Nderim për prof.Arben Puton, gur
i rëndë në themelet e shkencës

Nderim për prof.Arben Puton, gur<br />i rëndë në themelet e shkencës
Na iku edhe Profesor Arben Puto. E përcollëm të shtunën, thjeshtë e pa ceremoni zyrtare. U tha se kjo kishte qenë dëshira e tij. Pas Kristo Frashërit, një humbje tjetër që mjedisi i historianëve do ta ndjejë gjatë. E di, një klishé kjo që nuk e shmang dot. Sepse, në fund të fundit, ikja nga jeta e çdokujt është humbje për familjen, për njerëzit e afërt, për shokët e miqtë, çka është krejt njerëzore. Por ndarja me Profesor Puton shkon përtej kujtimeve dhe nxit për refleksion. E kapluar nga kjo ndjesi, po përpiqem të hedh këta pak rreshta.

Profesor Arben Puto është historiani shqiptar më në zë, për mua më i miri i shtatëdhjetë viteve të fundit. Ai ndërmori studime të thelluara për periudha që i njohu si pakkush: për Rilindjen tonë Kombëtare, për Pavarësinë, Paspavarësinë dhe Luftën e Dytë Botërore. Ishte më kompetenti në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, në fakt, fusha e tij e parapëlqyer. Nuk është i vetmi për nga prodhimtaria e gjerë: shkroi disa monografi, tekste universitare, mblodhi dhe komentoi shterueshëm disa vëllime dokumentesh për historinë e vendit të tij, nxjerrë nga arkivat e Perëndimit, etj. Por, pa mëdyshje, mbetet më i ploti ndër historianët për vështrimin analitik dhe kompleks të dukurive historike, më skrupulozi në arsyetimin e ftohtë dhe të balancuar të fakteve e ngjarjeve. Përpos të tjerash, artist i fjalës. Sa i ftohtë në argument, aq i ngrohtë dhe i latuar në frazë, gjë jo fort karakteristike për ata që merren me histori. Thënë shkurt, ne historianët e sotëm, pa përjashtim të gjithë, i vijmë atij anash. Me sa duket, do të duhet ende kohë që të tjerë, krah nesh apo pas nesh, ta arrijmë atë.

Megjithatë kapacitetet e mëdha intelektuale, shkencore etj., nuk krijohen lehtë. Ato janë pasuri e një vendi, e një populli apo e një kohe. Dhe nëse më të shquarit prej tyre arrihen me mundim, ky nuk është aq shqetësim i shoqërisë. Preokupimi i saj më kryesor është modeli. Sigurisht prof. Puto krijoi profilin e vet të lakmueshëm, që është vepra e shkruar shkencore. Por modeli është më i gjerë, më grishës dhe pse jo, më imponues.

Modelet janë pasuri më vete. Për shembull, prof. Puto nuk para bënte lëshime. Mbi të gjitha, në bindjet e veta shkencore. Ka kolegë që thonë se në krijimtarinë e vet ai ka reflektuar me vështirësi ndryshimet e pas vitit nëntëdhjetë. Në historiografi reflektimi është proces normal, por në rastin e Putos, konstatimi më duket disi i nxituar. Arsyeja është se prof. Puto nuk ka shkruar thjesht libra. Ai është nga ata që ka vendosur gurë të rëndë në murin e shkencës. Dihet çfarë do të thotë kjo për kulturën e një vendi. Dy vepra për ilustrim. Në komunizëm ai shkroi “Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha”, në periudhën postkomuniste “Shqipëria politike në vitet 1912-1939”. Të dyja - gurë të rëndë.

Modeli është proces. Sot, kur shoqëria shqiptare po shkon përpara dhe, përkundër saj, shkenca vazhdon në staniacion, kemi fort nevojë edhe për laboratorin shkencor të prof. Putos. Ai qe një filtër kundër mediokritetit, frazomanëve, plagjiatëve të gjithëllojshëm që sot kanë mbytur studimet tona, madje dhe brenda institucioneve që thirren akademike.

Ndjesë! Le ta ruajmë këtë çast nderimi! 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli