Mbyllja e vitit për shkak dëmtimi do të ketë pasoja për numrin 1 të botës në tenis Jannik Sinner, përfshirë edhe ato financiare. Sipas ‘Il Sole24Ore’, italiani do të humbasë një shumë marramendëse prej 15 milionë eurosh në çmime dhe sponsorizime. Dy të tretat e kësaj shifre, ose rreth 10 milionë euro është shuma mesatare që Jannik ka fituar gjatë dy sezoneve të fundit, duke triumfuar në finalet e ATP-ve si dhe ‘Six Kings Slam’.

Turneu që do të mbahet në Arabinë Saudite, në veçanti, vlen rreth 6 milionë dollarë. Prandaj humbja e fitimeve është e konsiderueshme.

Pastaj është çështja e sponsorizimeve. Gazeta e njohur e biznesit vëren gjithashtu se sponsorët i garantojnë Sinnerit afërsisht 37 milionë euro në vit. Kjo është një shifër e konsiderueshme që mund të rritet më tej bazuar në rezultatet e tij sportive. Komponenti i ndryshueshëm është i barabartë me 10% të pjesës fikse. Me këtë pezullim, pjesa shtesë mund të zhduket pothuajse tërësisht. Duke marrë parasysh këtë aspekt të fundit, kostoja totale e pezullimit mund të arrijë në 15 milionë euro.

Megjihatë ndalesa, me qëllim rikuperimin dhe kthimin në 2027, ka edhe kosto emocionale për Sinner-in. Për ta mbështetur i ka shkruar rivali i tij më i madh në fushën e lojës, por që jashtë saj mbetet një mik i mirë, Carlos Alcaraz.

"Do të kthehesh më i fortë, mbaje kokën lart. Të uroj shërim të shpejtë,"-shkruajti spanjolli në videon e shpërndarë nga Sinner. Ai dhe italiani kanë dominuar sportin e tenisit në vitet e fundit dhe pritet ta bëjnë këtë edhe për shumë vite të ardhshme. Për një periudhë të mirë ata ndanë vendin e parë në botë, ndërsa edhe Alcaraz kaloi një dëmtim të gjatë 4 muaj e gjysëm para se të kthehej në fillim të tetorit.