Nderim për Hajnrih Bëlin

Nderim për Hajnrih Bëlin
TIRANE- Si e njoha. Takimi në vjeshtën e vitit 1981. Bëli donte të dinte për letërsinë shqiptare dhe për historikun e fesë.

Kam pasur fatin ta takoj dhe të bisedoj gjatë me Hajnrih Bëlin, në vjeshtën e vitit 1981, në Frankfurt të Gjermanisë Perëndimore. Një gazetar gjerman gjatë vizitës së stendës së librit shqiptar në Panairin e Frankfurtit, pasi më pyeti se cilin shkrimtar gjerman do të kisha dëshirë të takoja, më njoftoi të nesërmen se i kishte transmetuar Hajnrih Bëlit dëshirën time dhe se Bëli kishte rezervuar pasditen e tij të vetme të lirë për takim. E dija se Bëli ishte i sëmurë dhe, veç kësaj, ai do të rrinte në Frankfurt vetëm dy ditë, në kohën që kishte dhjetëra kërkesa për t’u takuar, ndaj pranimin e tij të menjëhershëm e konsiderova një nder.

Në të vërtetë, Bëli ishte mjaft i informuar për vendin tonë. Trupdrejtë, me fytyrë ende të lodhur nga operacioni që posa kishte bërë, me një frëngjishte të saktë, me kureshtje të qetë, ai pyeste për shumë gjëra dhe dëgjonte me vëmendje gjithçka, duke vështruar me sytë e tij hetues që, bashkë me një kthim karakteristik të kokës ndaj folësit, i jepnin një seriozitet të veçantë vëmendjes së tij. Ishim në kafenenë e hotelit “Piaza”, ku ai ishte vendosur bashkë me gruan. Hajnrih Bëli donte të dinte hollësira për letërsinë e popullit shqiptar, për tragjedinë e kufijve shqiptarë në fillim të shekullit, si dhe për historikun e fesë, ose, më saktë, të tri feve të ndryshme në Shqipëri, që, duke qenë i lidhur me pushtues të ndryshëm, ishin kthyer vetvetiu në faktor disuniteti kombëtar. Bëli u interesua veçanërisht për problemin e Kosovës, për të cilën shtypi gjerman kishte shkruar dhe vazhdonte të shkruante gjerësisht.

Një interesim të gjallë tregoi pastaj për letërsinë shqipe dhe për jetën e sotme në Shqipëri. Kur, duke përfituar nga kjo e fundit, në emër të Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, i thashë se do të ishte i mirëpritur për të vizituar vendin tonë si mysafir i Lidhjes, ai pranoi me kënaqësi. Nuk ishte një pranim sa për mirësjellje, por serioz, si çdo gjë e tij. Dhe për këtë u binda, sepse më pyeti me hollësi se ç’periudhë ishte më e përshtatshme për të ardhur, ngaqë, i lodhur siç qe nga sëmundja, nuk e duronte dot klimën e ashpër dhe zhurmën.

Pastaj, për të njëjtën arsye të sëmundjes, pyeti se a mund të mbërrinte brenda ditës në Tiranë, pa ndaluar në qytete të tjera dhe u gëzua kur gazetari gjerman që na shoqëronte, tha se gjatë verës ka një aeroplan direkt nga Këlni, ku Bëli banonte, për në Tiranë. Hajnrih Bëli nuk erdhi dot në Shqipëri. Sëmundja e rëndë nuk e la ta merrte veten, por vepra e tij, novelat dhe romanet e fuqishme kanë ardhur e janë bërë të njohura gjerësisht midis lexuesve tanë. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   


 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë

Leonardo DiCaprio drejt martesës? E dashura e e tij fotografohet me një unazë diamanti në dorë