Ish deputeti i PD Bardh Spahia u ndalua nga policia mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pas incidenteve të ndodhura më datë 18 Qershor në KZAZ-në në Shkodër, së cilës iu vendos zjarri. Policia e kishte shpallur ish-deputetin në kërkim si organizator të protestës.

Report Tv zbardh akt-ndalimin për ish deputetin demokrat, ku thuhet se Spahia akuzohet për veprat penale "Kundërshtim i punonjësve të rendit publik", "Goditje për shkak të detyrës", Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të Rendit", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", “Prishja e qetësisë publike" dhe "Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore".

Ndërkohë, ish deputeti nuk pranon akuzat e ngritura ndaj tij, duke shkruar: “Nuk pranoj asnjë nga akt-akuzat të cilat i konsideroj krejtësisht të pavërteta”. Bardh Spahia vijon të qëndrojë në ambientet e Policisë së Tiranës, por për llogari të Shkodrës.

Ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë