Kuvendi i Kosovës do të mblidhet ditën e nesërme në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të përcaktohet formimi apo jo i qeverisë së Albin Kurtit, me partinë Lëvizja Vetëvendosje. Ky i fundit nuk ka votat e mjaftueshme për të formuar qeverisë dhe do t’i duhet të futet patjetër në koalicion me parti të tjera opozitare, por për shkak të raporteve të ngurta mes tyre, një ngjarje e tillë shihet si e pamundur.

I ftuar në Report Tv në një intervistë me gazetarin Andi Kapxhiu, ishte Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për drejtësi, i cili shpjegoi kronoligjikisht të gjitha rrjedhat që pritet të marrë situata.

“Është e qartë që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka vullnet politik për ta bërë. Të paktën ashtu shihet. Në parim 48 orë përpara seancës, LVV është dashur ta prezantojnë kabinetin qeveritar, që qytetarët të jenë të informuar për përbërjen e mundshme të qeverisë. Standardi minimal i qeverisjes së mirë është që LVV të tregonte transparencë. Por dhe sa po shohim as sot nuk kemi ndonjë lëvizje të mundshme për koalicion. Po presim sot apo dhe nesër të befasohemi dhe që të kemi qeverinë e re. As PD e Kosovës dhe as Lidhja Demokratike nuk kanë shprehur ndonjë vullnet të paktën deri tani për të marrë iniciativën për të formuar qeverinë. As skadimit të afatit, presidentja e Kosovës, vlerëson që nuk ka arsye për të vonuar procesin. Brenda afateve Kushtetuese duhet të konstatojë dështimin e formimit të qeverisë dhe të shpallë zgjedhjet e reja.

Vijat e kuqe mes partive politike janë të njohura në Kosovë. Tani po shohim pasojat. Nuk është e nevojshme që këto vija të konsiderohen. Nuk duhet të bllokojnë institucionet. LVV është përgjegjësja kryesore për mosformimin e qeverisë. Duhet të gjejë rrugën për të bërë koalicion të mundshëm për të arritur 61 vota ose më shumë për të siguruar një komoditet të qeverisjes”, tha Kolshi.

Në rast se Albin Kurti nuk arrin që të sigurojë numrat e nevojshëm, atëherë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të mandatojë një tjetër kandidat apo parti politike për të kërkuar votënbesimin. Në rast se dhe ky skenar dështon, brenda 40 ditëve Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja.

“Presidentja Osmani i ka dhënë subjektit më të madh politik të drejtën për të propozuar përpara kuvendit qeverinë, por nëse Kurti nuk merr votat, përsëri presidentja është protagoniste.

Ajo ka 10 ditë kohë më pas për të gjetur një tjetër subjekt politik, apo kandidat, në mënyrë që të mandatojë atë kandidat apo parti që brenda 15 ditëve të kërkojë besimin e Kuvendit. Këtu nuk përjashtohet mundësia që prap subjekti më i madh politik të kërkojë përsëri propozimin për votëbesim. Nëse as i mandatuari tjetër brenda 15 ditëve, nuk siguron votat, presidentja brenda 40 ditëve, shpall zgjedhjet  e reja”, tha Melos Kolshi.

Një tjetër fushë që është prekur nga ky ngërç politik, shtë dhe sektori i ekonomisë. Nëse deri vitin e ardhshëm nuk do të ketë ende një qeveri të formuar, Kosova rrezikon të hyjë në paralizë të plotë financiare dhe institucionale.

“Situata më buxhetin është e ndjeshme sa ajo e formimit të qeverisë. Qeveria duhet t’i dorëzojë Kuvendit propozim buxhetin dhe ndarjen buxhetore, jo më vonë se data 31 tetor. Deri në 10 dhjetor mund të operojnë me buxhetin ekzistues. Pastaj në 3 muajt e parë të vitit 2026, financimet do të vazhdojmë sipas planifikimeve të buxhetit paraprak, por me shpenzime të kufizuara mujore. Nëse pastaj ende nuk ka qeveri të re dhe buxhetin edhe nuk është miratuar, atëherë Kosova do të hyjë në një paralizë të plotë financiare dhe institucionale”, tha Kolshi.