Përkundrazi, iu përkushtua brezave të rinj si trajner në ekipin e Tiranës, duke lënë gjurmë edhe jashtë fushës.
Jean Bonati ishte gjithashtu babai i zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati, i cili ka ndarë një mesazh prekës lamtumire:
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të babait tonë të dashur, Jean Bonati. Lamtumirë babi, kujtimi yt do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona. U prehsh në paqe.”
Komente











