GJKKO po mbahet seanca e gjyqit të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Kjo e fundit po vijon me parashtrimet për episodin e fibrës optike. SPAK e akuzon se bashkë me Ilir Metën kanë përdorur influencën që kishin për futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “UNIFI Holdings Inc, Dega Shqipëri.

Kryemadhi i kundërshtoi akuzat duke pretenduar se komunikimet e përfshira në dosje, me kushëririn e saj Ardian Shatku, tregojnë vetëm një debat institucional dhe nuk provojnë asnjë ndikim të paligjshëm apo favorizim.

Sipas saj, aktakuza është ndërtuar mbi interpretime dhe deduksione të nxjerra nga mesazhet e një telefonit që pretendon se i është sekuestruar në mënyrë të paligjshme, pasi ajo ishte deputete dhe SPAK nuk mori leje. Para trupit gjykues, Kryemadhi u shpreh se ndonëse vetë akuza e konsideron të parashkruar episodin e fibrës optike, sërish e ka përfshirë atë në aktakuzë.

Pjesë nga parashtrimet e Monika Kryemadhit

Kryemadhi: Në faqen 46 të aktakuzës, akuza është ndërtuar mbi interpretime dhe deduksione të ngritura mbi mesazhet e një telefoni të sekuestruar në mënyrë të paligjshme. Jam e detyruar t’i shtjelloj të gjitha. Edhe pse për çështjen e fibrës optike thuhet se akuza është e parashkruar, ajo sërish është përfshirë në aktakuzë. Komunikimet lexohen në rend kronologjik. Ato nuk provojnë ndikim të paligjshëm, por tregojnë një debat institucional. Thuhet se dokumenti iu paraqit të gjithë ministrave. Nga mesazhet rezulton se ai u shpërnda te të gjithë ministrat.

Shtaku thotë: "Bravo".

Kjo nuk provon as miratim dhe as ndikim. Është thjesht një mesazh që u shpërnda te të gjithë ministrat dhe, sipas akuzës, konsiderohet provë për ndikim. Nëse dokumenti nuk u miratua, atëherë ky mesazh nuk mund të jetë provë e një ndikimi të suksesshëm.

Debati nuk kishte të bënte me favorizimin, por me kompetencën dhe formën ligjore të aktit. Ai tregon se administrata vepronte mbi bazën e një debati institucional. Kishte zvarritje dhe burokraci.

Organi i akuzës citon qëndrimin e Ministrisë së Inovacionit lidhur me projektvendimin për heqjen e ekskluzivitetit dhe dhënien e mundësisë edhe subjekteve të tjera për fibrën optike. SMS-të përmbajnë vetëm debat institucional dhe jo ndikime.

Pjesa tjetër lidhet me çështje personale. Prokuroria e ka shkëputur këtë pjesë, duke humbur logjikën e bisedës.

Ka keqinterpretim.

Adrian Shtaku bën një pyetje. A ka ndonjë përgjigje nga unë?

Akuza paraqet edhe një e-mail për investitorët privatë. Janë përdorur vetëm katër e-mail-e, ndërsa e-mail-et e tjera kanë të bëjnë me shkollimin e vajzës sime.

Pjesa më e madhe e tyre nuk janë e-mail-e të drejtuara Monika Kryemadhit, por mesazhe që personi që i dërgonte, Shtaku, i bashkëngjiste për çdo çështje që kishte të bënte me Shqipërinë.

Edhe çështja e fibrës optike është paraqitur si çështje korrupsioni, me pretendimin se kishte monopol.

Adrian Shtaku kishte nisur kërkesat për t’u pajisur me fibër optike që në vitin 2008.

Kur Genc Pollo bëri propozimin për fibrën optike, më vonë ajo iu dha një kompanie pa bërë asnjë kërkesë dhe pa pasur përvojë.

"Shkopin magjik" e kishin disa të tjerë.

Në asnjë dokument nuk përmendet ndonjë favorizim, por dokumentet mbështesin faktin se projekti kishte mundësi financiare.

Adriani më dërgoi një e-mail ku shkruante se investitorët po humbnin besimin.

Më pas unë i dërgova një mesazh, duke i thënë që të paraqiste një kërkesë zyrtare, në mënyrë që ta merrte siç e kishin marrë edhe të tjerët.

Po të kisha pasur diçka informale, nuk do t’i thosha të bënte një kërkesë zyrtare, me shkrim dhe me postë.


Lajmi kryesor:

Gjyqi në GJKKO/ Kushëriri Shatku mori fibrat optike, Kryemadhi: E kam sugjeruar, jo ndikim politik! Rrëzohet sërish kërkesa e Metës për daljen nga kafazi i xhamit