Ndarja nga jeta e shkrimtarit Agolli
ngushëllimet e politikës shqiptare

Ndarja nga jeta e shkrimtarit Agolli<br />ngushëllimet e politikës shqiptare
Dhimbje për ndarjen nga jeta të gjeniut të letrave shqipe Dritëro Agolli.

Pasi humbi betejën me sëmundjen në moshën 85- vjeçare,  miq, artistë, politikanë dhe jo vetëm nuk kanë nguruar t’i shprehin ngushëllime familjarëve të shkrimtarit të madh. 

Rama: La pas një mal të lartë përjetësie me vepra
Pas ndarjes nga jeta të gjeniut të letrave shqipe Dritëro Agolli, kryeministri Rama ka ngushëlluar familjen e tij.

Në një status në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se Agolli ka lënë pas një mal të lartë përjetësie për të gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe. Nëpërmjet një krahasimi kryeministri Rama e ka vlerësuar tokën ku do të prehet shkrimtari i madh Dritëro Agolli si një vend pelegrinazhi për ata që duan letërsinë brez pas brezi.

"“LAMTUMIRË DRITËRO
U prehsh i qetë në tokën ku le pas një mal të lartë përjetësie, i cili do të mbetet vend pelegrinazhi për gjithë të dashuruarit pas letrave shqipe, brez pas brezi...”


Basha: Ndryshoi letërsinë shqiptare, emancipoi shoqërinë
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ngushëlluar ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. 

Përmes një statusi në Facebook, Basha shkruan se Agolli transformoi letërsinë shqipe duke emancipuar shoqërinë shqiptare me veprën e tij për të mirën dhe të keqen, për njerëzit e thjeshtë, për dashurinë për vendlindjen dhe atdheun.

"Kombi shqiptar humbi sot kolosin e letrave shqipe, poetin tone të madh, shkrimtarin e njerëzve të vërtetë, Dritëro Agollin. Familja e tij, miqtë dhe të dashurit, lexuesit, shqiptarët kudo ku ndodhen ndajnë sot dhimbjen për ndarjen nga jeta të babait, bashkëshortit, mikut dhe gjeniut të letrave shqipe. Pak shqiptarë kanë ndikuar në ndërgjegjen dhe emocionet tona si Dritëroi i madh. Ai transformoi letërsinë shqipe duke emancipuar shoqërinë shqiptare me veprën e tij për të mirën dhe të keqen, për njerëzit e thjeshtë, për dashurinë për vendlindjen dhe atdheun.Kam patur nderin dhe privilegjin ta njoh, ta takoj dhe ta dëgjoj nga afër Dritëroin sepse dera e tij e madhe ishte gjithnjë hapur. Vepra e tij është e përjetshme. Në paqe u prehtë shpirti i tij".

Meta: Bota shqiptare më e varfër dhe dhimbja e jashtëzakonshme! Na Dritëroftë gjithmonë Dritëroi ynë
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli. Nga Kryesia e Kuvendit, Meta është shprehur se bota shqiptare është më e varfër dhe dhimbja për largimin e shkrimtarit nga jeta është e jashtëzakonshme dhe e pamatshme.
 
‘’Pas këtij lajmi bota shqiptare është më e varfër dhe dhimbja është e jashtëzakonshme dhe e pamatshme. Si kryetar i kuvendit por edhe mik i tij, dua t’i shpreh ngushëllimet familjes, por edhe gjithë njerëzve të tij të dashur’’,-u shpreh Meta.
 
Kreu i LSI-së, ngriti në piedestal figurën e shkrimtarit të madh shqiptar, ku mes të tjerash u shpreh se Agolli do të mbetet reformator i letësisë shqipe. Ai e mbylli mesazhin e tij të ngushëllimit, me këto fjalë’’Na Dritëroftë gjithmonë Dritëroi ynë’’.

Idrizi: Humbja e Dritëro Agollit është një humbje për kombin tonë
Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi e ka cilësuar ndarjen nga jeta të Dritëro Agollit një humbje të madhe për kombin tonë. Në deklaratën e tij, Idrizi ka vlerësuar shkrimtarin e madh Agollin, i cili edhe pse sëmurë i është bashkuar rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame. 

"Humbja e Dritëro Agollit është një humbje për kombin tonë.
Vepra e tij do të mbetet përjetë, por ajo që do të na mungojë është qetësia dhe thellësia e mendimit të Dritëroit, që ndikonte vazhdimisht për mirë në jetën publike shqiptare.
Kujtoj me respekt faktin se edhe pse sëmurë, ishte i pari që iu bashkua rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame, duke treguar vlerat e tij të mëdha kombëtare, që nuk i kufizonte vetëm në letërsinë që lëvroi dhe do t’i mbijetojë kohrave. Kujtimi i tij do të jetë i paharruar!
U prehtë në paqe".


Veliaj mesazh ngushëllimi për humbjen e Dritëro Agollit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh Dritëro Agolli. 

Në faqen e tij në Facebook, Kryebashkiaku Veliaj ka zgjedhur që të ndajë me ndjekësit edhe një strofë mjaft domethënëse nga poezia “Vdekja” e shkruar prej penës së artë të letërsisë shqipe, Dritëro Agolli.

Postimi
Veç me vdekjen s’jam takuar kurrë,
Ndaj e pres nderuar në shtëpi,
Për respekt një qengj manar në furrë,
Për humor një shishe me raki.
"
 
Dritëro Agolli. Lamtumirë!

Nishani: Shoqëria jonë ka humbur poetin dhe mendimtarin e kthjelltë
 
Presidenti i republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.
 
Nishani përmes një letre të shpërndarë për mediat ka shkruar se me ikjen e Agollit, letrave shqipe do t'iu mungojë shkrimtari dhe poeti i ndritur, autori i një krijimtarie letrare të vyer e të pashtershme.

Kreu i shtetit ka shkruar se shoqëria jonë ka humbur mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik.
 
Të dashur familjarë të Dritëroit të ndjerë
 
Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të bashkëshortit, babait, gjyshit dhe njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.
 
Me këtë rast të trishtë dhimbjeje, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e sinqerta, dhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke u përpjekur t’ju gjendem pranë shpirtërisht në këto çaste tejet të vështira!
 
Me ikjen nga kjo jetë të Dritëro Agollit, letrave shqipe do t’iu mungojë shkrimtari dhe poeti i ndritur, autori i një krijimtarie letrare të vyer e të pashtershme, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar.
 
Ndërsa shoqëria jonë humbi mendimtarin e kthjellët dhe veprimtarin me impakt të pamatshëm publik, i cili me kontributet e tij të rralla në dy periudha historike, la gjurmë të pashlyeshme si protagonist i lëvizjeve emancipuese përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli si në art, ashtu edhe në politikën shqiptare të epokës së pluralizmit.

Edhe një herë ngushëllime dhe Dritëroit i pastë shpirti dritë në jetë të jetëve.

 
Kryetari i FRD, Bamir Topi: Vepra e Dritëroit pasuroi letrat shqipe
Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka ngushëlluar ndarjen nga jeta të shkrimtarit Dritëro Agolli. 

Topi thotë se vepra e Dritëroit i dha bukuri mendjeve e shpirtrave, ndërsa pasuroi edhe letrat shqipe.  

Ngushëllimi i Bamir Topit:
Të dashur miq, 
Sot u nda prej nesh shkrimtari ynë i madh, Dritëro Agolli.
Me dhimbje, respekt e nderim përcjell ngushëllimet më të sinqerta për Dritëroin, familjen dhe të gjithë të afërmit e tij!
Vepra e Dritëroit pasuroi letrat shqipe dhe i dha bukuri mendjeve dhe shpirtrave të të gjithë atyre që u rritën me bukurinë e fjalës së tij artistike dhe jetuan emocionet e poezisë së tij.
U prehtë në paqe dhe i paharruar qoftë kujtimi i tij!


Redaksia Online
(B.K.XH.K/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Dëshmia e rrallë e vajzës së poetit të persekutuar: Im at shkrimin e dërgoi te ‘Zëri i Popullit’, por Todi Lubonja s’e botoi dhe e çoi ‘lart’ dhe pas gjyqit, kolegu i babait vrau veten…

Dëshmia e rrallë e vajzës së poetit të persekutuar: Im at shkrimin e dërgoi te ‘Zëri i Popullit’, por Todi Lubonja s’e botoi dhe e çoi ‘lart’ dhe pas gjyqit, kolegu i babait vrau veten…