Nisma e Kishës Katolike në Shqipëri për ndalimin e çdo forme të përhapjes së simboleve dhe parimeve të komunizmit, në ditët e sotme, si shfaqjet e veteranëve çdo 29 nëntor me fotot e dikatorit Enver Hoxha, ka sjellë reagime të shumta pro dhe kundër iniciativës.

Kisha Katolike i ka dërguar një shkresë organeve më të larta shtetërore, ku rendit 6 pika, të cilat shpjegojnë hapat që sipas saj janë të nevojshme për t’u ndërmarrë, për eleminimin e “nuancave” nga periudha komuniste, që mbijetojnë në Shqipërinë e sotme.

Për të sqaruar qëllimin e kësaj nisme, të ftuar në “Studio Live” me Arbër Hitajn në Report Tv, ishin zëdhënësi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Mark Pashkja, historiani, Pëllumb Xhufi dhe regjisori, Koloreto Cukali.

Pashkja tha se qëllimi i kësaj nisme nuk konsiston në ndalimin e punës artistike të prodhuar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, por në mos lejimin e shpërthimit të simpatisë nga shoqëria shqiptare në ditët e sotme, për atë epokë.

“Jo ndalimit të filmave të periudhës së komunizmit, as veprave të artit që janë prodhuar nga artistët. Kemi propozuar në lidhje me krimin e apologjisë, një ligj që parashikon si krim gjithë ato pjesë ku ekzistenca, pretenca, të apologjohet sistemi komunist dhe figura e Enver Hoxhës.

Të jemi korrekt në raport me historinë dhe të shkojmë drejt nismave të ngjashme që gjenden dhe në Gjermani.

Ne shtrojmë një pyetje. Sa janë të njohur nëpër tekstet e shkollave për shkaqet dhe motivet që sistemi komunist bëri atë që bëri? Cili ishte shkaku i persekutimeve, që Kisha Katolike ishte një ndër institucionet më të goditura. Sa janë në dijeni studentët e sotëm për mungesën e lirisë së shprehjes, idealizmit, çfarë shkakton?,’- u shpreh Pashkja.

Historiani Xhufi u shpreh se rastet specifikie, kur personat që kanë jetuar periudhën e komunizmit në Shqipëri, tregohen nostalgjikë, duhet të tolerohen për shkak se brezi i cili admiron atë kohë është i vjetër.

Xhufi thekson se komunzmi nuk renditet si një rrezik potencial në vendin tonë dhe shton shqiptarët duhet të shqetësohen për probleme të tjera që po lindin në dittët e sotme.

Përsa i përket artit dhe filmave të prodhuar gjatë totalitarizmit në Shqipëri, historian nënvizon se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë aspekt, pasi lidhet me identitetin kombëtar.

“Burgu i Burrelit duhet të bëhet muze. Edhe të Spaçit, jam dakord. Filmat! Të heqësh filmin “Skënderbeu’ që është dopio komunist, të heqësh filmin “Nëntori i Dytë”, është ti heqësh shqiptarëve ndërgjegjen kombëtare. Asnjë nuk mund të digjet se janë dokumente që mund të përdoren, të një periudhe që ka pasur shumë të këqija, por ka pasur edhe ndonjë të mire”,- theksoi Xhufi.

Ndërsa për regjisorin Cukali, shoqëria shqiptare duhet të ketë prioritet shfarrosjen e veseve të këqija që kanë penguar zhvillimin e saj. Po ashtu, ai deklaroi se arti i prodhuar gjatë komunizmit nuk duhet të fshihet pavarësisht propagandës që përmban, por duhet transmetuar me sqarime mbi qëllimin për të cilin është krijuar dhe sasinë e të vërtetës që përmbajnë filmat e asaj kohe.

“Nuk jam për ndalimin e veprave të artit, ka shumë propagandë brenda, por s’jam për t’i ndaluar filmat. Për filmat thellësisht të indoktrinuar të jepen me shpjegime sqaruese, përse po jepet dhe për çfarë arsye”,- u shpreh Cukali.