Është vetëdorëzuar në policinë e Tiranës këtë të mërkurë (5 mars 2025) avokati Radovan Çela, i shoqëruar nga mbrojtësi ligjor Isuf Shehu. Ky i fundit ndodhej në kërkim që prej muajit korrik 2024, pas një operacioni të zhvilluar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e cilësuar si “Zarka”.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë për shtetasin në kërkim Radovan Çela., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme", njoftoi Policia e Shtetit. 

Për këtë dosje ndodhet i arrestuar ish kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, teksa Astrit Vladi dhe Erjona Daupaj janë në kërkim. Urdhër arrestet nga SPAK u lëshuan pas zbërthimit të bisedave nga aplikacioni Sky Ecc

Sipas SPAK, të dyshuarit kanë marrë dhe i kanë dhënë ryshfet funksionarëve te drejtësisë në 8 çështje penale, 4 nga të cilat të lidhura me dosjen “Toyota Yaris”, që kur kjo dosje ka qenë te ish Prokuroria e Krimeve të Rënda.