Kreu demokrat Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-zv.kryeministrit dhe ish-zv/ministrit të Brendshëm Bashkim Kopliku, i cili ishte i infektuar me COVID-19.

Basha shkruan se e ka mësuar me keqardhje ndarjen nga jeta të Koplikut, ndërsa vijon duke thënë se ai është politikani që dha mbështetje dhe kontribut të pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike.

"Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të Bashkim Koplikut, politikanit që dha mbështetjen dhe kontributin e pakursyer që në ditët e para të krijimit të Partisë Demokratike. Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen, miqtë dhe të afërmit e zotit Kopliku.

Angazhimi i tij si ligjvënës dhe zëvendëskryeministër gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike pas rënies së komunizmit, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e re të Shqipërisë. U prehtë në paqe", thotë Basha.

 Kopliku ka qenë, ish- zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i qeverisë së parë të Partisë Demokratike më 1992 dhe dy herë deputetë në parlamentin e Shqipërisë.