Për ndarjen nga jeta të ish kryetarit të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Rustem Peçi, ka shprehur ngushëllimet edhe Presidenti Ilir Meta.
"Me shumë dhembje e trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të antifashistit, patriotit, ushtarakut dhe veteranit, Kolonel Rustem Peçi. I edukuar me dashurinë për Atdheun, që në moshë shumë të re ai u aktivizua për Çlirimin e Shqipërisë, për t’i shërbyer me përkushtim vendit pas Luftës, në të gjitha detyrat e larta shtetërore me të cilat u ngarkua dhe për të vijuar, si Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, me kontributin e tij të shkëlqyer për edukimin e gjeneratave të reja me ndjenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit, si dhe me mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste.
Kam pasur fatin ta njoh nga afër punën dhe angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe nuk mund të mos shpreh hidhërimin e madh të ndarjes së tij nga jeta në prag të përkujtimit të 7 prillit, kësaj dite të trishtë për historinë tonë, por edhe nderimi për nisjen e rezistencës heroike të ushtarakëve patriotë. Duke ndarë dhembjen me familjen Peçi, miqtë dhe të gjithë anëtarët e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera. Patrioti dhe edukatori ynë antifashist Rustem Peçi do të kujtohet përgjithmonë me nderim, respekt dhe mirënjohje", ka shkruar Meta.
Lajmi kryesor: