Të dashur miq!
Së pari, nuk dëshiroj aspak të nderhyj ne debatin politiko-publik lidhur me ndarjen e mandateve legjislative nga ato ekzekutive (e thene më thjeshtë nese je minister nuk mund te jesh edhe deputet dhe anasjelltas), pasi gjykoj se ky është një debat dhe vendim që i përket maxhorancës së re të majtë dhe nuk është punë e imja. Së dyti, thjesht desha te risjell ne kujtesen politike por edhe atë publike, se ky propozim ka nje histori te pakten 8-vjecare.
Pas fitores së PD-së dhe aleatëve të djathtë ne zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ne mbledhjen e parë të grupit parlamentare te PD-se në shtator 2005, me cilësinë e deputetit dhe të anëtarit të kryesisë së PD-së, i kam propozuar kryeministrit Berisha (njekohesisht edhe kryetar i PD-së në atë kohë) që të bëjmë ndarjen e mandateve legjislative nga ato ekzekutive, me këto argument:
1. Te mos kemi perqendrim te pushtetit tek një grup i vogël njerëzish.
2. Të mos kemi nje qeveri të pakontrollueshme.
3. Të kemi njerëz qe do të mbajnë partinë hapur, do të vazhdojnë të punojnë për PD-në dhe të drejtojnë PD-në duke mbajtur kontaktet me demokratët dhe elektoratin dhe
4. Të kemi mundësi të motivojmë sa më shumë politikanë nga ndarja e mandateve, sidomos të rinj. Propozimi im u mirëprit dhe u përkrah formalisht nga z. Berisha, por fatkeqësisht nuk u realizua asnjehere.
Që ne momentin e propozimit vura re portretet e ministrave dhe drejtuesve te PD-se qe u nxinë, por nuk e vrava shume mendjen, pasi propozimi im ishte parimor, dhe nuk kishte lidhje me asnjë individ.
Se cfare ndodhi gjate 8 viteve ne vazhdim te qeverisjes se PD-së, gjykimin e jep gjithë-seicili prej jush, por ajo që dihet tashmë është se Shqiperia u drejtua nga nje grup teper i vogël njerëzish që ishin vete qeveria, ishin po vete parlamenti, ishin po vete edhe PD, grup që nuk jepte llogari para askujt në botë.
Ky grup shume i vogël njerëzish grumbulloi nje super-pushtet të pakufizuar duke uzurpuar të gjitha pushtetet në Shqipëri, krijuan super-pasuri nëpërmjet korrupsionit pa kufi, u bënë super arrogantë dhe super prepotentë, saqë as deputetëve të PD-së nuk u hapnin më telefonin, mbyllën për tetë vite dyert e PD-së duke iu kthyer shpinën demokratëve dhe elektoratit, u shkëputën totalisht nga realiteti shqiptar, elementë këto që cuan natyrisht në rezultatin katastrofik të 23 qershorit, më i dobëti i historisë së ekzistëncës së PD-së.
Parë në këtë këndvështrim maxhoranca e re me 84 mandate, e drejtuar nga Edi Rama dhe Ilir Meta, bëhet e frikshme.
Opinioni u publikua nga Aleksander Biberaj ne profilin e tij ne facebook
(Faksimile e publikimit te opinionit ne facebook)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)