Ndalim lëvizje të njerëzve e mbyllje
shkollash kur ka sëmundje infektive

Ndalim lëvizje të njerëzve e mbyllje<br />shkollash kur ka sëmundje infektive
Një projektligj i ri i hartuar nga Këshilli i Ministrave parashikon ndalimin e qarkullimit të makinave apo lëvizjen e njerëzve në rast të rrezikut të sëmundjeve infektive. Për ti paraprirë sëmundjeve si kolera, murtaja, ethet e verdha, ethet hemoragjike virale, SARS, gripi pandemik dhe sëmundje të tjera që mund të shfaqen, do të mbyllen dhe shkollat në rast rreziku.

“Për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive masa të veçanta për mbrojtjen si më poshtë: Mbyllja e shkollave. Mbyllja e aktiviteteve jopublike apo publike. Anulimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura. Kufizimi apo ndalimi i lëvizjeve me mjetet e transportit public. Kufizimi i lëvizjeve brenda vendit’, - thuhet në projektiligjin e ri.
 
Masat për mbrojtjen nga sëmundjet

Gjithashtu është parashikuar që insitucionet në vend të marrin një sërë masash për mbrojtjen nga këto sëmundje ku përfshihet siguria e ujit deri tek përdorimi i lëndëve biocide. Por cilat do të jenë masat? “Sigurimi i ujit të pijshëm higjenik si dhe mbrojtja sanitare e burimeve, objekteve dhe rrjetit shpërndarës, për furnizimin publik me ujë të pijshëm. Mënjanimi i ujërave të ndotura dhe hedhurinave, sipas mënyrës dhe në kushtet në të cilat sigurohet mbrojtja nga ndotja e ujit dhe e tokës, si dhe mbrojtja nga shtimi i insekteve dhe i brejtësve.

Ruajtja e kushteve tekniko-sanitare dhe higjienike në ndërtesa publike dhe jopublike, në mjetet e komunikacionit publik dhe në mjediset publike. Sigurimi i gjendjes së rregullt sanitare të artikujve ushqimorë dhe të kushteve tekniko-sanitare dhe higjenike nga ferma në tavolinë. Aplikimi i lëndëve biocide, me karakter parandalues, në qendrat e banuara, hapësirat publike, objektet për furnizim me ujë të pijshëm, në objektet dhe mjetet e transportit publik, objektet për prodhimin dhe qarkullimin e artikujve ushqimorë, restorantet apo lokalet ku konsumohet ushqim dhe pije dhe në objekte të tjera publike”, - përcakton projektligji i ri.
 
Pikat kufitare

Sëmundja vdekjeprurëse e Ebolës që rreth një vit më parë përhapi panik në të gjithë botën, i gjeti insitucionet shëndetësore shqiptare të papërgatitura në kufi. Për këtë qëllim është parashikuar që të ketë kontrolle në të gjitha pikat kufitare në vend. “Në pikat kufitare, nga organet shëndetësore ushtrohen kontrolle, merren masa dhe mbahet dokumentacion, mbi bazën e një protokolli të përcaktuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati Shtetëror i Shëndetit, në përputhje me normat e përcaktuara në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit dhe rregulloreve të tjera ndërkombëtare. Çdo mjet transporti tokësor, detar apo ajror, duhet të raportojë tek autoritetet përkatëse, të përcaktuara nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, çdo sëmundje, infeksion apo ngjarje me rëndësi për shëndetin publik”.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos

Zikaltrit vuajnë, Thuram shënon tripletë dhe i jep triumfin Interit përballë Torinos